Kënga “Për ju qan janari”, fituese e “Fest Flakës”

26.01.2013 (komentet: 0)

Kënga “Për ju qan janari”, që i kushtohet Jusuf e Bardhosh Gërvalles dhe Kadri Zekës e interpretuar nga dueti, Besiana Mehmeti dhe Shkodran Tolaj, është shpallur kënga fituese e Festivalit të këngës popullore “Fest Flaka 2013”, që mbahet në kuadër të Manifestimit tradicional kulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2013”, manifestim që gjatë kësaj kohe Gjilanin e shndërroi në qendër të kulturës shqiptare.



“Flakën e Janarit 2013” që është mbyllur me “Fest Flakën” e ka shpallur të mbyllur kryetari i komunës, Qemajl Mustafa falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar që ky Manifestim për çdo vit të jetë edhe më i mirë, ta ketë përherë rritën e vet, me shpresën që do të vazhdohet tutje me punë. Kryetari Mustafa, falënderoi edhe mysafirët nga Shqipëria që ishin prezent “Fest Flakën” dhe që kontribuuan për vite për manifestimin mbarëkombëtar, Këshillin e Flakës, Drejtorinë e Kulturës dhe tjerët , derisa “Fest Flakën” e ka vlerësuar si ëmbëlsira e ‘Flakës së Janarit”. I pari i Gjilanit, tha se beson që “Flakën... e radhës ta kemi edhe me të mirë, me vlera konkurruese, origjinalitet dhe prurje të reja në të gjitha shtyllat e këtij manifestimi mbarëkombëtar.

“Fest Flaka 2013”,  para publikut të shumë gjilanas, që kishte mbushur sallën e Teatrit të qytetit, solli 13 këngëtarë e artistë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët interpretuan drejtpërdrejtë, nën përcjelljen e Formacionit Orkestral të Trupës Artistike Muzikore të qytetit të Gjilanit, që drejtohej nga Mentor Latifi dhe nën përcjelljen e koordinatorit të festivalit, Mehmetali Arifi. 

“Fest Flaka” e cila vazhdon të ruajë e të kultivojë muzikën e mirëfilltë popullore shqiptare kishte karakter garues me këtë rast juria në përbërje: Zyqefli Diba nga Tetova, Minella Kureta nga Tirana dhe Drita Kryeziu nga Gjilani, e cila vlerësoi me vendin e parë këngën “Për ju qan Janari”, kënduar nga dueti, Besiana Mehmedi dhe Shkodran Tolaj, çmimin e publikut ia ndau këngës “Jam Kosova e shqiptaris” interpretuar nga Hekuran Bllaca, derisa i ndau dy vende të dyta këngës” Një lule”, interpretuar nga Ilire Ismajli dhe këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime” interpretuar nga Fahrush Azemi, kurse vendin e tretë ia ndau këngës që ishte premierë “Këngë malli (Agim Ramadanit” interpretuar nga Arbëresha Hajdari.

Gjatë pranimit të çmimit të parë, fituesit thanë se këtë çmim ia dedikojnë fëmijëve të dëshmorëve të Gjilanit e Kosovës.

Në këtë mbrëmje me plaket u nderua kompozitori dhe tekst-shkruesi i njohur shqiptar, Edmond Zhulali i cili ka shkruar shumë këngë të njohura dhe solistja Enkelejda Arifi, derisa anëtari i jurisë nga Shqipëria, Minella Kurti, duke shprehur kënaqësinë që ndodhet këtu, tha se çmimi i parë për të gjitha e meriton publiku i Gjilanit. Ai tha se ky festival dhe udhëheqja e kësaj komune në krye me kryetarin Qemajl Mustafa, është shembull dhe si i tillë duhet të shërbejë frymëzim për të gjitha qendrat tjera shqiptare për organizime të tilla.   

Në “Fest Flakën 2013”, interpretuan 13 solistë të cilët interpretuan këngët, “Kur perëndon dielli” nga Donjeta Selimi dhe Blend Syla, “Kur bie fyelli e qiftesila”, në interpretim të Linda dhe Leonida Sadikut, “Potpuri këngësh çame” nga Ardiana, Agoni dhe Iliriana Latifi, “Një lule”, interpretuar nga Ilir Ismajli, “Ruaje dashurinë” nga Herolinda Bucaliu, “A kanë ujë ato burime” nga Mirsade Krasniqi, “Te shkall’t e tojanit” nga Majlinda Bajrami, “Këngë malli (Agim Ramadanit” nga Arbëresha Hajdari, “Martaneshi” nga Faruk Brestovci, kënga sef Kosharja” nga Rexhep Jashari, “Për ju qan Janari” nga dueti, Besiana Mehmedi dhe Shkodran Tolaj, “Jam Kosova e shqiptaris” nga Hekuran Bllaca dhe kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime” kënduar nga Harush Azemi.

Ndryshe, pas më shumë se dy javë aktivitetesh të ndryshme kulturore, në fushën e artit skenik, artit letrar, artit pamor dhe atij muzikor, të mbajtura në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2013”, i cili mbahet në kujtim dhe nderim të atyre që ranë gjatë janarëve të historisë shqiptare me “Fest Flakën”, është përmbyllur manifestim kulturor tradicional “Flaka e Janarit 2013”. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment