Karakurti, fshati shqiptar në stepat e Ukrainës

10.03.2012 (komentet: 1)

Është i njohur fakti i dhimbshëm i ikjeve masive të shqiptarëve nga invazionet dhe luftërat e pushtuesve ndër shekuj, duke ngritur ngulmime masive në shumë vende të Ballkanit, Evropës, Amerikës, Kanadasë, Australisë, e deri në stepat e largëta ruse. Edhe pse nga kjo ikje e dhimbshme kanë kaluar kufijtë kohorë të dy-tre shekujve, brezat e shumtë nuk kanë mundur t'i shmangen fenomenit të asimilimit; është për t'u evidentuar fakti se, përgjithësisht në këto ngulmime, banorët kanë transmetuar tek këto breza kulturën, doket, zakonet e traditat shqiptare. Ndërsa rasti i fshatit Karakurt, në stepat e Buxhakut të Ukrainës, me një popullsi prej 2704 banorësh, ku ata me origjinë shqiptare përbëjnë 80% të popullsisë së fshatit (të tjerët vendas, rumunë e bullgarë), është ndër rastet më të veçanta të ngulmimeve masive të shqiptarëve, rreth dy shekuj më parë.


 

Nga Ismet Azizi

E veçanta e këtij ngulmimi masiv shqiptarësh në stepat e Siberisë, ndërkohë që përgjithësisht emigrimet e detyruara të shekujve më parë kishin destinacion Amerikën, Australinë e vendet evropiane, qëndron jo vetëm në numrin e banorëve, në gjetjen e këtij vendi si "atdhe të dytë", por dhe nga ruajtja pothuaj me fanatizëm e shumë dokeve, traditave, e zakoneve të përcjella nga brezi në brez, deri në arshivat vendase e muzeume, e që pasqyrojnë edhe sot prejardhjen shqiptare të banorëve, gjë të cilën ata e konfirmojnë me kënaqësi. Vetëm kohët e fundit, pas dy shekujsh, intelektualët e këtij fshati shqiptar të Ukrainës, kanë

 

 

këmbëngulur të vendosin kontaktet me të parët e tyre, me shtetin amë, me vendlindjen, që stërgjyshërit u detyruan ta braktisin nga pushtimi i egër otoman. Një prej intelektualëve dhe specialistëve të njohur të Karakurtit, shqiptari Fjodor Dermentli, drejtor i Uzinës së Tubave të Harcizkut, profesor e deputet që prej 25 vjetësh, sot 70-vjeç, nuk ka reshtur së investuar gjatë gjithë jetës së tij, për të njohur e pasqyruar prejardhjen shqiptare të bashkëfshatarëve të tij, kulturën e traditat, duke këmbëngulur e punuar gjithashtu, për vendosjen e urave lidhëse me vendlindjen e të parëve.

 Kosova dhe Shqiperia ne Karakurt

Kosova dhe Shqiperia ne Karakurt

Përpjekja më serioze në këtë fushë e Dermentliut, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, krahas punës së bërë për ruajtjen e njohjen e historisë dhe traditave nga brezat, është dhe botimi i librit të tij "Duke fletuar fletët e kujtimeve", i sjellë së fundi në shqip nga Anna Shost (përkthyese) e Anna Zabellova, si redaktore. Sipas autorit të këtij libri, referuar arshivave zyrtare dhe ruse, ngulmimi shqiptar në stepat e largëta të Ukrainës, ku janë shumëfishuar e jetojnë dhe sot, është në vazhdën e largimeve masive të shqiptarëve pas luftës Ruso-Turke (1771-1774), ku shumë luftëtarë shqiptarë ishin pjesëmarrës aktivë për çlirimin nga pushtimi turk. Pas nënshkrimit të paqes në vitin 1975, shumë shqiptarë që ngulmimet e para i kishin në Bullgari (në shumicë në fshatrat Poroishte, Eskiarmutllar, Zagrad, Dobrina, Devina etj.), u rishpërngulën më thellë drejt Lindjes, ku ndër të parët, është ngulmimi shqiptar afër Krimesë, në fshatin Arnaudovska, e që sot thirret Aleksandrovka. Edhe paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Karakurtit, rezultojnë që të jenë të rishpërngulur nga Bullgaria për në stepat e Ukrainës, në vitet 1809-1813.

 

Siç konfirmon Dermentli, nëpërmjet dokumenteve arkivore, shqiptarët e fshatrave Dizdar, Eski-Arnautllar, Devnja, që ndodheshin midis Varnës e Plovadisë, të rrënuar nga lufta, por me kokën lart, u shtynë në thellësi të tokave ruse në Lindje, duke u vendosur në Zaporishje (midis Militopolit dhe detit Azov), përkatësisht në fshatrat Gamovka, Georgievska e Karakurt. "Raca e fortë shqiptare, edhe një herë e tregoi vitalitetin e saj në vendbanimin e ri. Ata ishin një grusht i vogël njerëzish analfabetë, gjysmë të uritur, që dukeshin të dobët nga jashtë, por të fortë shpirtërisht. Duke kapërcyer dhe më shumë se 1000 kilometra, duke provuar shumë vështirësi e fatkeqësi, gjetën për vete dhe pasardhësit e tyre, atdheun e ri, jetën e re",- konfirmon korçare Dermentli. Ndërsa historia e shpërnguljes së dhimbshme deri në ngulmimin në Karakurt, ambientimi me jetën e atjeshme, si u shumuan, si jetonin e jetojnë, si kënduan e këndojnë shqip, si i bëjnë dasmat e si i përcjellin zakonet shqiptare brezave, ai jep hollësi të plota e interesante në librin e tij. Rivendosja e urës lidhëse me shtetin amë Vetëm vitet e fundit, falë përpjekjeve të Fjodor Dermentit dhe Xhevat Rirës, Konsullit të Ukrainës në Shqipëri, banorët e Karakurtit të largët, mundën që t'i vendosin urat e komunikimit me vendlindjen e tyre, me Shqipërinë.

 

Por, sipas Rirës, ky është vetëm fillimi, pasi në të ardhmen janë në projekt një sërë aktivitetesh të ndërsjella kulturore, për të forcuar një bashkëpunim të ndërprerë prej gati dy shekujsh. Ndërsa Petraq Konomi, një prej njerëzve që ka udhëtuar pak kohë më parë në Ukrainë, tek shqiptarët e atjeshëm, pohon se është befasuar nga gjithçka që këta banorë kanë mundur të bëjnë, për mënyrën e jetesës, rritjen e mirëqenies vetëm me punë (bujqësi, zejtari, blegtori), e deri tek veshjet tradicionale, këngët e lashta, ritet e dasmave, që nuk ka mundur t'i fshijë koha dhe erozioni i asimilimit. Një nga ndërmarrjet fundit, në të mirë të forcimit të bashkëpunimit të karakurtasve të largët me vendlindjen, shton më tej Konomi, është dhe dërgimi atje, me përkujdesjen e Rirës, një numër të konsiderueshëm abetaresh e librave të tjerë shqip, në mënyrë që gjuha e nënës të mësohet në bankat e shkollës, në fshatin e largët shqiptar në stepën ruse.

 

Duke shfletuar fletët e kujtimeve (Fragmente nga libri i Fjodor Dermentli) Në vitin 1811, në anën e majtë të liqenit Jallpug, pranë lumit Sarllig, të shpërngulurit shqiptarë nga viset bullgare, themeluan koloninë Karakurt. Numri i vogël i shqiptarëve u vendos në fshatin Tabak dhe në fshatrat fqinjë, Verhnebuxhakskinj dhe Kagullo-Prutskij. Ndër 20 familjet e para shqiptare në Karakurt, ishte vetëm një familje me emrin Dermentli. Në katundin e sotëm Zhovtnjevoje (Karakurt), sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë së Ukrainës për vitin 2001, jetojnë 2704 banorë, 80 për qind e të cilëve janë shqiptarë dhe shumë veta prej tyre kanë mbiemrin Dermentli. Të gjithë ata janë të afërmit e mi, apo të largët të fisit. Pikërisht, kjo më jep të drejtën të them se kryesisht, historia e familjes sime, e fisit tim, është pjesë e historisë së katundit tonë. Dhe u përpoqa që me punën time, të bashkëpunëtorëve, me dëshmitë e gjalla e me gërmime të shumta në arshiva, të

 

Kosova ne gjirin e shqiptareve te Ukraines

Kosova ne gjirin e shqiptareve te Ukraines

rrëmoj në rrënjët tona të përbashkëta... E përsa nxorëm në dritë, jemi krenarë e themi: "Po ul kokën para jush, stërgjyshërit e mi!". Shqiptarët e sapoardhur në katundin tonë rreth dy shekuj më parë, e më vonë, jetonin në rrugë të veçanta, ku gjuha dhe traditat ruheshin me fanatizëm në çdo familje. Emri i katundit tonë, Karakurt, përkthehet "merimangë e zezë".

 

Kjo lidhej, sipas legjendës, me themelimin e katundit tonë pranë liqenit Jallpug, ku të parët tanë gjetën shushunja të zeza mjekësore. Të parët tanë e brezat e sotëm në këtë katund, ruanin e ruajnë ritet e vendlindjes së shtetit amë. Kujtoj se, që kur isha fëmijë, në familjen tonë të madhe, ashtu si dhe familjet e tjera shqiptare, bëheshin si të themi, me një orar strikt. Kishim një ekonomi të vogël që përbëhej nga ara, kopshti, bahçja, bagëtia dhe zogj. T'i mbaje gjithë këto, duhej punë e rëndë fizike. Punonin të gjithë, edhe fëmijët, edhe të rriturit... Mbaj mend se, që në fëmijëri, nëna këndonte bukur këngë shqiptare, e unë ia kërkoja shpesh këtë. Kujtoj shumë prej tyre. Është një këngë shumë e trishtuar: "Kur bie shi, ne qajmë për ty/ Kur bubullin ne të ujitim me lot/ Kur vetëtin ne ndezim qirinj/ Kur bie mjegull ne ndezim temjan...". Duhet thënë se në fshatin tonë, shqiptarët e ardhur, respektonin ritet fetare të krishtera, kurorëzoheshim, pagëzonim fëmijët. Por shpesh nëna, në vendt të "Zot na ndihmo!", ose "Zot na shpëto!", thoshte "Allah verdi", duke ju drejtuar Zotit mysliman. Brezat e shqiptarëve të Karakurtit, për shumë arsye, edhe për shkak të klimës e vendit të largët, vuanin, por me mund jetonin e jetojnë mirë. Por në vitet e vona, 1940-1941, ata që ishin të pasur, nuk i shpëtuan internimit.

 

Tek ne nuk thoshim "I internojnë në Siberi!", por thoshin "I internojnë në Rusi!". Familja jonë nuk u prek nga kjo, pasi ishim të varfër, jetonim mirë me punë...!". Ceremonia e dasmës Krejt e veçantë është tradita e trashëguar e dasmës, në fshatin shqiptar Karakurt të Ukrainës. Zgjedhja e dhëndrit dhe nuses, në traditë, është punë e prindërve dhe jo e të rinjve. Merrej parasysh pasuria, prika, sasia e tokës, ekonomia. Ndodhte që të rinjtë të mos e njihnin njëri-tjetrin deri në ditën e dasmës. Në rast se bihej dakord mes krushqve, caktonin ditën e "rurit", ditën kur prindërit e nuses bëjnë një mbrëmje përpara dasmës. Në këtë mbrëmje janë krushq e kumbarë, të cilët hanë, pinë e argëtohen gjatë gjithë natës. Në mëngjes, krushqit me gjërat e pajës shëtisin nëpër fshat. Në rast se nusja është e pasur, dy krushq; nëse ajo ka pak pajë, një krushk. Të gjithë pajën (peshqirë, çarçafë, këmisha, pëlhurë etj.), i mban në sup krushku, ndërsa në kokë mban jastëkun. Një javë pas saj, detyrimisht të shtunën, është fejesa. Në shtëpinë e nuses mblidhen prindërit e dy të rinjve, dhëndri e nusja, ku shohin dhe njëri-tjetrin. Nuk ulen në tavolinë derisa nusja të puthë duart e të gjithëve, përfshi dhe dhëndrin. Bie dakord për ditën e dasmës.

 

Nusja rri në shtëpi deri ditën e dasmës

 

Ceremonia fillon të enjten, si në shtëpinë e dhëndrit, ashtu dhe të nuses.  Të premten është dita e ftesave për dasmë për krushqit e të afërmit, ftohen dhe të rinj. Ata zgjedhin "kryetarin" i cili mbanë në duar "gillgillin", një katruve druri me verë. I japin, së pari, një gllënjkë verë të zotit të shtëpisë. Më pas, rinia nga ana e dhëndrit shkon në shtëpinë e nuses, ndërsa ajo nga ana e nuses, në atë të dhëndrit, ku argëtohen e më pas shpërndahen. Në dasmën e nuses, të shtunën në mbrëmje shkon dhëndri me shokët e tij. Kërcejnë e argëtohen të gjithë, me përjashtim të dhëndrit e të nuses, që rrinë mënjanë.

Dasma tek dhëndri bëhet të dielën. Të dy anët kanë të ftuarit e tyre. Në rast se është verë a vjeshtë, zgjedhin një karrocë me kuaj dhe shkojnë të marrin kumbarin, në rast se është dimër, atëherë shkojnë me slita. Tani, në ceremoninë e dasmës, në plan të parë del kumbari. Pasi atë e kanë marrë nga shtëpia, shkojnë tek nusja. Krushqit ulen në një tavolinë bashkë me kumbarin. Kumbari me nënkumbarët, hyn në dhomën ku rri nusja me shoqet e saj. Kumbari e vesh nusen me kostumin (fustanin) e nusërisë, e një nga nënkumbarët këndon këngë. Kënga është melankolike, që e bën nusen të qajë, se ajo po ikën nga shtëpia e prindërve. Pasi është veshur nusja, sjellin dhëndrin, dhe në dhomë rrinë të rinjtë, bashkë me prindërit e nuses.

 

Dhëndri e nusja rrinë në gjunjë, e puthin duart e gjunjët e prindërve. Hyjnë ndërkohë miqtë e dhëndrit dhe i japin paratë sa për pajën e nuses. Kumbari me kumbarën marrin përdore çiftin, për të kërcyer së bashku. Pastaj çifti hyn në dhomë dhe ndahet me shtëpinë e nuses. Tani, babai ose vëllai i nuses e nxjerrin përdore. Dhëndri e nusja mbajnë në duar qirinj të ndezur. Para se çifti të kalojë pragun e të dalë në rrugë, nëna e nuses i bekon ata, duke u hedhur kokrra gruri, monedha e karamele. Kjo do të thotë, që jeta e tyre të jetë përherë e ëmbël, të kenë para e buka të mos u mungojë ndonjëherë në tavolinë. Para çiftit vendosin një shufër hekuri dhe e lagin me ujë. Kjo do të thotë që do të kapërcejnë së bashku të gjitha pengesat e vështirësitë.

Tek porta, para se nusja të hipë në karrocë, shoqet e saj kërkojnë paratë për nusen dhe i marrin ato. Nga këtu, çifti shkon në kishë, e nga aty në shtëpinë e dhëndrit. Tek dera, nëna dhe babai i dhëndrit takojnë çiftin dhe u japin dhurata, që t'i shohin të gjithë. Hyjnë në shtëpi, rinia çon kumbarët në shtëpinë e tyre dhe të afërmit shtrojnë tavolinat. Kur të gjithë të ftuarit janë mbledhur, shkohet e rimerret kumbara. Vjen ai, e të gjithë ulen në tavolina. Nusja me dhëndrin janë në një dhomë tjetër, me shokët e shoqet e tyre. Prindërit e dhëndrit i dhurojnë kumbarit dhuratat, ndërkohë që çifti qëndron para kumbarës me qirinj në duar. Nga mesnata, dilet në rrugë e kërcehet valle. Dhëndri e nusja, përmbysin dy kova të mbushura me ujë. Ai që e përmbys i pari do ta marrë dhe do të hyjë i pari në këtë shtëpi, e do të jetë kryetari i shtëpisë.

 

Argëtimi vazhdon deri në mëngjes. Të hënën në mëngjes çojnë kumbarën në shtëpi, e festojnë atje deri në drekë. Kthehen në shtëpinë e nuses, këndojnë e kërcejnë, e pastaj shkojnë tek dhëndri. Të martën (para-prapa), kushërinjtë më të afërt të dhëndrit, së bashku me dhëndrin e nusen ecin më këmbë nëpër fshat me muzikë, deri në shtëpinë e nuses, ku i presin të afërmit e saj. Dhe pritësit u japin dhurata çiftit.  Nusja këtë ditë është pa vello, me veshjen e dasmës, duke treguar se tashmë është grua e martuar. Rikthehet festa pastaj në shtëpinë e dhëndrit, ku çifti u ndan ëmbëlsira e japin dhurata. Këtu mbaron dasma. Më vonë, gjatë një muaj, nusja çdo mbrëmje duhet t'i lajë këmbët vjehrrit e vjehrrës, duke treguar se i respekton njerëzit e burrit. Dhe nëse dikush vjen në shtëpi, nusja e re duhet t'i puthë duart në respekt për të moshuarit.

 


 zemrashqiptare

http://www.zemrashqiptare.net/article/Reportazh/24045/

Kthehu mbrapa

Shto koment

Koment nga Ekremi | 31.05.2012

http://www.zemrashqiptare.net/news/id-24045/cid-132/Baki_Ymeri:_Shqiptar%C3%ABt_e_Ukrain%C3%ABs_dhe_fati_i_tyre_gjat%C3%AB_shekujve.html