Ismail Kadriu kolosi i madh i arsimit në Gjilan e Anamoravë

16.05.2013 (komentet: 0)

U lind më 02.02.1934 në Zhegër të Gjilanit .Mësimet fillestare i mori në mungesë të shkollës në mejtepin e fshatit. Në vitin 1948 vazhdon shkollimin në Gjimnazin real shqiptar të Prizerenit, për të përfunduar klasën e tretë në vitin 1950.

Gjilan – Ismail Kadriu nga mosha 16 vjeçare kur filloj punën si mësues në fshatin Stanqiq e deri në vdekje punoj e jetoj me nder, përkushtim e atdhedashuri për të shkolluar gjenerata të tëra, për të qenë pjesë e zhvillimit dhe avancimit në Gjilan e Anamoravë dhe me të drejtë institucionet arsimore në Gjilan i kanë lënë emrin e tij shkollës fillore në Zabel të Sahit Agës.
Komiteti për Politikë dhe Financa në takimin e fundit ka propozuar që shkolla fillore e Zabelit të Sahit Agës të pagëzohet me emrin e arsimdashësit të madh Ismail Kadriu. Rajonipress ka marrë sintenca dhe shënime nga vet dosja e Ismail Kadriut dhe familjarëve të tij. Opinioni do të mësojë më shumë për këtë kolos të madh të arsimit gjilanas e Anamoravës në përgjithësi.

Ismail Kadriu ( 02.02.1934 - 06.08.1988) 

Në vitin 1951 e ka kryer kursin e ultë Pedagogjik në Pejë, për të vazhduar në vitin 1953/54 kursin njëvjeçar për mësuesi në shkollën pedagogjike të Prishtinës. Provimin profesional për ushtrimin e profesionit të mësuesit e kreu në vitin 1961 në Prizeren. Fakultetin filozofik e ka regjistruar në vitin 1962 dhe ka diplomuar në vitin1964. Studimet në shkallën e dytë i ka vazhduar në Fakultetin filozofik, dega e Albanologjisë dhe ka apsolvuar në vitin 1966. 

Profesionin e mësuesit ka filluar ta ushtrojë në vitin 1950 në moshën 16 vjeçare në fshatin Stançiq . Ka vazhduar si mësues në Përlepnicë, Cernicë e Zhegër.
Prej vitit 1959 e deri në vitin 1962 ka ushtruar detyrën e drejtorit të shkollës fillore në Zhegër.

Më 28.06.1962 nga një proces i montuar politik është suspenduar nga pozita e drejtorit të shkollës dhe i është shkëputur marrëdhënia e punës , me ndalesë të ushtrimit të profesionit.

Në këtë periudhë, i larguar nga puna, me pamundësi punësimi, regjistrohet në Fakultetin filozofik dega e Albanologjisë, për të absolvuar në vitin 1966.

Me ndryshimet politike, pas rënies së kreut policor të Rankoviqit, në vitin 1966, i hiqet masa ligjore e ndalimit të ushtrimit të profesionit. 

Pas lirimit nga kjo masë ligjore, gjatë vitit 1966/67 punojë si arsimtar në Gjimnazin " Z.Hajdini " në Gjilan.

Prej vitit 1968 kthehet si drejtor i shkollës fillore " Bashkimi” në Zhegër, ku ka punuar gjerë në vitin 1976.

Ismail Kadriu ishte ai që bëri çmos vetëm e vetëm që të përfshihen vajzat në shkollim, duke animuar edhe aksione të pa trasuar gjer më atëherë, duke përdorë lloj lloj metodash për t’` bindur prindërit. 

Një ndër ato aksione ishte edhe angazhimi i drejtpërdrejtë para xhematit, duke aktualizuar mospërfshirjen e vajzave në shkollë edhe nç çdo tubim të fshatit dhe, në ato tubime, duke i angazhuar njerëzit me autoritet pleqnarësh. Na kujtohet rasti kur, njëri nga haxhinjët e katundit (Ramiz Zegbasha) në tubimin e fshatit nxjerr shembullin konkret duke thënë se, derisa ishte në Arabi në haxh, kishte parë femrën izraelite pilote dhe kishte mësuar atje se femrat izraelite ishin edhe oficere, edhe inxhiniere dhe, siç pat thënë ai atëherë, nëse duam që edhe femrat tona të kapin pushkën për mbrojtje, ose të bëhen doktoresha, gjykatëse e mësuese, duhet t’` lejojmë të shkollohen. Dalja e Ramizit para fshatarëve me shembullin konkret, natyrisht se ishte në bazë të insistimit të Ismail Kadriut.

Më pastaj Ismail Kadriu organizoi edhe formën konkrete e cila deri atëherë nuk ishte aplikuar askund; organizoi klasë të veçanta (klasat e pesta) vetëm për femra, që të mos përzihen me meshkuj, sepse prindërit e kishin edhe këtë ankesë. Organizoi klasët e pesta dhe të gjashta edhe në paralelet e ndara të shkollës së Zhegrës, në Haxh dhe Llashticë, sepse nga ato lagje prindërit nuk i lejonin vajzat e tyre të udhëtonin në Zhegër. Nga këto aksione konkrete arriti përfshirjen e femrave në shkolla dhe, shkolla e Zhegrës ishte shembull në tërë rajonin.

Kjo ishte meritë ekskluzivisht vetëm e Ismail Kadriut.

Viteve të ’70, Ismail Kadriu ishte në krye të delegacionit, i cili për herë të parë vizituan Shqipërinë. Me atë rast u njoftua dhe bisedojë, si nip i Idriz Seferit për meritat e tij. Pas disa muajve, Kosovën e vizituan persona të shquar nga jeta politike dhe atdhetare shqiptare dhe këtë delegacion kush do ta udhëhiqte, pos Ismail Kadriut dhe me atë rast u vu gurthemeli i varrit të Idriz Seferit, kryekaçakut të Karadakut.

Në vitin 1976 emërohet si Inspektor i arsimit pranë Sekretariatit për veprimtari shoqërore të KK të Gjilanit. Gjatë vitit 1979 punon si Sekretar i BVI - së për kulturë të KK të Gjilanit. Në vitin 1982 emërohet Sekretar i sekretariatit për veprimtari shoqërore të KK të Gjilanit.

Gjatë kësaj periudha, ai organizoi disa paraqitje të ansambleve nga Shqipëria dhe këto shfaqje u organizonin vetëm në territorin e Gjilanit, falë aftësive dhe punës së palodhshme të Ismail Kadriut, i cili ditë e natë angazhohej në mënyrë që kultura, arsimimi i shqiptarëve të arrijë kulminacionin e zhvillimit në këto troje dhe më gjer.

Prej vitit 1985 emërohet në funksionin e Drejtorit gjeneral të shkollave të mesme të Gjilanit (QAMO). Viteve të fundit të jetës, punoi si drejtor i Shtëpisë së kulturës në Gjilan.

Në gusht të vitit 1988, humbi jetën në një aksidenti komunikacioni, në afërsi të Gjilanit dhe u varros me nderime institucionale dhe popullore në fshatin e lindjes, në Zhegër.
Gjatë punës së tij 38 vjeçare, në sferat e arsimit, kulturës dhe veprimtarive tjera shoqërore është dekoruar me mirënjohje më të larta, nga institucionet lokale, komunale, krahinore dhe federale.

Në vitin 1958, udhëhoqi paralelen prej 90 nxënësish dhe të gjitha qarqet arsimore të rrethit të atëhershëm të Gjilanit u mahniten për suksesin e arritur. Pas këtij suksesi ai shpërblehet me 3.000 dinarë.

Në vitin shkollor 1958/59 organet e larta të Gjilanit, në mbështetje të propozimeve të të gjitha organeve profesionale të arsimit, lidhur me vlerësimin e suksesit të punës se Ismailit, që ishte vlerësuar me shkrim si “DALLOHET” që ishte nota më e lartë, i jepet FALENDERIMI ME SHKRIM.

Akti mban datën 26 qershor 1959. Në dispozitivin e këtij aktvendimi thuhet “ Falënderohet me shkrim për punë shembullore”.

Në vitin 1977 nga instancat më të larta të shtetit, i jepet Dekorata e punës me kurorë të argjendtë”.

Po në këtë vit, pranon mirënjohjen me shkrim nga shkolla fillore e Zhegrës me këtë motivacion “për sukses të jashtëzakonshëm në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja”.

Post mortum është dekoruar në kremtimin e 50 vjetorit të shkollës fillore “Esat Berisha “, me mirënjohje të veçantë për kontributin në edukimin e gjeneratave të reja. Në vitin 2004 gjithashtu i është dhënë mirënjohje nga Shkolla fillore “ Agim Ramadani “ në Zhegër .

Për nder të 70 vjetorit të lindjes, në vitin 2004, Bashkësia lokale dhe Shkolla fillore “ Agim Ramadani “ në Zhegër i organizojnë një Manifestim përkujtimor për kontributin e dhënë në arsimim, kulturë dhe veprimtari tjera shoqërore .

Ismail Kadriu ka qenë iniciator dhe koordinator i aktiviteteve në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, Gjimnazin “ Z.Hajdini dhe Shkollën fillore “ Bashkimi “ në Zhegër.

Të dhënat e lartshënuara janë të sakta dhe janë marrë nga dosja personale e Ismail Kadriut. 

Ismail Kadriu ishte mësues e pedagog, veteran i arsimit shqip, atdhedashës të cilin e ruajti me besnikëri, atë ua zbuloi vetëm shokëve të besës e të fjalës, asnjëherë s’e tradhtoi idealin e popullit të vet, idealin për liri, për të cilin punoi pa reshtur./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment