Interesohen për shkëmbim të përvojave e të nxënësve

11.04.2013 (komentet: 0)

Drejtorë të disa shkollave në shtetin e Zvicrës kanë qëndruar të enjten në Gjilan, ku janë takuar me kreun e komunës, kanë vizituar disa shkolla por edhe kanë marrë pjesë në disa orë mësimore.

Duke e ditur se në Zvicer  janë mijëra nxënës të shkollave fillore e të mesme e që janë me origjinë nga Kosova, këta mysafirë nga shteti helvetik, kanë ardhur që të vizitojnë vendlindjet prej nga vijnë këta nxënës për të marrë përvojën e vendeve të tyre..

Peter Rubeli, Myriam Gesler, Renata Tschanz, Kurt Anderegg, Armin Fulucige, Silvia Jaeger, të cilëve u janë bashkuar edhe kosovarët Nazmi Jakurti dhe Nazim Rexhepi janë pritur nga kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, kanë vizituar disa shkolla të komunës së Gjilanit, sikurse që kanë marrë pjesë edhe në orët nga lëndë të ndryshme.

Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, tha se këso lloj vizitash i duhen Kosovës e Gjilanit, ngase shumë qytetarë nga Gjilani punojnë e veprojnë në Zvicër, derisa ky shtet edhe është shumë i pranishëm nëpërmjet investimeve, sidomos në ujësjellës, në arsim e lëmi të tjera. 

Mustafa, ka thënë se Gjilani është një komunë e madhe dhe qendër rajoni dhe se në këtë qytet ofrohen shërbime të mira e të sakta, ambienti mirëmbahet mirë dhe ka realizim të mirë të të hyrave, sikurse që janë bërë investime në infrastrukturën publike, në shkolla e gjetiu, por që ekonomia po ec ngadalshëm, ka numër të madh të të papunëve dhe probleme të tjera.

“Nëse krahasohemi se ku kemi qenë dikur, mund të themi se tashti jemi mirë, por nëse bëjmë krahasime me nevojat që i kemi, atëherë jemi shumë larg”, ka thënë Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, që duke folur për arsimin gjilanas, tha se ka 25 mijë nxënës me 1730 arsimtarë e me mbi 20 mijë metra katrorë shkolla, por që problem mbetet se ende tri shkolla vazhdojnë të punojnë në tre turne.

Drejtorët e shkollave zvicerane, që kryesisht ishin nga kantoni i Bernit, thanë fjalë miradije për nxënësit shqiptarë në Zvicër. Silvia Jaeger, tha se në shkollat e Zvicrës ka numër të madh të fëmijëve me prejardhje nga Kosova dhe shtoi se janë duke bërë përpjekje që ata fëmijë t’i integrojnë në shoqërinë e tyre.

“Ne duam të ndërtojmë ura miqësie në mes të dy vendeve, sikur që duam heqjen e paragjykimeve”, ka thënë Jaeger. 

Mysafirët nga Zvicra, në mesin e të cilëve kishte edhe këshilltarë në Asambletë e atjeshme, kanë shprehur interesimin e tyre për shkëmbim të përvojave e të nxënësve. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment