Interesim i jashtëzakonshëm i qytetarëve për festivalin “Talia e Flakës”

23.01.2016 (komentet: 0)

Mbrëmë në Gjilan është hapur Festivali i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës”, si pjesë përbërëse e manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit” që mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve shqiptarë, të rënë nëpër janarët dhe muajt tjerë të historisë së vështirë shqiptare për liri e identitet kombëtar, që këtë vit shënon vitin jubilar të 25 me radhë.



Festivalin e ka shpallur të hapur aktori i madh shqiptarë, Enver Petrovci, i cili në skenë u ngjit me kërkesën e kryesueses së Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku – Rexhepi.


Me këtë rast Petrovci shkurtimisht ka thënë se nuk mbanë mend ndonjëherë që ndonjë Teatër shqiptarë të kishte numër kaqë të madhë të të interesuarve për shfaqjen.


“Nuk mbaj mend dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë, që kaq shumë qytetarë të jenë të pranishëm në një shfaqje. Dhe poashtu nuk mbahet mend asnjëherë që ky numër kaq i madh të ketë qenë ndonjëherë edhe në Teatrin e Gjilanit edhe pse Gjilani njihet për interesimin e madh që ka për Teatrin. Mund të them vetem një gjë, që Gjilani ka vlerë, kulturë dhe traditë në Teatër, prandaj është kështu e mbushur salla edhe sonte dhe jam i bindur që kështu do të jetë deri në fund”, ka thënë ai duke shpallur të hapur festivalin e dramës në Gjilan.


Ndërsa kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, në fjalën e saj, ka falënderuar të gjitha teatrot pjesëmarrëse në këtë manifestim, sikur që një falënderim ka dhënë edhe për artistët mbarë-shqiptarë që janë në Gjilan gjatë kësaj jave.


“Falënderim i veqantë për gjithë teatrot, artistët dhe artdashësit që janë për këtë javë në Gjilan. Është nderë dhe krenari për Gjilanin që në hapje të festivalit kemi artist, regjisor, dramaturg, veteranë të teatrit, udhëheqës të tjerë kulturor nga gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë. Komuna e Gjilanit është mbështetëse financiare dhe organizatore e këtij manifestimi, falë përkushtimit të madh e të vendosur të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, nën përkujdesjen e të cilit edhe mbahet “Flaka e Janarit 2016”. Përcaktimi i kryetarit që të mbështes artin dhe aktivitetin kulturor të Gjilanit në përgjithësi, dëshmon se është veprimi më i duhur, kur kemi parasysh interesimin e jashtëzakonshëm të pjesëmarrësve nëpër aktivitete të ndryshme”, ka thënë Bunjaku – Rexhepi, në fjalën e saj.


Ndërsa të pranishmit kanë përcjellur shfaqjen “Jetë me Qera” e cila ishte edhe shfaqja hapëse e festivalit “Talia e Flakës”, që është përgatitur nga Teatri i Gjilanit, me regji të regjisorit Ekrem Sopit dhe performim të aktorëve gjilanas.


Kjo shfaqje është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku, ku herë pas here duartrokitjet ishin ato që ndikonin në pauza të shkutëra skenike.


Regjisori Sopi, i cili që nga paslufta, ka përgatitur disa shfaqje, ka thënë se pritja nga publiku, është vlerësim i jashtëzakonshëm për shfaqjen.


“Ne kemi paraqitur përmes kësaj shfaqje jetën reale që ndodhë në teatër, skenë politike dhe në shoqëri në përgjithësi. Ndjehem mirë që aktorët kanë dhënë gjithçka nga vetja që kjo të jetë shfaqje që e mbanë të ndezur interesimin e publikut për shfaqjen”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Kthehu mbrapa

Shto koment