Impresionohen nga mikpritja e gjilanasve

01.06.2012 (komentet: 0)

Grupi i studentëve nga SHBA-të, Kanadaja,Anglia, Japonia, e vende të tjera të cilët do të jenë pjesë e Programit Ballkanik të Paqes, janë befasuar nga mikpritja,bukuria natyrale dhe vullneti i njerëzve në Kosovë. Në qytetin e Gjilanit kanë arritur disa studentë nga SHBA-të, Kanadaja,Anglia, Japonia, e vende të tjera të cilët janë pjesë e Programit Ballkanik të Paqes, program ky akademik veror, i iniciuar dhe implementuar nga Fondacioni “Bislimi Grup”.

 


Rajonipress sjellë rrëfime interesante të studentëve që aktualisht ndodhen nëpër familjet gjilanase. Ata fillimisht janë ndier shumë të befasuar nga mikpritja tejet bujare e gjilanasve.

Edhe pse ata e pranojnë faktin se kanë pasur pak njohuri për Kosovën,tani që ndodhen në Gjilan,kanë arritur të kuptojnë dhe studiojnë mentalitetet e ndryshme kosovare.

Gordon MacKinnon është nga Halifax i Kanadasë. Thotë se fillimisht ka dëgjuar pak lajme nga dhe rreth Kosovës. “Që nga 1999, Kosova nuk ka qenë në lajme shumë në Kanada, kështu që unë nuk kam pasur ndonjë pritshmëri të madhe. Gjithsesi me të arritur në Kosovë,u habita nga mikpritja,bukuria natyrale dhe vullneti i njerëzve”shprehet ai.

Edhe, studentja tjetër, Laura Luissie është nga qyteti Montreal i Kanadasë. Edhe ajo gjeti në Kosovë e Gjilan një mikpritje të përzemërt. “Ishte bukuria dhe fuqia e kosovarëve si nga ana fizike ashtu edhe nga kultura që fillimisht më impresionoi .Ata kanë lidhje dhe kulturë të fuqishme dhe të thellë e cila më preku vërtetë” shton ajo.

Andrew Lawrance është nga Toronto e Kanadasë. Edhe ky studentë tha se ishte i habitur pozitivisht nga mikpritja që kishte gjetur tek familjet gjilanase.”Bukuria e këtij shteti dhe kultura e gjallë dhe plot energji që kam parë më kanë impresionuar tej mase” tha ai.

Studenti nga qyteti Kyoto i Japonisë, Masayuki Kishimoto tha se çdo herë kur flet me ndonjë person nga Kosova,është i impresionuar për shkak se ndihet si një djalë apo vëlla i tyre. “Kështuqë,më pëlqen shumë mënyra sesi njerëzit më bëjnë të ndihem rehat dhe e vlerësoj me të vërtetë. Jam duke e shijuar me të vërtetë ndejën time në Kosovë” tha i.

Jessica Alexander është nga Halifaxi i Kanadasë. Edhe ajo e pranon se nuk ka pasur ndonjë njohuri paraprake rreth kushteve të tanishme të Kosovës.”Unë jam duke parë një shoqëri moderne me aspirata moderne,një forcë të aftë punëtore dhe një perspektivë pozitive. Jam gjithashtu shumë e habitur nga forca e lidhjes ndërmjet njerëzve”u shpreh ai.

Leonard Miftari shoqërues dhe student në Kolegjin “Gjilani” ku edhe janë duke mbajtur ligjërata me profesorët u shpreh i lumtur që ka pasur mundësi edhe të jetë njëri nga familjet mikpritëse të këtyre studentëve.”Besoj që përvoja e tyre edhe në mësim dhe anët praktike na hynë në punë,por edhe format tjera të bashkëpunimit do të jenë me interes për të dyja palët” u shpreh ai.

Ndryshe Programi Ballkanik i Paqes do të zgjasë deri më 17 Qershor. Temë kryesore e këtij programi ndërkombëtar veror akademik është “Zhvillimi në Vendet Post-Konfliktuoze” me fokus Kosovën. Qëllimi i programit është që të sjellë në Kosovë, respektivisht në Gjilan, studentë të huaj nga vende të ndryshme të botës që kanë interes të dinë më shumë për zhvillimin dhe historinë e Kosovës dhe Ballkanit.

Programi ka tri komponentë kryesore – akademike, kulturore, dhe zyrtare. Komponenti akademik përbëhet nga ligjërata të përditshme dyjavore që do të mbahen mbi tematikën e programit. Pjesëmarrësit do të marrin kredi akademike për këtë kurs dyjavor dhe normalisht se do t’i nënshtrohen testeve adekuate përmes së cilave do të përcaktohet edhe nota e studentit pjesëmarrës.

Ligjërues kryesor do të jetë Faton Bislimi nga Universiteti Dalhousie në Halifax, Kanada, dhe ligjëratat do të jenë në anglishte. Komponenti kulturor përbëhet nga mundësia që iu është dhënë studentëve të huaj që të jetojnë me studentë gjilanas, të Kolegjit “Gjilani,” në shtëpitë dhe familjet e tyre në Gjilan.

Kështu, studentët e huaj do të ekspozohen ndaj kulturës dhe mikpritjes shqiptare. Tutje, studentët do të vizitojnë edhe vendet me historike e kulturore të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, dhe Shqipëri. Komponenti i tretë , ai zyrtar,ka të bëjë me një sërë takimesh që studentët e huaj do të kenë më zyrtarë institucional të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kosova ka një histori të begatë, një kulturë të veçantë, e mbi të gjitha një rini bashkëkohore. Programi ynë iu ofron studentëve të huaj mundësinë që të mësojnë për të gjitha këto gjatë qëndrimit në Kosovë si pjesë e Programit tonë veror ndërkombëtar,” ka thënë Faton Bislimi, që njëherit është edhe themelues i Fondacionit Bislimi Grup. “Kjo është një mundësi e mirë edhe për studentët gjilanas që të krijojnë miqësi të reja dhe po ashtu të mësojnë për kulturën dhe zakonet e studentëve të huaj që janë këtu,” shtoi ai.

“Nuk ka mënyrë më të mirë të prezantimit të Kosovës në botë sesa përmes mesazheve që dërgohen nga studentë të huaj që vizitojnë Kosovën për një program të tillë akademik. Këta studentë janë ambasadorët më të mirë dhe më të besueshëm të Kosovës në botë. Në fund të programit, studentët e huaj pjesëmarrës në këtë program do të hartojnë nga një ese secili, të cilat mandej do të botohen në një libër që do të shpërndahet ndërkombëtarisht nëpër universitete anekënd botës” shprehet Bislimi.

Falë përkushtimit dhe zemërgjerësisë së Fondacionit Bislimi Grup, në këtë program do të mund të marrin pjesë edhe studentë vendas falas. “Qëllimi ynë si Fondacion joprofitabil është përkushtimi për arsimim kualitativ. Andaj, ne kemi vendosur që të pranojmë si pjesë e këtij programi edhe studentët vendorë pa pagesë,” është shprehur Profesori Bislimi. Të gjithë studentët do të marrin certifikata përkatëse akademike në fund të programit./rajonipress/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment