5 TETORI, DITA BOTËRORE E MËSUESIT - ÇKA ËSHTË KJO?

02.03.2016 (komentet: 0)

Me rastin e 129 vjetorit të shkollës së parë shqipe si dhe të 50 vjetorit të Rekomandimeve të ILO/UNESCO - së lidhur me Statusin e Mësimdhënësit

“Ne sigurojmë që mësuesit dhe edukatorët do të jenë të fuqizuar, të rekrutuar në mënyrë adekuate, të trajnuar mirë, profesionalisht të kualifikuar, të motivuar dhe të mbështetur me resurse të mira, sisteme efikase dhe të qeverisura në mënyrë efektive. ...”

Deklarata e Kongresit Botëror të Arsimit 2015 - Incheon, Kore e Jugut

 

 

 

Gëzim Bullaku

5 Tetori, njihet tashmë nga të gjithë si Dita Botërore e Mësuesit. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO,[1] në vitin 1994, ka përcaktuar  5 Tetorin si Ditën Botërore të Mësuesve, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 Tetor 1966.[2] Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 - 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.[3]

Sipas UNESCO-së, 5 tetori si Dita Botërore e Mësuesit është një mundësi për të treguar që puna e mësuesve është njëra nga më të rëndësishmet për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë. Kjo ditë është edhe një mundësi e mirë që interesi publik të orientohet, në njohjen e rolit të mësuesve në mbarë botën dhe për rëndësinë e tyre në shoqëri, nevojën e sigurimit të një arsimimi dhe trajnimi më të mirë të mundshëm të tyre para se të hyjnë në klasë, pasi që cilësia e përgatitjes së mësuesve ka një rol të rëndësishëm edhe në cilësinë e arsimit. Pikërisht për këtë arsye Internacionalja e Arsimit (Education Internationale – EI),[4] me seli në Bruksel të Belgjikës, ka disa vjet që ka ndërmarrë një fushatë të gjërë për vlerësimin dhe propagandimin e kësaj Dite. Si rrjedhojë, sot 21 vende në botë (Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Kanada, Estonia, Gjermania, Lituania, Maqedonia, Maldivet, Mauritania, Moldavia, Holanda, Pakistani, Filipinet, Kuvajti, Katari, Rumania, Rusia, Serbia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretëria e Bashkuar)[5] e festojnë 5 tetorin si ditë e vetme e mësuesit në vendet e tyre, ndërsa mbi 100 vende në botë, në mënyra të ndryshme e shënojnë ose e vlerësojnë Ditën Botërore të Mësuesit, krahas ditëve të tyre kombëtare. Çdo vit EI me 401 organizatat e saj anëtare, nga 172 shtete dhe territore, ka ndërmarre fushata për ndërgjegjësimin publik në evidencimin e kontributit të profesionit të mësuesit. Më 5 tetor organizatat e mësuesve kudo në botë mobilizohen për të siguruar që nevojat e gjeneratës së ardhshme të merren në konsideratë në këtë botë komplekse, shumë kulturore dhe me një teknologji në rritje.[6]

Mirëpo çka paraqesin Rekomandimet e ILO/UNESCO në lidhje me Statusin e Mësuesit të vitit 1966?

Rekomandimet në fjalë janë standarde ndërkombëtare për profesionin e mësimdhënies.  Rekomandimet e vitit 1966 mbulojnë të gjithë mësimdhënësit e nivelit shkollor, duke filluar nga niveli parashkollor e deri në nivelin e mesëm, në të gjitha institucionet publike ose private, të arsimit akademik, teknik, profesional, apo artistik. Rekomandimet e vitit 1966 përmbajnë 146 paragrafë të shkurtër, të ndarë në 13 seksione dhe 32 nënseksione. Më konkretisht përmbajtja e Rekomandimeve të ILO/UNESCO të 5 tetorit të vitit 1966 është kjo:

Përmbledhje

I. Përkufizime

II. Fushëveprimi

III. Parimet udhëzuese

I V. Objektivat dhe politikat arsimore

V. Përgatitja për profesion

  • Përzgjedhja
  • Programet e përgatitjes së mësuesve
  • Institucionet e përgatitjes së mësuesve

VI. Arsimimi i mëtutjeshëm i mësuesve

VII. Punësimi dhe karriera

  • Hyrja në profesionin e mësimdhënies
  • Avancimi dhe promovimi
  • Siguria e detyrës
  • Ekzaminimet mjekësore
  • Gratë mësuese me përgjegjësi familjare
  • Shërbimi me orar të shkurtuar

VIII. Të drejtat dhe përgjegjësitë e mësuesve

  • Liria profesionale
  • Përgjegjësitë e mësuesve
  • Marrëdhëniet mes mësuesve dhe shërbimit arsimor në tërësi
  • Të drejtat e mësuesve

IX. Kushtet për mësimdhënie dhe mësimnxënie efektive

  • Madhësia e klasës
  • Personeli ndihmës
  • Mjetet mësimore
  • Orët e punës
  • Pushimet vjetore me pagesë
  • Pushim studimi
  • Pushimet e veçanta
  • Pushimi mjekësor dhe pushimi i lehonisë
  • Këmbimi i mësuesve
  • Objektet shkollore
  • Dispozita të veçanta për mësuesit në zonat rurale apo të largëta

X. Pagat e mësuesve

X I. Sigurimi shoqëror

  •  Dispozita të përgjithshme
  •  Kujdesi mjekësor
  •  Beneficionet për sëmundje
  •  Beneficionet për lëndim në punë
  •  Beneficionet e pleqërisë
  •  Beneficionet për invaliditet
  •  Beneficionet në rast të vdekjes
  •  Mjetet e sigurimit social për mësuesit

X I I. Mungesa e kuadrit profesional

X I I I. Dispozitat përfundimtare.[7]

Me këtë pasqyrë të përmbajtjes së Rekomandimeve shihet se ato përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh, e të cilat kanë të bëjnë me shqetësimet më të rëndësishme profesionale, sociale, etike, dhe materiale të mësimdhënësve, siç janë:

  • Trajnimi fillestar dhe i vazhdueshëm
  • Rekrutimi
  • Avancimi dhe promovimi
  • Sigurimi i vendit të punës
  • Procedurat disiplinore
  • Shërbimi me orar të shkurtuar
  • Liria profesionale
  • Mbikëqyrja dhe vlerësimi
  • Përgjegjësitë dhe të drejtat
  • Pjesëmarrja në vendimmarrjen arsimore
  • Negocimi
  • Kushtet për mësimdhënie dhe mësimnxënie efektive
  • Sigurimi social.[8]

 

Këto Rekomandime, më vonë do të plotësohen edhe me Rekomandimet e UNESCO-s në lidhje me Statusin e Personelit Arsimor të Arsimit të Lartë të vitit 1997, e të cilat mbulojnë të gjithë personelin e mësimdhënies dhe të kërkimit në nivelin e arsimit të lartë. Përmbajtja e shkurtër e Rekomandimeve të UNESCO - së lidhur me Statusin e Personelit Arsimor në Arsimin e Lartë të vitit 1997 është kjo:

Hyrje

I. Përkufizime

II. Fushëveprimi

III. Parimet udhëzuese

IV. Objektivat dhe politikat arsimore

V. Të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë institucionale

A. Autonomia institucionale

B. Përgjegjshmëria institucionale

VI. Të drejtat dhe liritë e personelit arsimor të arsimit të lartë

A. Të drejtat dhe liritë individuale: të drejtat civile, liria akademike, të drejtat e publikimit, dhe shkëmbimi ndërkombëtar i informacionit

B. Vetë-qeverisja dhe kolegjialiteti

VII. Detyrat dhe përgjegjësitë e personelit mësimdhënës të arsimit të lartë

VIII. Përgatitja për profesionin

IX. Termat dhe kushtet e punësimit

A. Hyrja në profesionin akademik

B. Siguria e punësimit

C. Vlerësimi

D. Disiplina dhe shkarkimi

E. Negocimi i termave dhe kushteve të punësimit

F. Pagat, ngarkesa e punës, përfitimet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të sigurisë

G. Studimi, pushimet kërkimore dhe pushimet vjetore

H. Termat dhe kushtet e punësimit të grave në personelin arsimor të arsimit të lartë

I. Termat dhe kushtet e punësimit të personelit arsimor me aftësi të kufizuara në arsimin e lartë

J. Termat dhe kushtet e punësimit të personelit arsimor në arsimin e lartë me kohë të pjesshme

X. Zbatimi

XI. Dispozitat e fundit

Shtojca.[9]

Lidhur me Ditën Botërore të Mësuesit është me rëndësi të veçantë edhe një dokument tjetër ndërkombëtar,  i ashtuquajtur “Udhëzime për politikat e promovimit të punës së denjë për personelin arsimor të fëmijërisë së hershme” (parashkollore - G.B.), miratuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës ILO, në vitin 2014.[10]

Në porosinë e përbashkët të shefave të UNESCO-së, ILO-së [11] , UNICEF-it,[12] UNDP-së [13] dhe Internacionales së Arsimit-EI (Education Internationale) të 5 tetorit të vitit 2015, me rastin e "Ditës Botërore të Mësuesit", mes tjerash thuhet: "Sot, e mbarë bota është bashkuar për të mbështetur Agjendën e re 2030 të OKB - së, për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, dhe ky rol kurrë s’ka qenë më me peshë,sesa tani ... Në Forumin Botëror të Arsimit, organizuar në maj të vitit 2015, në Incheon të Koresë së Jugut, nga ana e UNESCO-së e ku merrnin pjesë shefat e organizatave si UNICEF, Banka Botërore (World Bank), UNFPA, UNDP, UN Women dhe UNHCR, udhëheqësit u zotuan për të siguruar se mësuesit dhe edukatorët janë të fuqizuar, të rekrutuar në mënyrë adekuate, të trajnuar mirë, profesionalisht të kualifikuar, të motivuar dhe të mbështetur me resurse të mira, sisteme efikase dhe të qeverisura në mënyrë efektive ... Edhe Samiti "Edukimi për Zhvillim" mbajtur në maj të vitit 2015 në Oslo të Norvegjisë,  theksoi më tej imperativin e adresimit të mungesës së mësuesve të kualifikuar dhe të investimit në përgatitjen e tyre ... Instituti i Statistikave pranë UNESCO-së vlerëson se për të arritur arsimin fillor universal deri në vitin 2020 vendet do të duhet të rekrutojnë në total 12.6 milionë mësues.”[14] Më tutje në porosi theksohet se:” Standarde dhe instrumente esenciale ndërkombëtare për profesionin e arsimtarit janë: Rekomandimet e ILO/UNESCO të vitit 1996, Rekomandimet e UNESCO - së të vitit 1997 si dhe Udhëzimet për politikat e promovimit të punës së denjë për personelin arsimor të fëmijërisë së hershme, ILO 2014.” Fare në fund të porosisë së përbashkët të shefave të organizmave të lartpërmendur thuhet edhe kjo:” Në ditën e parë të Ditës Botërore të Mësuesit në një agjendë të re të arsimit dhe  zhvillimit global, ne apelojmë te komuniteti ndërkombëtar për të vlerësuar, mbështetur, dhe fuqizuar mësuesit e botës. Sepse janë ata që do të edukojnë një brez të ri të fëmijëve të cilët, do të çojnë përpara të gjitha qëllimet tona për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë.” [15] [16]

 

 



[1] Lidhur me UNESCO-në shih më gjërësishtë në: Jashar Rexhepagiq. Çështje fundamentale në pedagogjinë ndërkombëtare. ASHAK. Prishtinë. 2008. fq. 254 pastaj edhe në: Fjalor Enciklopedik Shqiptar. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Vëllimi III. Tiranë. 2009. fq. 2805 si dhe në:United Nations Educational Scientific and Cultural Organization (UNESCO). About us, Introducing UNESCO.

http://en.unesco.org/about-us/introducing-unesco 29.02.2016

[2] Stavri Liko (përgatiti). 5 Tetori, Dita Botërore e Mësuesit. Tribuna Sindikale. Shtator, 2005. Tiranë. fq. 5-6.

Lidhur me Organizatën Ndërkombëtare të Punës ILO shih në: ILO: Origins and  history.  http://www.ilo.org/global/about-the-ilo/history/lang--en/index.htm 29.02.2016

 

[3] Asim Delibašić. Usporedba i tumačenje etičkih načela učiteljskoga i liječničkoga kodeksa. Suvremena Pitanja (časopis za prosvjetu i kulturu) nr. 14. Mostar, 2012. fq. 24

[4] Lidhur me këtë organizim shih më gjërësisht në: Education International: About Education International. http://www.ei-ie.org/en/websections/content_detail/3247 29.02.2016

[5] Teachers' Day,  Wikipedia, the free encyclopedia. Last modified on 28 February 2016. https://en.wikipedia.org/wiki/Teachers%27_Day. 28.02.2016

[6] Education International, Wikipedia The Free Encyclopedia. Last Modified on 26 September 2015 https://en.wikipedia.org/wiki/Education_International 29.02.2016

[7] The ILO/UNESCO Recommendation concerning the Status of Teachers (1966) and the UNESCO Recommendation concerning the Status of Higher-Education Teaching Personnel (1997). United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization and International Labour Organization 2008. http://unesdoc.unesco.org/images/0016/001604/160495e.pdf.  28.02.2016.

[8] Understanding and Using the ILO/UNESCO Recommendation concerning the Status of Teachers (1966) and the UNESCO Recommendation concerning the Status of Higher-Education Teaching Personnel (1997) nga faqe 7 deri në faqe 19,  në burimin e cekur më lartë: The ILO/UNESCO Recommendation concerning the Status of Teachers (1966) and the UNESCO Recommendation concerning the Status of Higher-Education Teaching Personnel (1997). United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization and International Labour Organization 2008. http://unesdoc.unesco.org/images/0016/001604/160495e.pdf.  28.02.2016.

[9] Recommendation concerning the Status of Higher-Education Teaching Personnel. 11 November 1997. http://portal.unesco.org/en/ev.php-URL_ID=13144&URL_DO=DO_TOPIC&URL_SECTION=201.html. 28.02.2016. Shih edhe në: The ILO/UNESCO Recommendation concerning the Status of Teachers (1966) and the UNESCO Recommendation concerning the Status of Higher-Education Teaching Personnel (1997). United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization and International Labour Organization 2008. http://unesdoc.unesco.org/images/0016/001604/160495e.pdf.  28.02.2016.

[10] ILO policy guidelines on the promotion of decent work for early childhood education personnel, Meeting of Experts on Policy Guidelines on the Promotion of Decent Work for Early Childhood Education Personnel, Geneva, 12–15 November 2013/International Labour Office, Sectoral Activities Department, Geneva, ILO, 2013.

 Shih edhe në gjuhën frënge: Directives de l‘OIT sur la promotion du travail décent pour le personnel de l’éducation de la petite enfance, ISBN 978-92-2-228645-4, Geneva, 2014,

Shih edhe në gjuhën spanjolle: Directrices de política de la OIT sobre la promoción del trabajo decente para el personal del sector de la educación de la primera infancia, ISBN 978-92-2-328645-3, Geneva, 2014.

[11] Lidhur me këtë organizatë shih në: ILO: Origins and history.  http://www.ilo.org/global/about-the-ilo/history/lang--en/index.htm 29.02.2016

[12] Lidhur me UNICEF-in shih në: Jashar Rexhepagiq. Çështje fundamentale në pedagogjinë ndërkombëtare. ASHAK. Prishtinë. 2008. fq. 262 pastaj edhe në: UNICEF. Who we are. http://www.unicef.org/about/ 29.02.2016

[13] Lidhur me UNDP shih në: Fjalor Enciklopedik Shqiptar. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Vëllimi III. Tiranë. 2009. fq. 2804 pastaj edhe në: About us.  http://www.undp.org/content/undp/en/home/operations/about_us.html 29.02.2016 

[14] World Teacher`s Day: Empowering teachers, building sustainable societies. 5 October 2015, United Nations Educational Scientific and Cultural Organization (UNESCO). http://www.unesco.org/new/en/unesco/events/prizes-and-celebrations/celebrations/international-days/world-teachersday-2015#.VtWgtn0rJdg. 29.02.2016.

[15]Poruka šefova UNESCO-a, ILO-a, UNICEF-a, UNDP-a i Education International povodom Svjetskog dana učitelja, 5 oktobra 2015. Ujedinjene nacije u Bosni i Hercegovini. http://www.undp.org/content/unct/bosnia_and_herzegovina/bs/home/presscenter/message-from-the-heads-of-unesco--ilo--unicef--undp-and-educatio.html.  27.02.2016. 

Shih edhe në: Joint Message on the occasion of the World Teachers’ Day. Empowering teachers, building sustainable societies, 5 October 2015. http://unesdoc.unesco.org/images/0023/002347/234755e.pdf . 27.02.2016

[16] World Teacher`s Day: Empowering teachers, building sustainable societies. 5 October 2015, United Nations Educational Scientific and Cultural Organization (UNESCO). http://www.unesco.org/new/en/unesco/events/prizes-and-celebrations/celebrations/international-days/world-teachersday-2015#.VtWgtn0rJdg. 29.02.2016. 

Kthehu mbrapa

Shto koment