I përmalluar për klasiken (tregim)

31.01.2014 (komentet: 0)

Fjalët që ia thoshte djaloshi shtatlartë, vajzës me kapelë dimri, të cilës iu kishte vënë pas, e prapa të cilëve rastisja të ecja dhe unë, më dhanë një drithërimë emocioni të fuqishëm, sa që e tërhoqi, si me magnet, vëmendjen time karshi këtij qifti dhe më bëri të nxjerrë nga goja shprehjen  “Oh, klasikë!”, në formë ofshame.

Çudi, sa mall ndjeva në atë moment. E mendja me shpejtësinë që di dhe mundet veç ajo, më ktheu për shumë vite në të kaluarën.  Sërish pëshpërita fjalën “Klasikë!”

Ndonëse, nuk e njihja as djaloshin e as vajzën që kisha para, u cyta nga uni, për të luajtur rolin e një spiuni, si të isha pjesë e ndonjë shërbimi sekret.  

- Nostalgji se jo mahi, - thash pa zë dhe duke i ngreh jakat e palltos përpjetë, iu lëshova qiftit pas, por me kujdesin e një detektivi, për të mos e tërhequr vëmendjen e tyre.

Veshët i kisha shndërrua në mini-mikrofon special pasi doja të kapja jo vetëm fjalët, por edhe frymëmarrjen e tyre. Nuk e keni idenë! Thuheshin fjalë si të ishin pjesë e një skenari të shkruar nga dora e një skenaristi me nam.  Nuk më kishte shkuar mendja asnjëherë më parë të bëjë krahasimin me të tashmen, por tani e vëreja se janë gjëra që ta trazuakan shpirtin.

Një kërkesë e thjeshtë e djaloshit që vajza të ndalej sepse donte t’i shprehej, si dhe lutjet e këndshme të vajzës që ai të largohej dhe të mos insistonte sepse nuk e ka ndërmend  t’i ndalej, do të thoshit janë fjalë të thjeshta, por se në fakt, ndjehej se në to fshihej një filozofi më e thellë. Fuqia e atyre fjalëve, vihej në pah për mua, tek tani, kur nga ky prizëm bëja krahasimi me mënyrën e të sotmes, e të shprehurit të interesimit për një simpati.

Ndonëse në këtë skenë luhej loja e refuzimit, rrezatonte aq fortë dashuri, sa nuk do ta krahasoja me raste të tanishme, ku nuk mungojnë as lidhjet e krijuara pas një komunikimi fare të thjeshtë në rrjete sociale. Përnjëherë më shkoi mendja tek Soni. Zura ta shtjelloja në kokën time këtë rast konkret të së sotmes,  gjithnjë duke e ndërlidhur me ngjarjen që ndodhte para meje, që më kishte pushtuar të tërin.

***

Më kishte mjaftuar një komentim i shkurtë në një fotografi që kishte nxjerrë në profilin e saj në facebook, ndonëse edhe atë e kisha shkruar me hezitim dhe të them të drejtën pritja reagim të ashpër. Por, ngacmimi im se ajo kishte gjoksin perfekt dhe se dukej “hot” me ato dy “bomba” në vete, çuditërisht kishte reflektuar përgjigjen: “Faleminderit në kompliment. Qenke i pashëm edhe ti!”.

Kjo i hapi rrugë pastaj ngacmimeve të tjera të kësaj natyre. E pas pak ditësh, niveli i komunikimit, mes meje e Sonit, kishte kaluar në atë fazë sa që debatonim e komentonim lirshëm për tema të përgjithshme, si ajo se qysh në Kosovë akoma nuk po shko asgjë mbarë dhe si shembull merrnim hotelin ku kishim qenë, e i cili ndonëse thirrej në tre yje, paramendoni, kishte mungesë të ujit të ngrohtë, ndërsa shtretërit të jepnin idenë se kur janë blerë nuk është menduar komoditeti  që do t’i duhej një biznesi të tillë hotelier, por thjeshtë  të krijonin përshtypje se determinues kishte qenë çmimi më i lirë. Kishte edhe plotë të meta tjera hoteli në fjalë, e që nuk e arsyetonte assesi faktin e tre yjeve, që edhe ashtu, njëri nga ta, as nuk ndriçonte bile, si rrjedhojë e neonit të shkundur.

***

Përpjekjet e djaloshit këmbëngulës për ta ndalur femrën, të cilën shihej se e dëshironte fortë, vazhdonin akoma. Fjalët që ia thoshte me këtë rast, më bënim të mendoja se mos vallë po klonohet e njëjta ngjarje, por në një dimension tjetër, pasi më duket se kopjohej komplet rasti im, e po ashtu edhe vajza ishte në elementin e saj dhe refuzimi që bënte, krijonte dramën. Ndërsa, fjollat e borës që binin lehtas, por pandërprerë , vinin si rekuizita të domosdoshme të një skenografie perfekte për një shfaqje të tillë që luhej para meje, e të cilës mund t’i atribuoheshin vetëm vlerësime më pozitive nga kritika.

 

Sjellja ime prej një detektivi përfundoi, kur mori fund edhe rezistenca e vajzës që tani moti i ftohtë ia ishte skuqur dhe hundën, por që e kishte bërë disa herë më simpatike.  Hyrja e qiftit në  një caffe bar, i lëshojë perdet e kësaj performance , e mua nuk më mbeti gjë tjetër veçse t’i duartrokisja dhe t’i kthehesha kujtimeve të mia të para 20 viteve.

Ti kujtoja, asokohe:  ritualin e njëjtë të ndaljes, refuzimit, pastaj bindjen, për të kaluar me ato që ndodhnin në ëmbëltore,  bashkëbisedat, limonadat, mbajtjen e çantës së saj, shoqërimi deri në shtëpi, ku bëhej edhe akti kulminant, vidhej mjeshtërisht një puthje e lehtë që rrëshqiste faqes së saj, por që kishte peshën që e ndjeje në çdo pore, deri në shoqërimin e radhës, ku përforcohej puthja e kaluar me të renë.

E, një puthje të tillë, tani kur e mendojë, nuk do ta ndërroja assesi,  as edhe për disa net bashkë, me ndonjë profil gjoks shpërthyes, në dhomat e moteleve me tre yje, edhe po që se të tillave nuk do t’iu  mungonte uji i ngrohtë e as shtrati komod. Malli për klasiken më mundi!

 

/Muhamet HALILI/

Kthehu mbrapa

Shto koment