I njëzetetreti! (tregim)

13.11.2014 (komentet: 0)

Muhamet HALILI

Dielli përcëllues sikur përcillte porosinë tek të gjithë qytetarët se beteja me të, e kujtdo qoftë, në një arenë të hapur, ishte e destinuar në humbje akoma pa filluar.

Andaj, nëse nuk e kishin patjetër, më mirë të qëndronin në shtëpi, apo të kërkohej ndonjë vend i freskët, pishinë, kafene, apo edhe parku i qytetit, hijet e atyre drunjve të paktë në të, sesa t’i ekspozoheshin kësaj vape. Temperaturës së lartë u duhej shmangur veçmas mosha e shtyrë pasi imuniteti i tyre i dobët mund të bënte që ata ta qonin fare lehtë flamurin e bardhë karshi rrezeve pingule të diellit, që veç kishte arrit zenitin. Si për inat, dhjetëra burra e gra, të një moshe më të shtyrë, ia kishin “zënë derën” një filiale banke, duke iu ekspozuar hapur të nxehtit të një dite tipike verore, në këtë muaj të grunajës. Turma e krijuar nga ta, kishte bllokuar dhe trotuarin dhe dukej si një masë protestuese. Por, kalimtarë të tjerë ishin mësuar me këtë pamje që ishte bërë rregull që shihej së paku dy herë në muaj, kur shpërndaheshin pensionet dhe ndihmat sociale. Para turmës qëndronte një roje, punonjës banke, me çehre kanuni, që mundohej t’i disiplinonte pleqtë, ngase, sipas tij, ishin tejet të padurueshëm dhe nuk mbanin dot rendin. Ishte data njëzetetre, kur në kontot e tyre dilnin pensionet. Askush nuk e kishte durimin për të lënë një ditë tjetër të vizitonte bankën dhe të tërhiqte djersën e dikurshme, ndonëse nuk ishte edhe ndonjë shpagim. Por, më mirë pak se hiq, ishte ngushëllimi që ia bënin vetes këta të gjorë, që në kalendarët e tyre, datën njëzetetre të çdo muaji e kishin shenjëzuar në atë mënyrë, sa për t’u rënë përherë në sy, që assesi të mos harrojnë se pikërisht në këtë datë duhet vizituar bankën. E, një loke trupshkurtër, thatanike dhe paksa e kërrusur, që dukej se pritja me orë të tëra, në një mot të tillë, e kishte mposhtur, ishte ulur galuc mes turmës. Me bërryla në gjunjë, e me duar që kishin përthekuar kokën, mundohej t’i jepte vetes gajret. Herë-herë, nxirrte një mindil nga xhepi e i fshinte djersët, deri sa nga xhepi tjetër nxirrte një shishe xhami të koka kollës, të mbushur me ujë, për të quar ndonjë gllënjkë, sa për të mos ju tharë fyti! Ndërsa, nuk harronte asnjëherë të pyeste për radhën. Për punëtorët e bankës ishte ditë e zakonshme pune. Kishin orarin e tyre që duhet mbajtur dhe vazhdonin me rutinë si edhe ditëve të tjera, derisa atyre jashtë nuk u pritej. Ishte një situatë e bezdisshme që ngarkohej edhe më, nga zhurma e padurueshme e automjeteve, disa prej të cilëve, në përpjekje për t’iu liruar rruga, ngase dukej se u ngutej, u dëgjohej buria pa nevojë. Për një çast, masa u trazua! Nuk kishte të bënte me respektim radhësh, apo ndonjë pakënaqësi në raport me bankën. Dikush ishte alivanosur! U dëgjuan thirrjet për ndihmë. Dikush kërkoi sa më shumë hapësirë për të alivanosurën, e dikush lypi edhe ujë për ta këndellë atë. Ishte kjo lokja thatanike, që nuk qëndronte më galuc! Kishte rënë përtokë.  Shihej se ishte plakë e pastër, një zonjë e kujdesshme, pasi edhe pozitën e trupit, në tokën e pluhurosur, e kishte në atë mënyrë sikur kur shtrihej kujdesshëm në shtrat, pa dashtë të rrudhos jorganin, mbulesën a jastëkun! Tani më, në mesin e turmës u panë edhe të tjerë që nuk ishin pensionistë, në përpjekje për të ndihmuar, e dikush e ndali edhe një veturë civile, e cila e mori loken për t’u nisur me të shpejtë në drejtim të emergjencës. Radha para bankës u krijua sërish. Tani përveç që pritnin lejen e rojës për të hyrë brenda, nga dy e tre, pritnin edhe ndonjë lajm nga Spitali. Sakaq, njëri nga ata që kishte shkuar me loken në emergjencë erdhi sërish para bankës. Porsa e panë, të gjithë përmes shikimit sikur shprehën interesimin për të mësuar për gjendjen e saj, pa pas nevojë t’ia parashtronin pyetjen. Edhe përgjigjja u erdhi me mimikë. Fatkeqësisht mohimi përmes kokës, e pastaj edhe ulja e shikimit përdhe, ishin tregues të qartë se lokja nuk ia doli! E, nga goja e atij që kishte qenë me të, dolën si puhizë e lehtë fjalët, “Lokja foli pak. Krejt çfarë tha ishin fjalët se i duhej ai dreq pensioni, pasi nipi i saj e kishte datëlindjen sot!”. Shumica u mallëngjyen! Dikujt i piku dhe loti, pavarësisht se nuk njiheshin me loken. Tërë kjo vapë paralajmëronte se edhe qielli do të pikonte lot! Pasdite, mund të pritej shi. Natyrisht, një shi veror, që pastaj për pak kohë, nuk do të merrej fare vesh që kishte rënë. Jeta rutinë do të vazhdonte tutje, e i njëzetetreti i muajit të ardhshëm do të vinte edhe pa loken plakë!...

 

Kthehu mbrapa

Shto koment