Historianët pro dhe kundër “Hasan Prishtinës”

01.10.2012 (komentet: 0)

Emërtimi i UP-së “Hasan Prishtina” ka nxitur debate e dilema mes historianëve nëse një vendim i tillë është i drejtë apo jo. Derisa historianët si Jakup Krasniqi e Jusuf Buxhovi thonë se emërtimi i UP-së më këtë emër është një korrigjim i historisë ndaj padrejtësisë që i është bërë figurës së Hasan Prishtinës, disa të tjerë thonë se Universiteti i Prishtinës e ka historinë e vet, pa paragjykuar për personalitetet tj

 

Tashmë Bordi drejtues i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që Universiteti i Prishtinës tash e tutje të quhet Universiteti “Hasan Prishtina”. Vendimi i Bordit është marrë me propozim të Senatit të UP-së. 

Mirëpo, ky emërtim ka ngjallur debate mes historianësh. Më të “vjetrit” mendojnë së të paktën kështu do të korrigjohej një qëndrim i padrejtë ndaj figurës së Hasan Prishtinës. Sipas tyre, emërimi i UP-së me atë emër është vlerësim i gjithë brezit të pavarësisë së Shqipërisë në këtë jubile të madh të kombit. Ndryshe mendojnë historianët më të “rinj”.

Sipas tyre, emërtimi i Universitetit të Prishtinas përmban në vete sakrificën e gjeneratave të gjithë Kosovës dhe, si i tillë, nuk duhet të identifikohet me asnjë lloj individualizimi, pa paragjykuar se çfarë figure historike është ajo, shkruan Lajm. 

Historiani Bujar Dugolli, i cili ishte në ballë të demonstratave që organizoheshin nga UP-ja gjatë viteve 90-ta, si kundërvënie ndaj masave të dhunshme të regjimit serb, thotë se UP-ja tashmë ka identitetin dhe historinë e vet, dhe, si të tillë, të paprekshëm. 

Sipas tij, edhe nëse duhet të ndërrohet emri i UP-së, kjo duhet të bëhet nga instanca të jetës akademike nëpërmjet debatit të hapur. “Për çështje të tilla madhore duhet të hapet një debat në jetën akademike sepse Universiteti i Prishtinës ka historinë e vet, më shumë se çdo personalitet tjetër, pa e mohuar rëndësinë dhe kontributin e figurave kombëtare. 

“Mendoj që UP-ja gjatë kësaj kohe të ekzistimit ka ndërtuar një histori mjaft të rëndësishme për Kosovën, por edhe për shqiptarët dhe emri që ka, sipas meje, duhet të mbetet si i tillë. Universiteti i Prishtinës është njohur ndërkombëtarisht dhe varësisht nismave, konsideroj që nuk janë organet universitare që i ndërrojnë emrat apo që vendosin emra ndryshe. Themeluesi i UP-së është Kuvendi i Kosovës dhe vetëm ai mund të sjellë vendime të tilla”, thotë profesori i Historisë në UP, Bujar Dugolli. 

Mirëpo, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili është edhe doktor i Historisë, ka vlerësuar lart vënien e emrit të heroit dhe politikanit “Hasan Prishtina”  Universitetit të Prishtinës me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Kthehu mbrapa

Shto koment