Historia e Gjilanit e përmbledhur në një libër

04.10.2015 (komentet: 0)

 

Botim serioz, i veçantë dhe i shkruar me shumë besnikëri, puna e autorit Aliriza Selmani është kolosale, nëpërmjet të të cilës ai ndriçon objekte e monumente, është i thellë në shpjegimin e fenomeneve dhe nuk është vetëm një përshkrues i thjeshtë, por bënë krahasime të thella e të thuktë dhe ndriçon të kaluarën e Gjilanit me rrethinë, ka thënë prof. Dr. Daut Bislimi.

 

 

Abetare për historinë e Gjilanit, kështu është vlerësuar libri “Gjilani me rrethinë prej themelimit deri në gjysmën e parë të shekullit XX”, i autorit  Aliriza Selmani, i cili është promovuar këtë të shtunë në ndërtesën e Teatrit të Qytetit në Gjilan i mbeshtetur dhe financuar nga kryetari i Komunes, Lutfi Haziri.

Me kete rast, Valentina Bunjaku - Rexhepi, kryesuese e Asamblesë Komunale, ne emer te kryetarit Haziri, ka thënë se duke ditur vlerat që ka ky libër, komuna e ka përkrahur botimin e tij, ndersa per studentet eshte material me rendesi gjate studimeve te tyre. Ajo  ka thënë se ky libër mbush një boshllëk në historinë e Gjilanit. Ajo këtë libër e ka cilësuar botim serioz, të veçantë dhe të shkruar me shumë besnikëri, kurse punën e autorit e ka cilësuar kolosale.

Kurse, Daut Bislimi, recenzent i librit ka thene se  nëpërmjet ketij ndriçohen objekte e monumente, është i thellë në shpjegimin e fenomeneve dhe nuk është vetëm një përshkrues i thjeshtë, por bënë krahasime të thella e të thuktë dhe ndriçon të kaluarën e Gjilanit me rrethinë.

“Aliriza Selmani  bëri një vepër të afërt, të duhur e të mirëpritur. Një botim serioz dhe i pari i tillë me këso përmbajtje”, ka thënë Daut Bislimi.

Adem Murati, ka folur për biografinë e autorit, për të cilin tha se gjithmonë në punimet dhe veprat e tija ka pasur një qëndrim të drejtë sa i përket çështjes shqiptare. Për Gjilanin dhe të kaluarën e tij foli edhe Enver Gjinolli, njëri nga pinjollët e familjes Gjinolli, që konsiderohen si themelues të Gjilanit. Ai foli për Konakun e dikurshëm të Gjinollëve që nuk është më, sikurse edhe për shumë monumente që tashti i mungojnë Gjilanit.

Vetë autori Aliriza Selmani, ka theksuar se njeriu gjithmonë i ka borxh vendlindjes së tij, andaj kjo ka qenë arsyeja që i është rrekur punës për të shkruar një libër që flet për të kaluarën e Gjilanit dhe në hartimin e tij është bazuar në intervistat që ka bërë me njerëz në vitet tetëdhjeta, në dokumentet e shumta dhe në bibliografinë e bollshme.

Autori është mbështetur në hulumtimet arkeologjike të bëra, por edhe në dokumentet dhe sidomos në defterët osmane, ku ka të dhëna për popullsinë dhe jetën që zhvillohej në Gjilan e rrethinë. Sipas tij, Gjilani si qytet (kasaba) është themeluar në gjysmën e dytë të shekullit XVIII nga familja feudale e Gjinollëve. Ai flet edhe se si Gjilani me kohë u bë një qendër zejtare, bujqësore e blegtorale, për t’u shndërruar më pas në një nga qendrat kryesore të Kosovës me një rëndësi strategjike, ekonomike e politike, gjë të cilën e përmendin edhe shumë misionarë diplomatikë, udhëpërshkrues e shkencëtar të kohës., që lanë shënime për këtë qytet. Autori trajton edhe aspektin gjeografik, administrativ, onomastik dhe aspekte të tjera, duke përshkuar tërë historinë nëpër të cilën kaloi ky qytet, i cili në fund të shekullit XIX kishte një hapësirë të gjerë me mbi 200 fshatra dhe ku kryqëzoheshin rrugë të rëndësishme me karakter ekonomik dhe strategjik e ushtarak. Ai flet edhe për zhvillimin e tregtisë e zejtarisë, veprimtarinë ekonomike, zhvillimin urban, atë kulturor, arkitekturën e shtëpive, objekteve të kultit, haneve, të objekteve, të infrastrukturës rrugore, të rrugëve të shtruara me kalldrëm dhe të infrastrukturës tjetër, e cila tashti i mungon këtij qytetit. Autori flet edhe për arsimin , për shkollat e dikurshme, për Gjilanin në periudha të ndryshme, për atë se si dukej në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë dhe pas Revolucionit Xhonturk, për kohën kur u shtrua çështja e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, gjatë kohës së luftërave për çlirim e për këtë territor deri në gjysmën e parë të shekullit XX.

 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment