Haziri: Libri “Kosova” i Jusuf Buxhovit ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm përtej kufijve shqiptarë

17.11.2015 (komentet: 0)

 Në Gjilan sot është bërë promovimi i librit “Kosova” në pesë vëllime të historianit Jusuf Buxhovi, libër i cili përmbledh historinë e Kosovës që nga pellazgët e deri në vitin 1999, duke u ndarë në periudhën antike, mesjetën, periudhën e Perandorisë Osmane, periudhën 1912 deri 1945 dhe periudhën ’45 – ’99.


Të pranishëm në këtë promovim ishin kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ai i Preshevës, Ragmi Mustafa, kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku – Rexhepi, përfaqësues të shtëpive botuese “Faik Konica”, Nazmi Rrahmani, shtëpisë botuese “Jalifat Publisher”, Ramiz Tafilaj, pastaj historian, profesor, shkrimtarë dhe të pranishëm të shumtë.

Përmbledhja e historisë shqiptare “Kosova”, në tri vëllimet e para tashmë është përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe është në bibliotekat më të mëdha botërore që nga Japonia e deri në Amerikë.

Me këtë rast kryetari Haziri ka thënë se Jusuf Buxhovi është publicist, shkrimtar, politikan dhe historian që ka lënë gjurmë me botimet e tij duke zgjuar interesin tonë shqiptarë dhe më gjerë.

“Gjilani sot është i nderuar sinçerisht për shkak të kësaj ngjarjeje dhe promovimit. Jo rastësisht jemi së bashku Gjilani dhe Presheva, që janë simbolikë e Kosovës, e një Kosove që ka nevojë të shërohet dhe plotësohet ende. Sot prezenca dhe ky vëllim i librit na plotëson dhe na zgjon interes të gjithë neve. Kemi të bëjmë me publicistin, shkrimtarin, politikanin dhe profesionistit të fushës së historisë, i cili me botimet e tij ka lënë gjurmë duke zgjuar interesin dhe kurreshtjen jo vetëm të shqiptarëve por edhe më gjerë”, tha kryetari Haziri duke uruar që secila familje të ketë një komplet të tillë.

Ndërsa, në emër të botuesit ka folur Ramiz Tafilaj, i cili ka thënë se ky libër pos në trevat shqiptare, një interesim shumë të gjerë edhe në botën përtej atlantikut.

“Ky botim ka ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm gjithandej. Është prezantuar edhe në qendrën më të madhe ushtarake ku është pritur jashtëzakonisht mirë. Ne tashmë kemi se çka të prezantojmë para botës dhe kjo është falë përqëndrimit të autorit Jusuf Buxhovi”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Ramadan Musliu, redaktor i librit, në mënyrë analitike ka elaboruar shkurtimisht përmbajtjen që ka ky libër, duke potencuar prejardhjen shqiptare që nga antikiteti, lidhjen me pellazgët, elaborimin e periudhës së mesjetës, periudhën osmane, periudhën 1912 – 1945 pastaj periudhën deri në vitin ’99, duke potencuar faktografinë dhe personalitetet me rëndësi që autori ka spikatur e të cilët janë me prejardhje pikërisht nga vija iliro – dardane.

Ndërsa, Faton Bislimi, ka folur për jehonën e librit pas përkthimit nga shtëpia botuese “Jalifat Publisher” në bashkëpunim edhe të studentëve të shumtë shqiptarë në botën perëndimore që mundëson një prezantim më të lehtë dhe kualitativ të shqiptarëve.
Ndërsa, Jusuf Buxhovi, ka thënë se promovimi në Gjilan lidhet për disa personalitete siç është Beqir Musliu, i cili është referencë e fuqishme e letërsisë shqipe, që me vargjet e tij ktheu letërsinë kah vlerët modern dhe postmoderne.

“Ishte ai që për herë të parë ia doli që një mentalitet – botë tonën ta ngris në nivelin e metaforave dhe sot letërsia jonë mund të përfaqësohet kudo me punën profesionale të Beqir Musliut. Jam në Gjilan me një libër të historiografisë, që lidhet me një personalitet jo vetëm të kësaj ane, por, të historisë në përgjithësi, fjala është për personalitetin me vlera të larta, Mulla Idriz Gjilanin”, tha ai.

“Mulla Idriz Gjilani, paraqet personalitetin më të rëndësishëm, të lëvizjes anti – fashiste, anti – slave dhe anti – komuniste në këtë hapësirë. Kjo lëvizje ishte e para në Europë kundër komunizmit, e bashkë me të edhe kundër okupimit të tokave shqiptare nga forcat sllavo – komuniste. Pastaj familja e Gjinollëve e cila është familje themeluese e Gjilani, familje fisnike e cila do të duhej të gjindej një lidhje me familjen e Dukagjinëve”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Ai ka thënë se në mesjetë shqiptarët nuk janë vetëm në aspektin e përfaqësimit kishtarë siç është mësuar e pretendohet edhe më tutje, por, janë prezent edhe në formën shoqërore dhe politike.

“Pastaj periudha e Perandorisë Osmane, dhe periudha të tjera deri në vitin ’99, që janë pjesë e rëndësishme e historisë sonë jam munduar që me kujdes t’i radhis për lexuesit duke potencuar si shumë të shpejta për kah zhvillimi dy vëllimet e fundit”, ka theksuar Buxhovi.

Buxhovi poashtu ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe formimi defakto dhe de juro i shtetit të Kosovës, është një fuqi për popullin shqiptar në përgjithësi dhe shtetin e Shqipërisë, duke shtuar se do të duhej angazhim shumë i madh në forcimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Nga antikiteti, Dardania – Kosova, është qendra e shqiptarëve që është argumentuar e studiuar nga autor të niveleve të larta botërore”, ka përfunduar historian Jufuf Buxhovi.

Kthehu mbrapa

Shto koment