Halimi: Monografia vepër madhore për Gjilanin

15.10.2012 (komentet: 0)

Gjilan – Monografia është e shkruar me kompetencë e saktësi dhe është vepër madhore për qytetin e Gjilanit meqë i mungonte letërnjoftimi historik tha Mehmet Halimi kryetar i këshillit botues të Monografisë. “Monografia Gjilani me rrethinë” është diskutuar e debatuar edhe nga qytetarët, shoqëria civile, ekspertë të fushave të ndryshme, në një diskutim publik që është mbajtur në teatrin e qytetit në mes të këshillit redaktues-botues dhe publikut.

Kryetari i Komunës Qemajl Mustafa pasi ka përgëzuar anëtarët e këshillit botues për një punë të mirë tha se edhe debati me publikun është aspekt procedural dhe ligjor. Mustafa tha se është e pamundur që një monografi të ketë të gjitha elementet, por ende ka kohë që të intervenohet dhe aty ku ka argumente bindëse do të përmirësohen.


Mustafa tha se jemi zvarritur pakëz me kohën, por edhe pse është një investim i vogël material, megjithatë është investim moral i madh. Sipas Mustafës për monografinë janë shpenzuar 25 mijë euro ndërsa deri në botimin e saj mund të shpenzohen edhe 15 mijë euro. Mustafa tha se me ardhjen në pushtet të PDK-së është marrë si prioritet botimi i monografisë sepse ne nuk kishim çka të prezantonim para delegacioneve të huaja.

Kurse Mehmet Halimi kryetar i këshillit botues tha se monografia është një vepër madhore për Gjilanin sepse ajo hulumton të gjitha poret e jetës. “Gjilani pa monografi është sikur të jetë pa emër e tani ky qytet e ka letërnjoftimin e vet historik” tha ai. Halimi tha se monografia është shkruar me kompetencë dhe saktësi kurse hartues i projektit të saj ishte Sabri Tahiri, derisa e tërë puna është kryer përmes 6 redaksive dhe shumë autorëve, bashkëpunëtorëve dhe ekspertëve të lëmive të ndryshme.

Basri Musmurati zëvendësministër i pushteti lokal ka përgëzuar komunën e Gjilanit për botimin e kësaj monografie. Musmurati ka dhënë sugjerime tek mungesa e fusnotave, tek dëmet e luftës të cilat mungojnë dhe tek pjesa e luftës së UCK-së.

Tefik Basha anëtar i këshillit botues tha se monografia nuk është mirë të politizohet. “Ne jemi munduar të bëjmë një monografi objektive për Gjilanin, por nuk do të thotë se s`ka vend për përmirësime të reja”.

Kurse Sadudin Berisha ka dhënë vërejtje për periudhën e viteve 1989-1999. Sipas tij kjo periudhë nuk është trajtuar drejtë.”Ka ekzistuar organizimi politik në këtë periudhë dhe ne kemi argumente e dosje origjinale që dëshmojnë për angazhimin dhe punën e mirë që është bërë në atë kohë nga LDK-ja si lëvizje dhe nëse nuk përfshihet kjo kohë vërtet do të mbetet e mangët monografia” tha Berisha.

Vërejtje në pjesën e kulturës ka dhënë edhe Avni Rudaku, derisa sugjerime e propozime kanë dhënë edhe Shaban Terziu, Xhelil Neziri. Ndryshe para publikut në emër të redaksisë së monografisë janë paraqitur Mehmet Halimi, Fehmi Rexhepi, Sabri Tahiri, Tefik Basha, Refik Kryeziu, dhe Aliriza Selmani ./rajonipress/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment