HALILI KONSOLIDON MËTEJ MËNYRËN E TË RRËFYERIT

07.12.2015 (komentet: 0)

Vepra të reja

Doli nga shtypi libri  “Djersa e Gurit” – Muhamet HALILI

 

Muhamet HALILI i njohur më shumë për publikun si gazetar, vazhdon tutje hapërimin e tij në fushën e letërsisë dhe atë, krejt natyrshëm, përmes prozës, përkatësisht tregimit, duke sjellë vlera të reja në letërsinë shqipe. Derisa vitin e kaluar nxori në dritë përmbledhjen e parë me tregime “Fundi i heshtjes”, edituar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, e cila u prit mjaft mirë si nga lexuesi, ashtu edhe nga kritika, këtë vit, përmes të njëjtit botues, na vjen me përmbledhjen e dytë me tregime, “Djersa e gurit”.

Sabit Rrustemi - redaktor, thotë se Libri “Djersa e gurit”, është i koncipuar përmes tri cikleve , brenda të cilave gjejnë hapësirë 22 tregime apo thënë më drejtë 22 tablo të përditshmërisë sonë, Halili konsolidon më tej mënyrën e të rrëfyerit, duke shtjelluar tema të nduarduarta me një gjuhë të qartë e të pasur fjalësh po edhe ngjarjesh. Njëkohësisht, përmes personazheve të kësaj kohe, ai intrigon po edhe përvetëson lexuesin me lehtësinë e të rrëfyerit si dhe me dramacitetin që ngërthen në vete, secili tregim, saqë ai e ka të vështirë për  t’iu shkëputur librit derisa t’ia prekë fundin.

Publicisti dhe krijuesi i njohur gjilanas, Hasan Bunjaku, si njëri nga lexuesit dhe vlerësuesit e parë të këtij libri, thotë se Muhamet Halili me mjeshtri i shmanget ndikimit “deformimi profesional” prej gazetari duke përdorur një gjuhë pa shumë stilema, por të afërt me lexuesin. Në anën tjetër, po sipas Bunjakut, autori nuk iu shmanget leksemave, tog-fjalëve e frazeologjive vendore , duke i lënë me qëllim rrëfimet e papërmbyllura, për t’ia mundësuar e lejuar imagjinatës së vetë lexuesit, të cilin ai nuk e do vetëm si shijues pasiv, por si subjekt aktiv, si personazh po edhe si “autor” të vetë rrëfimeve, të cilat si zhanër akoma janë mjaft deficitar në letërsinë tonë.

Edhe recensentja tjetër e librit, Naxhije Gashani shprehet se në tregimet e Muhamet Halilit, lexuesi sheh realitetin aktual, rrugët e fatit të heronjve, që lëvizin brenda hapësirave shqiptare të ngarkuar me hallet e përditshme, me dëshirat, ëndrrat e të gjitha këto të jetuara kufijve të traditave e dokeve tona zakonore (disa prej të cilave në rrugën e shprishjes së tyre). Kjo mënyrë e të rrëfyerit, sipas Naxhije Gashanit, më lehtë përceptohet dhe akceptohet nga vetvetja si dhe lexuesi.

Mjeshtëria në ndërthurjen e temave, në portretizimin e personazheve, dhe ideja letrare e fshehur fabulës së tregimeve, është argumenti më real që shpërfaq para lexuesit një autor me një afinitet të stërholluar narrativ, i cili zbret qetas në fushën e prozës shqipe, shprehet Gashani.

Përndryshe, Muhamet Halili u lind në Gjilan ku edhe jeton e punon. Në fushën e publicistikës ka hyrë përmes enigmatikës, si anëtar i redaksisë së revistës “Thes-ari”, për të vazhduar më pas si gazetar në dyjavoren “Bashkimi” (1998 – 1999). Në vitet 2000-2005 ishte pjesë e stafit redaktues në Radio-Gjilan, paralelisht edhe gazetar i Agjencisë së Lajmeve Kosovapress (2000–2010). Ndërsa nga viti 2010 është themelues dhe drejton Portalin e Lajmeve Rajonale 2LONLINE.com, që në fokus ka komunat e pjesës lindore të Kosovës./kokaj.net/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment