GJUHA E MEDIAVE DHE DISA SHKARJE KUPTIMORE

25.02.2012 (komentet: 0)

Të gjitha ngjarjet që ndodhin në vend a në botë, si dhe të gjitha aktivitetet e tjera nga fusha e kulturës, shkencës, sportit etj. transmetohen te lexuesi apo dëgjuesi kryesisht nëpërmes gjuhës. Së këndejmi pra, kur jemi te gjuha, mund të bëhet pyetja, sa jemi kritik për atë se si po e flasim, apo po e shkruajmë atë?

Sami ISLAMI

Njëra nga fushat  që, gjithsesi, ndikon në ndërgjegjësimin gjuhësor të profileve të ndryshme shoqërore,  padyshim janë mediat. Me media secili nga ne është  në kontakt gjatë gjithë ditës; si me ato të  shkruara, gazetat ditore ose periodike, revistat , poashtu edhe me mediat elektronike, televizioni, radioja, interneti etj. Të gjitha ngjarjet që ndodhin në vend a në botë, si dhe  të gjitha aktivitetet e tjera nga fusha e kulturës, shkencës, sportit etj. transmetohen te lexuesi apo dëgjuesi  kryesisht nëpërmes gjuhës. Së këndejmi pra, kur jemi te gjuha,  mund të bëhet pyetja, sa jemi kritik për atë se si po e  flasim, apo po e shkruajmë atë? Kjo çështje në rend të parë i vë në përgjegjësi njerëzit që direkt apo indirekt merren me gjuhë. Nuk mjafon që me gjuhë të merren vetëm gjuhëtarët, siç ndoshta mund të mendojë ndokush. Gjuha është e të gjithëve, apo jo?

 Duke e pasur  parasysh, mungesën e një ndërgjegjësimi jo të mjaftueshëm gjuhësor të kësaj kategorie intelektualësh, gabime të tilla në mediat tona,  po dalin për ditë e më shumë. Kësaj radhe, mendoj, se ia vlen të preken vetëm disa probleme të kësaj natyre. Të shkojmë me radhë!

Shpesh na ka rënë t’i dëgjojmë, apo t’i shohim të shkruara konstruktet, si: Një qift bashkëshortor e adaptoi një fëmijë. Në jetimore presin për t’u adaptuar edhe shumë fëmijë të tjerë etj. A e dijnë ata ( në rend të parë gazetarët, por edhe të tjerët, si lektorët,  redaktorët etj.) domethënien  e kësaj fjale? A konsultohet mjaft fjalori  (edhe pse edhe për Fjalorin e Gjuhës Shqipe ka çfarë të thuhet, sigurisht edhe  për mungesat e tij)? Megjithatë le të shohim se ç’thotë ai?

Fjalori i Gjuhës Shqipe, Tiranë, 2006, f. 26 jep këtë shpjegim: ADAPT/OJ, kal. -OVA, -UAR , përdorim librar PËRSHTAT. Pra,  përshtat një dhomë për ta bërë klasë, ose përshtat një tekst për një nivel arsimi të caktuar etj. etj.

  Nga kjo del qartë se fjala që do të  duhej të përdorej për të shprehur  kuptimin që e përmendëm më lart nuk është ADAPTOJ, por është  ADOPTOJ. Nga lat. ADOPTARE që do të thotë “ marr një fëmijë të huaj dhe e bëj si timin” (në lidhje me këtë shih: B. Klaiq, Fjalor i Madh i Fjalëve dhe i Shprehjeve të Huaja,  Zagreb 1974, f.14).  Së këndejmi shembujt që i morëm në shqyrtim do të duhej të dilnin  kështu:  Një qift bashkëshortor adoptoi  një fëmijë.  Dhe : Në jetimore presin për t’u adoptuar edhe shumë fëmijë të tjerë, por jo:  “Në jetimore presin për t’u adaptuar edhe shumë fëmijë të tjerë” etj.

Nuk janë raste të rralla kur mund të haset në përdorim të gabuar edhe  fjala BIRËSOJ (folje),  BIRËSIM (emër), I, E BIRËSUAR (mbiemër),  në kuptimin e adoptimit. Po këtu është një problem tjetër,  se fjala (folja)  BIRËSOJ po përdoret gabimisht edhe atëherë kur ka të bëjë me fëmijën e gjinisë femërore. Dihet se fjala BIRËSOJ vjen nga fjala  BIR ( i biri) që normalisht  i referohet një fëmije të gjinisë mashkullore. Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe , 2002, fjala BIRËSOJ  përdoret edhe  kur është fjala për adoptimin si të një djali, poashtu edhe  apo të një vajze! P.sh. Një qift e birësoi një djalë, por edhe Një qift e birësoi një vajzë! Pra nëse “birësoj” përdoret kur adoptohet një femijë i gjinisë mashkullore, kur kemi të bëjmë me fëmijë të gjinisë femërore duhet të përdoret fjala “bijësoj” (pra nga “bijë”). Së këndejmi mund të konstatohet se konstrukti i drejtë do të duhej të ishte “Qifti e BIJËSOI një vajzë. Por jo…” e BIRËSOI një vajzë!”. Fjalën BIJËSOJ do ta gjejmë në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (botim i vitit 2006, f.91), por jo edhe në botimet e më hershme. Në fjalor gjejmë këtë shpjegim: Bijësoj, e bëj bijë në shpirt , bijoj.

Një çështje tjetër që, ndoshta,  vlen të shqyrtohet këtu është edhe ngatërrimi kuptimor (semantik)  i fjalëve “dëshmor” dhe “martir” ( nga greqishtja “martyros” flijues, dëshmor etj. , B Klaiq, f.815) . Duke mos e ditur, ndoshta,  se këto dy fjalë janë sinonime , shpesh  ngatërrohen. Më ka rënë t’i dëgjoj në RTK,  në RTV 21, e gjetiu këto dy fjalë në konstrukte si: Varrezat e dëshmorëve dhe të martirëve i vizitoi një delegacion shtetëror. Në  varrezat e dëshmorëve dhe martirëve do të mbahet një përkujtim rasti.  Ose edhe më paradoksale: Sot u përkujtuan 5 dëshmorë dhe katër martirë! etj.

Dihet mirëfilli, se,  ashtu siç i kemi fjalët (sinonimet) djalë- çun, vajzë-gocë, fëmijë-kalama etj , poashtu kemi edhe sinonimet “dëshmor” dhe “martir”. Dhe kur jemi këtu, është e natyrshme se shembujt që i morëm në shqyrtim do të duhej të përdoreshin me njëren apo tjetrën fjalë, ose edhe me të dyjat por pa lidhëzat  e, edhe, dhe. Se vetë përdorimi i këtyre lidhësave del sikur këto dy fjalë janë të ndryshme kuptimisht e jo sinonime.  Krejt në rregull do të ishte sikur në mes të këtyre fjalëve të përdoreshin lidhëzat veçuese ose , a, apo. Në këto raste kuptimi i fjalisë  mbetet i njejtë por i shprehur me një një sinonim tjetër. P.sh: Varrezat e dëshmorëve (ose  të martirëve) i vizitoi një delegacion shtetëror .  Në varrezat e dëshmorëve (ose martirëve) do të mbahet një përkujtim rasti, etj. Nëse fjalia që sapo e cituam do të mund të merrej si e “e rregullt”, atëherë  formulime “të rregullta” do të mund të quheshin edhe  konstruktet: Disa djem dhe çuna po luanin në oborr! , ose Pesë  vajza  e dy goca  jetojnë në të njejtin pallat! etj.

Një tjetër fjalë që na bie  shpesh ta dëgjojmë , ose ta shohim të shkruar është edhe emri “viktimë-a”. Edhe kjo fjalë shpesh  po përdoret me kuptim të gabuar. Krejt është në rregull nëse kjo fjalë përdoret në  konstrukte të tilla, si: Këto ishin viktima të tërmetit  (nëse dikush humb jetën apo lëndohet nga kjo fatëkeqësi natyrore), ose Duhet të përkujtohen viktimat e luftës, etj. Por kur ndesh konstruktet, si: Këto ishin viktima të pafajshme! Në luftën e Kosovës pati shumë viktima të pafajshme!  etj. (RTK) kjo nuk shkon. Konstruktet e tilla janë gabim për arsye se vetë fjala “viktimë” përmban kuptimin e “pafajsisë”. Viktimë të “fajshme” nuk ka. Të gjitha viktimat janë të pafajshme.

Edhe në fjalor e gjejmë këtë shpjegim:VIKTIMË-A “Ai që vdes a që lëndohet gjatë një aksidenti a fatëkeqësie natyrore , nga dikush, nga një luftë’ etj. viktimat e tërmetit, 2 viktimë e agresionit. 2. ai që pëson pa të drejtë nga një veprim i gabuar , nga dikush që e mashtron, nga një qëndrim i caktuar etj. viktimë e vetëvetes, viktimë e një mirëbesimi; viktimë e dashurisë (Fjalori i Gjuhës Shqipe, Tiranë, 2006, f. 1188). Pra nëse themi “viktimë e pafajshme”, është krejt njësoj sikur të themi “Ujë i lagësht“(!) (uji nuk mund të jetë i thatë, apo jo?!) apo  “akull i ftohtë”(poashtu as akulli nuk mund të jetë i ngrohtë!) etj. 

Dhe krejt në fund vlen të përmendet se tani vonë, në  në disa media tona, si në Top Channel, TVSH,  etj, për fjalën  “thashetheme-t”, po përdoret një trajtë tjetër thashethemnajë-a”.Kjo fjalë ,si formim krejt artificial, mendoj, se është e panevojshme. Është interesant se në Fjalorin e Gjuhës  Shqipe , Tiranë , 2006 (pra botimi i fundit) kjo fjalë del në formën“thashethemanjë-a”, e jo “thashethemnajë-a”, siç po dëgjohet në media. Ky mosstabilitet , ndoshta, dëshmon qartë se kjo fjalë vështirë po  stabilizohet.  Kjo divergjencë të bën të mendosh se kjo  fjalë e re (edhe kështu si është) a është gabim në media “thashemnajë-a”  apo në fjalor  “thashethemanjë-a”? 

Kthehu mbrapa

Shto koment