Gjithçka gati për “Flakën e Janarit”

11.01.2014 (komentet: 0)

Gjilan - Manifestimi shumëkulturor sivjet do të nisë më 11 janar dhe do të përfundojë pas njëzet ditësh, ka thënë për rajonipress Bujar Haziri drejtor (u.d.) për kulturë, rini e sporte.

Sipas Hazirit dhe sipas Këshillit Organizativ, në hapjen solemne të “Flakës së Janarit”, fillimisht do të bëhen homazhe te Varrezat e Dëshmorëve dhe tek lapidarët në qytet e më pas në sallën e Kuvendit të Komunës do të ketë pritje nga kryetari i Komunës së Gjilanit për familjet e dëshmorëve, kurse në orët e mbrëmjes do të bëhet ndezja e Flakadanit të “Flakës së Janarit 2014”, para Teatrit të Qytetit.

Akademia e Flakës, “Dy jetë një ideal”, mbahet një ditë më vonë, me rastin e 30-vjetorit të rënies së dëshmorëve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, kurse më 17 janar në kuadër të “Penelit të Flakës”, në galerinë e qytetit bëhet hapja e ekspozitës kolektive e arteve pamore dhe shpallja e fituesve në skulpturë, pikturë dhe fotografi. 

Prej 20-24 janar do të mbahet “Talia e Flakës”, ku në Teatrin e Qytetit, për pesë ditë me radhë do të mbahet Festivali i Dramës Shqipe, me pjesëmarrjen e trupave teatrore nga të gjitha trojet shqiptare do të shfaqë pesë drama konkurruese.

“Flaka e Janarit” e sivjetme do të ketë program edhe për fëmijë ku do të mbahet Festivali i Këngës “Xixat e Flakës”, kurse më pas do të mbahet “Folk Flaka” në Teatrin e Qytetit festivali i Ansambleve Folklorike – Gjilan. 

Në ditën e fundit të janarit, në sallën e Kuvendit të Komunës mbahet ora e madhe letrare dhe shpallja e rezultateve të konkursit letrar në poezi dhe tregim të shkurtër, kurse po në mbrëmje në sallën e Teatrit të Qytetit mbahet Festivali i muzikës popullore, me ç’rast edhe bëhet mbyllja e manifestimit “Flaka e Janarit 2014”.

Bujar Haziri tha se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se Flaka do të ruaj vlerat dhe shtyllat e saja kryesore./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment