Gjimnazi Zosimea në Janinë dhe shqiptarët

17.01.2016 (komentet: 0)

Mësimdhënës i Gjimnazit Zosimea në Janinë nga viti 1904 kishte qenë edhe pedagogu i njohur nga Gjilani, Qamil Bala

 Shkolla e Mesme Gjimnaz " Zosimea " (Gre. Zosimaia skoli - ΖΩΣΙΜΑΙΑ ΣΧΟΛΗ - ζωσιμαια σχολη) në Janinë ishte një shkollë me nivel të lartë kulturor e arsimor, prestigjioz dhe me emër, i krahasuar me një universitet për kohën.[1] Ishte ndër institucionet më të njohura edukative - arsimore gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Duke folur për këtë institucion profesor Jashar Rexhepagiqi mes tjerave thot edhe këtë: " Kristoforidhi, Vreto, Naimi, Samiu, Abdyli, Ismail Qemali, Anastas Byku dhe disa rilindës të tjerë kanë qenë nxënës dhe kanë kryer mësimet në Gjimnazin "Zosimea" në Janinë. Për këtë shkollë e cila kishte profesorë të ngritur, të aftë dhe një bibliotekë të pasur, po ashtu nuk kemi ndonjë studim të posaçëm monografik, gjë që është një zbraztësi e madhe për punën kërkimore shkencore." [2]


Shkruan: Gëzim Bullaku/kokaj.net/

 

            Si datë zyrtare e themelimit të Shkollës së Mesme Gjimnaz “ Zosimea “ në Janinë merret viti 1828.[3] Mirëpo sipas një shënimi në librin " Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës", ( The Muslim Bonaparte: Diplomacy & Orientalism in Ali Pasha's Greece) të autores Katherine E. Fleming, e cila i referohet punimit "Sistemi i miletit dhe kontributi i tij në zbehjen e identitetit kombëtar ortodoks në Shqipëri "- (The Millet system and its contribution to the blurring of Orthodox National Identity in Albania ) të Stavro Skendit, publikuar në kuadër të monografisë " Christians and Jews in the Ottoman Empire ", në vitin 1982, në New York, nga " Holmes & Meier Publishers ", nën redaktimin e Benjamin Braude dhe Bernard Lewis, “ Gjimnazi është themeluar nga vëllezërit Zosimea në vitin 1769.”[4] Shkolla u quajt Zosimea për nder të vëllezërve Zosimea me shpenzimet financiare  të të cilëve edhe u themelua dhe funksionoi për një periudhë të gjatë kohore.[5] [6]Fillimisht funksionoi si Shkollë e Përgjithshme( General School ) [7]kurse gjimnaz  i plotë bëhet aty nga viti 1833.[8]Vetëm pak vite pas themelimit, ajo filloi të konsiderohet si " Shkollë e Madhe e Kombit ",  ( Gre. Meghali tou Genous Scholi - Eng. Great School of the Nation). Në vitet 1833 – 1862  drejtor i shkollës ishte Anastas Sakellario nga fshati Zagori, përndryshe ish student i Athanas Psalidhës.Nën drejtimin e tij shkolla arriti suksese të mëdha. Lëndët themelore mësimore në fillim ishin: gjuha dhe letërsia greke, latine, frënge si dhe ajo  italiane.[9]Më vonë plani dhe program i saj mësimor u zgjerua dhe u pasurua edhe më lendë të tjera, madje deri në atë masë sa që aty mësoheshin gjërësisht lëndët klasike dhe shkencat natyrore,[10] siq ishin: filozofia, teologjia,[11]fizika,kimia, biologjia, kosmografia ( astronomia ), gjeografia, historia, matematika.[12] Kohëzgjatja e mësimeve – studimeve në këtë institucion fillimisht ishte trevjeçare pastaj katërvjeçare [13]ndërsa që nga viti 1840 u shtuan edhe tri vite të tjera kështu që ajo u bë një shkollë shtatëvjeçare.[14]Si shkollë me kohëzgjatje shtatëvjeçare mbeti deri në vitin 1852.[15] Po në këtë vit sipas dëshirës së Nikolas Zosimeas, shkolla profilizohet në tri drejtime,[16] Edhe numri i studentëve nga 215 në vitin 1852[17] u ngrit në 400 kah fundi i mandatit të Sakelariosit.[18] 

           Nga viti 1860, Universiteti i Athinës u krijoi mundësi studentëve të " Zosimeas " që t`i vazhdonin studimet universitare pa iu nënshtruar fare provimeve pranuese.Kjo ndodhi për shkak të suksesit të studentëve të Gjimnazit gjatë provimeve përfundimtare si dhe prestigjit të lartë që kishte arritur Shkolla e Mesme Gjimnaz " Zosimea".[19] Sipas rregullorës së vitit 1878  ky institucion edukativo - arsimor i përgatiste të rinjët për studime universitare, përmësuesi si dhe për tregti.[20] Kuadrot që dilnin nga drejtimi i Normales Zosimea emëroheshin mësues të shkollave të ndryshme nëpër Gadishullin Ballkanik.[21]  Edhe personeli mësimor e stafi pedagogjik ishte mjaft i zgjedhur pasi kjo shkollë “ kishte profesorë të ngritur dhe të aftë”[22]madje aty kishte edhe profesorë prej France, Italie, Gjermanie e Austro – Hungarie.[23] Disa nga drejtuesit dhe profesorët e " Zosimeas " nëpër periudha të ndryshme kohore ishin edhe:  Anastas Sakellariou, Mannar Spyridon, Miltiadi Pantazis, George Soteriade, Dimitrio Constans, Antoni Traflantonis, Alexio Th.Zamarias, Panaiotis Aravantini,[24]  Angjelo Çaço,[25]etj. Sipas gjurmuesit Iljaz Gogaj e i cili i referohet revistës "Minerva" nr. 12, Tiranë,1934, si mësimdhënës i Gjimnazit " Zosimea " në Janinë, nga viti 1904 kishte qenë edhe pedagogu i njohur nga Gjilani, Qamil Bala. Edhe pse në këtë detyrë kishte qëndruar shkurt, Qamil Bala ishte shquar me aftësitë intelektuale e  profesionale dhe zellin për punë. Me paraqitjen e tij autoritare dhe të ngrohtë, i rreptë dhe i dashur, i drejtë dhe dashamirës, kërkues në disiplinë dhe tërheqës në mësim, ai do t'ia rriste së tepërmi emrin vetes ndërmjet nxënësve dhe mësuesëve si një autoritet intelektual e atdhetar.[26]Duke vlerësuar me notat më të çmuara ndihmesën e atëhershme të Qamil Balës,shumë vjet më vonë, gazeta "Besa" që dilte në Tiranë, do të shkruante:" Ç'ka qenë Bajo Topulli për Shqipërinë e asaj kohe në Selanik,ka qenë edhe Qamil Bala në Janinë dhe gjetkë.” Këta i mbanin gjallë dhe i lartësonin ndjenjat kombëtare në shpirtin e njomë të studentëve shqiptarë. Sidomos gjatë kësaj periudhe, " Zosimea " në Janinë, ishte qëndra ku në format më të ndryshme, ushqehej ndjenja dhe dashuria ndaj çdo gjëje shqiptare, nga punëtorët e luftëtarët e shquar të shqiptarizmit, e ku bënte pjesë, pa dyshim edhe profesori Qamil Bala.[27] Në këtë mënyrë " Zosimea"  dhe Janina u bënë vatër e diturisë dhe u kthyen “në shtëpi kombëtare për djemtë e Shqipërisë”.[28] Përveq në Gjimnazin " Zosimea " Qamil Bala kishte punuar edhe në gjimnazet e Manastirit dhe të Selanikut.[29]

            " Zosimea " ishte e pajisur edhe me një bibliotekë të pasur[30]si dhe më një laborator të fizikës.[31] Sipas pasqyrës së fondacionit të dhënë nga historiani i Janinës Aravantini, Kolegji " Zosimea " zotëronte një kapital prej 1.107.610 rubla në Bankën e Moskës, 143 800 monedha ari në atë të Vjenës, dhe 515.000 dhrahmi në Bankën e Athinës.[32]

            Hapja e gjimnazit “ Zosimea “ në Janinë është edhe meritë e padiskutueshme e kohës së Ali Pashë Tepelenës dhe e qëndrimeve të tij. Fatkeqësisht askund më pare nuk është përmendur kjo vepër unikale e Vezirit të Janinës, e cila pati kontribute të veçanta për arsimimin dhe kulturën e banorëve të këtyre viseve, vend në të cilin u rritën dhe u arsimuan me dhjetëra pionierë të Rilindjes dhe Pavarsisë Shqiptare, por edhe të asaj greke. Kujtojmë vëllezërit Frashëri, Vretot, Qiriazi, etj. të cilët dolën nga dyert e kësaj shkolle.[33] Që në fillim të veprimtarisë së saj,  institucioni edukativo – arsimor " Zosimea ",  ishte një shkollë jashtë arealit të Perandorisë Osmane. Kurikula e saj nuk i përgjigjej programit të ndonjë shkolle shabllon të zonës, apo të vetë perandorisë. Lëndët e mësimdhënies nuk u përgjigjeshin atyre që do duhej të përthithte një nxënës i asaj kohe për  tu vënë më pas në shërbim të perandorisë. E para gjë, dhe më e rëndësishmja për rolin e vet iluminues, ka qënë diversioni prej gjithçkaje tjetër në atë kohë. E rëndësishme gjithashtu, ishte koha kur u ndërtua dhe u vu në funksionim, që përkon direkt me atë pas Revolucionit Francez. Edhe profili që zgjodhi shkolla të kishte, ishte ai i përcjelljes së këtyre ideve.[34]Pra siq shihet, " Zosimea " ishte një shkollë e përparuar e nivelit europian.[35] Thanas Psalidha, ish mësues i drejtorit të atëhershëm Sakellario, ka qënë përjashtuar nga marrëdhëniet akademike, dhe në fund të jetës së vet shkon në Korfuz. Ndodhi kjo për shkak se idetë e tij ishin shumë përparimtare.[36]

            Në rrjedhë të Lëvizjes së Tanzimatit, " Zosimea " u bë gjithnjë e më e pëlqyer derisa në vitin 1860, ajo arriti nivelin e një instituti mësimor, i cili edhe sipas kritereve të Europës së përparuar, mund të quhej plotësisht i knaqshëm. Në atë shkollë mësuan, jo vetëm shqiptar ortodoks por edhe shumë mysliman. Ndërkohë që në shkollat qytetëse dhe të fshatit të ngritura më vonë nga grekët në Shqipërinë e jugut, predikoheshin idetë shoviniste dhe fanatike grekomadhe për institutin " Zosimea " duhet thënë, e kjo e nderon atë, se shqiptarët e mësuar këtu vërtetë sillnin me vete në shtëpi njëfar simpatie për Greqinë, por ata dilnin prej dyerve të saj si shqiptar me ndërgjegje të lartë kombëtare.[37] Falë gjimnazit të famshëm " Zosimea " i cili dallohej për cilësinë sipas standardeve moderne europiane,Janina, si kryeqendër e Vilajetit me të njëjtin emër,nuk mbeti vetëm qendër e një zone administrative por u bë edhe një qendër e rëndësishme arsimore e njohur në gjithë Perandorinë Osmane.  Gjatë vizitës qëi bëri Aleksander Thomsoni, Gjimnazit " Zosimea " të Janinës, ai u njoftua edhe me planprogramet moderne shkollore gjë të cilën nuk e kishte gjetur as në shkollën hebreje, e cila kishte ngecur prapa në krahasim me shkollat në gjuhën greke.[38]

            Sami Frashëri në enciklopedinëe tij me titull “ Kamus al – alam” të botuar në vitin 1889, këtë institucion edukativo – arsimor na e paraqet si “ shkollë  idadije e përsosur, speciale pë rgrekët, e cila quhet Zosimea,” [39][40]kurse ish nxënësi tjetër i kësaj shkolle, Jani Vreto lidhur me këtë Gjimnaz  thotë:" Vetëm kur shkova në Gjimnazin " Zosimea " u njoha me historinë e Kastriotëve dhe të parëve tanë".[41] Pikërishtë në bankat e kësaj shkollë Vreto e shkroi poemën " Istori e Skenderbeut ".[42] (Ka të dhëna të cilat flasin se si tekst mësimor në Gjimnazin " Zosimea " përdorej edhe “ Historia e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut “  botuar në Moskë më 1812.)[43] Ish nxënësi tjetër i kësaj shkolle ishte edhe poeti Ali Asllani. Ai lidhur me shkollën në fjalë mes tjerash shkruan: “ Të ndihmuar edhe nga mësimet ne na u ngjall një dëshirë aguridhe për një farë lirie patriotike sipas kohës.”[44]

            " Zosimea " si një gjimnaz i lidhur me historinë e Shqipërisë, është shkolla ku mësuan shumë nga rilindësit tanë të shquar. Asokohe ajo konsiderohej si njëra ndër shkollat më të mira për formimin e nxënësve me virtyte të larta, dije dhe kulturë.[45]

            Edhe në shekullin e XX " Zosimea " vazhdon veprimtarinë dhe aktivitetin e saj të ngjeshur në drejtim të edukimit, arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri. Interesimi i të rinjëve për ti vijuar mësimet në këtë shkollë vazhdoi të rritet vazhdimisht. Në vitin 1918 për shkak të numrit të madh të nxënësve,në Janinë, krahas Gjimnazit " Zosimea ", themelohet edhe një shkollë tjetër e lartë, ndërsa nga viti 1927 " Zosimea " fillon të quhet Shkollë e Lartë për Djem ( Eng:Boy`s High School ). Nga viti 1932 fillon një periudhë e re për Shkollën e Lartë " Zosimea ", kur stafit të saj pedagogjik e arsimor  i bashkohet edhe një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve eminent të asaj kohe. Në këtë mënyrë, ky institucion edukativo –arsimor bëhet edhe qendër e aktiviteteve kulturore. Në vitin 1937 nga organet përkatëse shtëtërore i rikonfirmohet edhe njëhere epiteti i shkollës model mirëpo kësaj radhe si Shkollë e Lartë Model ( Eng: High School Model ). Pas Luftës së Dytë Botërore, Shkolla e Lartë " Zosimea " vazhdon funksionin dhe misionin e saj. Kështu në vitin 1952 vendoset që për nevojat e Shkollës në fjalë të ndërtohet një objekt i ri dhe në nëntor të vitit 1955 përurohet ndërtesa e re e Shkollës së Lartë " Zosimea " në Janinë.[46]

            Sot " Zosimea " është një shkollë që ndërtesën e vjetër historike e ka në mes të Janinës, dhe si për ironi të një fati akoma më ironik, gjendet tamam mbi rrugën e stacionit të autobusëve interurbanë, sapo dikush zbret pasi ka hipur në Kakavijë, Gjirokastër apo Tiranë. Nëse dikush do të kërkonte në katalogët e regjistrimit të asaj shkolle, do të gjente emra shqiptarësh të mëdhenj të asaj kohe.[47]

            Në librin me titull “ Kujtime “ Ismail Qemali, duke evokuar vitet e tij të studimeve në Gjimnazin “ Zosimea “ mes tjerash shkruan: “ Duke qenë i pari mysliman në atë kohë, u bëra objekt i një vëmendjeje të vaçantë, jo vetëm për shokët e mi të shkollës por edhe nga profesorët. Ruaj kujtimin më të mire për këta mësues,dhe ndaj një mirënjohje të thellë për kujtimin e Omer Efendiut dhe të profesorit Cime që çdo ditë vinin për të më dhënë mësime private, njëri për arabishten e tjetri për frengjishtën… Drejtori i shkollës dhe profesorët e tjerë,me shumë mirësjellje, më lejuan të bëj provimet para kohës e më dhanë diplomë të rregullt si dhe nje certificate miresjellje. Kështu lashë gjimnazin pasi kisha përfunduar studimet e mia humanitare (  greqishtën  e vjetër dhe latinishtën ), pasi kisha marrë njohuri të mira në shkencat fizike dhe matematikë. Në të  vërtetë  kisha  aftësi të veçanta për matematikë. Kisha bërë ushtrime e  që ishin çmuar shumë nga profesori im. Kur kujtoj vitet e rinisë sime e studimet e mia, bindem se ekziston njëfarë  varësie ndërmjet mjediseve fillestare dhe fatit që ndjek secilin nga ne,megjithë se do të ishte e vështirë për të përcaktuar ligjin që sundon këtë lidhje. Kush mund të thotë nëse është mjedisi ai që formon fatin tonë, apo nëse mjedisi është krijuar si kusht për fatin tonë të ardhshëm. Që nga mosha më e njomë, mendja ime është ushqyer me analizën e kujtimeve për madhështinë e Francës. Llamba që ndriste djepin tim ishte mbajtur nga një statujë e Napoleonit të Madh, lodrat e mia ishin vizatime që paraqisnin veprat e mëdha të Napoleonit dhe besoj se pyetja ime e parë fëmijërore drejtuar babait tim ishte për të njohur domethënien e globit që Perandori i Madh mbante mbi kokë … Një fakt tjetër që ka lënë mbresë në mendjen time, sepse më preku në atë kohë, qe zbulimi gjate studimeve të zakonshme të mitologjisë antike, se përrallat e dados sime plakë, një myslimane, afroheshin pikë përpikë me mitet helene si skena ndërmjet Odises e Akilit në oborrin e mbretit Shiro, gjykimi i Paridit etj. Unë kisha qenë me shumë fat pasi kisha pas mësues letërsie e historie të Greqisë së vjetër, burra nga më të shkëlqyerit e kohës,që nuk interesoheshin vetëm të më mësonin në formë leksioni autorët klasik, por më bënin të jetoja në atë atmosferë lirie të botës së vjetër helene.” [48]

            Nga ky institucion dolën personalitete të shquara shqiptare të periudhës së Rilindjes Kombëtare.Në literaturen e shtypur dhe atë elektronike si ish nxënës apo student të Gjimnazit " Zosimea " në Janinë përmenden: Zenel Hito Gjoleka,[49] Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Sami Frashëri,[50] Abdyl Frashëri ?[51] Ismail Qemali, Hasan Tahsini, Ali Asllani, Anastas Byku, Elmaz Boçe, Mehmet Esat Pasha(Mehmet Esat Bülkat ), Abedin Dino, Hasan Dosti, Qazim Koculi, Petro Poga, Hodo Sokoli, Dhimiter Tutulani,[52]Sulejman Aliko Alikaj,[53]Filip Aleks Joani, Dhimitër Zarkali,[54] Gjergj Çako,Turhan Permeti,[55]Sali Nivica,[56]Apostol Meksi,[57] Krist Meksi,[58] Ndini Ziu, Gori Ziu, Kostandin Kola, Ibrahim Gramshi, Perikli Ikonomi, Vangjel Mëhilli,[59]Hamit Xheka,[60]Thanas Sina,[61]Fiqret Shehu Fterra,[62] Shemo Ceka, Sali Asllami, Ali Beqaj,[63]Namik Delvina, Sylejman Delvina,[64]Vehip Hoxha,[65]Vangjel Zhapa,[66] Vangjel Koça,Xhevat Korça, Myfit Libohova, Turhan Permeti,[67]Aristidh Ruci[68]Qazim Kokoshi,[69]Mustafa Muço,[70] Hamza Isaraj,[71] Ali Spahiu,[72] Qazim Mulleti,[73]Llambi Goxhomani,[74] Balil Mete Pelari,[75]Kiço Konomi,[76]Abaz Sinani?[77]Ilia Dilo Sheperi,[78] Fehim Mezhgorani Tepelena,[79] Mustafa Kruja ?[80] Theodos Llukani, Leonida Bezhani, Thoma Papapano,[81]  Aleko Kondili,[82] Xhafer Shehu Fterra,[83]Sinan Kërpi,[84] Hysen Çela,[85] Pavllo Konomi, Sotir Konomi,[86]Kristaq Zografi,[87]etj.

 

REFERENCAT:

[1]Petraq Dhana: Arsimi dhe kultura në Myzeqe (1912 – 1990), Lulu. USA,2010, fq. 68

[2]Jashar Rexhepagiq: Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike. Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 430.

[3] Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë,2011, fq. 1004.

[4]Katherine E(lizabet) Flemming: Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi nëGreqinë e Ali Pashës. Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë, 2013, fq. 100. Shih edhe botimin në gjuhën angleze: Katherine E(lizabet) Flemming: The Muslim Bonaparte: Diplomacy and Orientalism in Ali Pasha's Greece, Princeton University Press, Princeton – New Jersey, 2014, shënimi në faqen 65.

[5] Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë,211, fq. 1004.

[6]Zosimaia School, Wikipedia, ( greqisht ), Last modified, 28 January 2015,http://el.wikipedia.org/wiki/%CE%96%CF%89%CF%83%CE%B9%CE%BC%CE%B1%CE%AF%CE%B1_%CE%A3%CF%87%CE%BF%CE%BB%CE%AE,20.05.2015

[10]Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë, 2011, fq. 1004.

[11]Fjalor enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, fq. 1205

[12]Jashar Rexhepagiq: Sami Frashëri dhe pedagogjia e Rilindjes Kombëtare.ASHAK, Prishtinë, 2005, fq. 102

[13]Hajrullah Koliqi, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, Shtëpia Botuese Libri shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 144.

[14] Zosimaia School, Wikipedia ( english ), Last modified on 28 June 2014,              http://en.wikipedia.org/wiki/Zosimaia_School,20.05.2015.

[15] Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë,2011, fq. 1004.

[16]Zosimaia School, Wikipedia, ( greqisht ), Last modified, 28 January 2015,http://el.wikipedia.org/wiki/%CE%96%CF%89%CF%83%CE%B9%CE%BC%CE%B1%CE%AF%CE%B1_%CE%A3%CF%87%CE%BF%CE%BB%CE%AE,20.05.2015

[18] Zosimaia School, Wikipedia ( english ), Last modified on 28 June 2014,              http://en.wikipedia.org/wiki/Zosimaia_School,20.05.2015.

[19] Zosimaia School, Wikipedia ( english ), Last modified on 28 June 2014,              http://en.wikipedia.org/wiki/Zosimaia_School,20.05.2015.

[20]Hajrullah Koliqi, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 144.

[21] Zosimaia School, Wikipedia ( english ), Last modified on 28 June 2014,              http://en.wikipedia.org/wiki/Zosimaia_School,20.05.2015.

[22] Jashar Rexhepagiq: Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike. Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 430.

[23]Rexhep Qosja: Çështja shqiptare – Historia dhe politika, Prishtinë,1994, fq. 16.

[25] Niko Stylos : Angjelos Çaços, i shpërfilluri i historisë shqiptare, Radio Kosova e Lirë,http://www.radiokosovaelire.com/?nav=80,2&id=575,5.06.2015.

[26]Iljaz Gogaj: Qamil Bala ( 1878 – 1933 ), Revista Perla, Tiranë,2005, nr. 2 (37), fq. 123.

[27]Po aty.

[28]Engjëll Zerdelia: Shenjëtori i gjuhës shqipe, Ilia Dilo Sheperi. Dielli (online), 1 shtator 2014, http://gazetadielli.com/shenjtori-i-gjuhes-shqipe-ilia-dilo-sheperi/,06.06.2015.

[29]Shefik Osmani: Fjalor i pedagogjisë, Shtëpia botuese 8 Nëntori,Tiranë,1983, fq. 71 – 72.

[30] Jashar Rexhepagiq: Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike. Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 430.

[31]Fjalor enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, fq. 1205 pastaj në: Jashar Rexhepagiq: Sami Frashëri dhe pedagogjia e Rilindjes Kombëtare. ASHAK, Prishtinë,2005, fq. 18 si dhe në: Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë, 211, fq. 1004.

[32]Dionis Qirzidhi: “ Zosimea “ gjimnazi, që  “ prodhoi “ eposin shqiptar të diturisë. Albania press, 12 tetor 2007. Athinë. fq. 31

[33]Georgios K. Gatos. Istoria ton Yoaninion. Athina. 1965. fq. 15

[34] Ardian Vehbiu: NUSJA GREKE E PAVARËSISË (II). http://peizazhe.com/. Nëntor 29, 2012.http://peizazhe.com/2012/11/29/nusja-greke-e-pavaresise-ii/. 7.V.2015

[35]Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë,211, fq. 1004.

[36] Ardian Vehbiu: NUSJA GREKE E PAVARËSISË (II). http://peizazhe.com/. Nëntor 29, 2012.http://peizazhe.com/2012/11/29/nusja-greke-e-pavaresise-ii/. 7.V.2015

[37]Eqrem Vlora: Kujtime 1885 - 1925. Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë,2010, fq. 156.

[38]Memli Krasniqi: Shoqëria biblike britanike për të huajt dhe bektashizmi. Instituti Albanologjik i Prishtinës  , Prishtinë, 2013, fq. 253 – 255.

[39]Sami Frashëri: Kamus al - a`lam – pjesë të zgjedhura. Rilindja, Prishtinë,1984, fq. 58.

[40]Feti Mehdiu: Vilajeti i Janinës në Enciklopedinë e Sami Frashërit, Gjurmime albanologjike – Seria e shkencave historike XII– 1982, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë,1983, fq. 201.

[41]FORUMI -> ÇËSHTJA KOMBËTARE ->VORIO- EPIRI ->NJË ËNDËRR NË ARKIVOL,www.forumishqiptar.com, 22.11.2009,http://www.forumishqiptar.com/threads/69115-Vorio-Epiri-nj%C3%AB-%C3%ABnd%C3%ABrr-n%C3%AB-arkivol/page8,15.05.2015

[42]Dhimitër Shuteriqi: Shkrimet shqipe në vitet 1332 – 1850. Rilindja, Prishtinë,1978, fq. 254

[43]Ibrahim D. Hoxha: Arsimi në gjuhën shqipe në Çamëri e Janinë, Revista pedagogjike” 3, Tiranë, 1997, fq. 94

[44]Dionis Qirzidhi: “ Zosimea “ gjimnazi, që “ prodhoi “ eposin shqiptar të diturisë. Albania press, 12 tetor 2007. Athinë. fq. 31

[45]Dionis Qirzidhi, op.cit.

[47]Ardian Vehbiu: NUSJA GREKE E PAVARËSISË (II). http://peizazhe.com/. Nëntor 29,2012.http://peizazhe.com/2012/11/29/nusja-greke-e-pavaresise-ii/. 7.V.2015

[48]Dionis Qirzidhi, op.cit.

[49] Gëzim Llojdia:Gjoleka në shur të kuqe – me fustane mbi gju hajdutçe.GezimLlojdia.blogspot.com,01.05.2012. http://gezimllojdia.blogspot.com/2012/05/160-vjetorit-te-renies-se-patriotit-ne.html,12.06.2015. Shih edhe në: Hasan Luçi: Zenel Gjoleka – Kryekomandant i kryengitjes së Tanzimatit në 1847. forumilir.com, 29.01.2008.http://www.forumilir.com/viewtopic.php?f=11&t=1048&start=0&st=0&sk=t&sd=a,12.06.2015. si dhe në:Zenel Gjoleka, Wikipedia, http://sq.wikipedia.org/wiki/Zenel_Gjoleka,06.06.2015.

[50]Robert Elsi: A Biographical Dictionary of Albanian History. I.B.Tauris, London,2012

[51]Vijimin e mësimeve në gjimnazin Zosimea edhe nga ana e Abdyl Frashërit e pohojnë Eqrem Vlora si dhe Jashar Rexhepagiqi

[52]Zosimaia school, Category:Zosimaia school alumni, last modified on 12 June2014, Wikipedia, 5.06.2015.

[53]Enver Memishaj: Rreth librit të Agim Gjolekës “Seit Alikaj i Kuçit tëLabërisë”, Tiranë 2014. Tribuna shqiptare.net, 19.06.2014. http://tribunashqiptare.net/?p=23684,12.06.2015.

[54]Dhimitër Shuteriqi: Shkrimet shqipe në vitet 1332 – 1850. Rilindja, Prishtinë,1978, fq. 254.

[55]Eqrem Vlora: Kujtime 1885 - 1925. Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë, 2010, fq. 156.

[56]Zosimaia school, Wikipedia, ( English ) last modified on 28 June 2014,http://en.wikipedia.org/wiki/Zosimaia_School,5.06.2015.

[57]Fedhon Meksi: Apostol Meksi, të pathënat e kolegut të Kristoforidhit.www.fedhonmeksi.com. http://fedhonmeksi.com/ApostolMeksi.pdf.7.V.2015.

[58]Fedhon Meksi: Labova e Madhe dhe Labovitët, gjurmime ndër vite. Shtëpia Botuese Migjeni, Tiranë, 2010, fq. 152 – 153.

[59]Petraq Dhana: Arsimi dhe kultura në Myzeqe (1912 – 1990), Lulu.com, USA,2010, fq. 68.

[60]Po aty, fq. 89.

[61]Dana Stucky: Jeta e Thanas Sinës (1859-1934), pjesë e pare, 22.09. 2014, Institut for Albanian and Protestant studies, http://instituti.org/jeta-e-thanas-sines-1859-1934-1/,12.05.2015.

[62]Jakup Mato: Fiqret Fterra – bir i fshatit tone,http://fteriotet.tripod.com/id32.html,5.06.2015 shih edhe në gazetën "Fterra jone", 16 tetor, 1999.

[63]Hulesi Runa: Kujtime rreth historikut 100 vjeçar të shkollës shqipe në Nivicë,Shoqata Nivica, 16.12.2009, http://www.nivica.org/artikulli.php?id=56,5.06.2015.

[64]Eugen Shehu: Namik Delvina – Personalitet i shquar në historinë e rilindjes sëkombit shqiptar. Gazeta Dielli, 2. 10. 2014, http://gazetadielli.com/namik-delvinapersonalite-i-shquar-ne-historine-e-rilindjes-se-kombit-shqiptar/,5.06.2015.

[65]Ani Jaupaj: Tri motrat Hoxha: Enver Hoxhën e kishim kushëri, na internoi 30vjet, Gazeta online Panorama, 15.04.2013, http://www.panorama.com.al/tri-motrat-hoxha-suzana-handani-e-nermini-enver-hoxhen-e-kishim-kusheri-na-internoi-30-vjet/?fdx_switcher=true, 5.06.2015.

[66] Eliona Lata: Filantropi, që ngriti 127 shkollat shqipe, Shekulli com.al. 19 dhjetor2013,http://www.shekulli.com.al/p.php?id=36949,12.05.2015.

[67]Robert Elsi: A Biographical Dictionary of Albanian History. I.B.Tauris, London,2012

[68] Firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, Shteti web,http://shtetiweb.org/2012/08/29/firmetaret-e-deklarates-se-pavaresise/,5.06.2015.

[69] Dashnor Kaloci, Fari Shaska: Historia tragjike e familjes Kokoshi të Vlorës, edsh.org, 3-7-2002, http://www.edsh.org/diskutime/viewthread.php?tid=97, 5.06.2015.

[70]Skender Muço, Yzeir Alimerko: Lavdi deshmoreve te fshatit Tragjas, Shoqata “ Tragjasi ”, Faqe në facebook, 05.05.2013,https://www.facebook.com/ShoqataTragjasi/posts/254489251364624,05.06.2015.

[71]Hilë Lushaku: Hamza Isaraj, drejtori i policisë që ishte mik i Ismail Qemalit dhe Fan Nolit, Tirana observer, 2.02.2013. http://www.tiranaobserver.al/v1/hamza-isaraj-drejtori-i-policise-qe-ishte-mik-i-ismail-qemalit-dhe-fan-nolit/,05.06.2015.

[72]Bardhosh Gaçe: Ali Spahiu, figure e heshtur e shpirtit kombëtar. Gazeta telegraf, 29.04.2015, http://telegraf.al/dosier/profdr-bardhosh-gace-ali-spahiu-figure-e-heshtur-e-shpirtit-kombetar,06.06.2015.

[73]Qazim Mulleti, Wikipedia, 12 qershor 2013,http://sq.wikipedia.org/wiki/Qazim_Mulleti,06.06.2015.

[74]Llambi Goxhomani, Wikipedia, 23 nëntor 2012,http://sq.wikipedia.org/wiki/Llambi_Goxhomani,06.06.2015.

[75]Balil Mete Pelari, Wikipedia, 10 qershor 2013,http://sq.wikipedia.org/wiki/Balil_Mete_Pelari,06.06.2015.

[76]Nuri Plaku: Gjurmët intelektuale të Kiço Konomit. Fieri.com, 26 janar 2012,http://index.fieri.com/personazh/4843-gjurmet-intelektuale-te-kico-konomit.html,06.06.2015.

[77] Faslli Haliti: Abaz Sinani, mësuesi im urtan e diellor i fillores. Gazeta Kritika,03.03.2012,http://www.gazetakritika.net/Forumi/?itemid=4619,06.06.2015.

[78]Engjëll Zerdelia: Shenjëtori i gjuhës shqipe Ilia Dilo Sheperi. Dielli (online), 1 shtator 2014, http://gazetadielli.com/shenjtori-i-gjuhes-shqipe-ilia-dilo-sheperi/,06.06.2015.

[79]Hilë Lushaku: Kush ishte Fehim bej Mezhgorani, drejtori reformator i policisë shqiptare.Tirana observer, 30 janar 2013, http://www.tiranaobserver.al/v1/kush-ishte-fehim-bej-mezhgorani-drejtori-reformator-i-policise-shqiptare/,06.06.2015.

[80]Arben Puto: Pse bashkëpunuan me fashistët Mustafa Kruja e Ernest Koliqi. Ballkanweb, 19.11.2014. http://www.balkanweb.com/site/arben-puto-pse-bashkepunuan-me-fashistet-mustafa-kruja-e-ernest-koliqi/,06.06.2015. si dhe: Agron Gjekmarkaj: Për Arben Puton dhe nostalgjikët e Enverit. Panorama ( Gazeta online), 1 dhjetor 2014.http://www.panorama.com.al/per-arben-puton-dhe-nostalgjiket-e-enverit/,06.06.2015.

[81]Miltiadh M. Muçi: Pashallëku i Janinës pararendës i lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Facebook,( Tepelena online ), 19.11.2013.https://www.facebook.com/notes/610294689006421/,06.06.2015.

[82]Engjëll Zerdelia: Rëndësia e Kongresit Arsimor të Lushnjës.https://groups.yahoo.com/neo/groups/alb-muslimnews/conversations/messages/11297,06.06.2015.

[83]Enciklopedia e vogel e Fterrës, (Maket per enciklopedine e Kurveleshit), Wikipedia, Përdoruesi:Axhama, Pa date,http://sq.wikipedia.org/wiki/P%C3%ABrdoruesi:Axhama,06.06.2015.

[84]Luan Ziflo: Shkolla e pare shqipe në Lekdush. Luan Ziflo.blogspot. 1 dhjetor2012,http://luanziflo.blogspot.com/2012/12/shkolla-e-pare-shqipe-ne-lekdush-ne.html,06.06.2015.

[85]Ibrahim Metaj: Hysen Çelaj – Një jetë e tërë në shërbim të kombit dhe të Shqipërisë Etnike. Shqipëria Etnike, p.d.http://www.shqiperiaetnike.de/html/body_ibrahim_metaj.html,08.06.2015. si dhe në: Selim Nëngurra: Gjurmë shqiptare në Norvegji, Zemra shqiptare.net. 06.03.2012,http://www.zemrashqiptare.net/news/id_26772/rp_0/act_print/rf_1/Printo.html,08.06.2015.

[86]Pandi Sotir Konomi: Brezat e priftërinjve të familjes Ikonomi nga Ziçishti i Devollit. Revista Ngjallja, Nr. 10 ( 165 ), Tetor 2006, fq. 10.

[87]Christakis Zografos ( English ), Wikipedia, last modified on 28 April 2015,https://en.wikipedia.org/wiki/Christakis_Zografos,15.06.2015

Kthehu mbrapa

Shto koment