Gjilani dhe Gjakova në "luftë" për universitetin

18.01.2013 (komentet: 0)

Deklarata e kreut të qeverisë Hashim Thaçi, se pas Pejës universiteti publik i radhës do të hapet në Gjilan, ka “ndezur” udhëheqësin e dikasterit qeveritar për arsim-MASHT dhe atij të Universiteti të Prishtinës (UP). “Urdhri” i Thaçit po zbatohet. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës (MASHT) si dhe Rektorati i UP-së kanë nisur diskutimet për themelimin e Universitetit të Gjilanit

.

Këtë se mohojnë përfaqësuesit e qeverisë. Ministri i arsimit, Ramë Buja dhe rektori Ibrahim Gashi janë dakorduar që ky universitet të themelohet mbi bazën e drejtimeve ekzistuese të UP-së në Gjilan, të cilat planifikohet të shndërrohen në fakultete për të qenë pjesë përbërëse të Universitetit të ri.

Në Gjilan UP-ja ka degët e Fakultetit Juridik, Ekonomik dhe atij të Edukimit. Në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar, anëtarët e qeverisë premtuan hapjen e më shumë universiteteve. Kryeministri Hashim Thaçi, në fillim të këtij muaji deklaroi se një prej prioriteteve që do të angazhohet Qeveria për zhvillimin e arsimit të lartë, ku përveç Universitetit të Prizrenit, do të vazhdojnë edhe hapja e Universitetit në Gjilan, Gjakovë... Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, kanë pranuar se në këtë drejtim po punohet. Madje, se kanë filluar takimet zyrtare për të planifikuar përgatitjet e nevojshme që të themelohet Universiteti i Gjilanit.

Arbër Morina, zëdhënës në MASHT ka bërë të ditur për gazetën se ministri Buja dhe rektori Gashi tashmë kanë diskutuar rreth themelimit të universitetit të katërt në vend. Sipas tij tash për tash është duke u bërë identifikimi dhe shqyrtimi i kushteve për krijimin e këtij universiteti. Morina ka theksuar se të dyja palët kanë shqyrtuar mundësitë kadrovike, infrastrukturore... “Tani jemi duke shikuar mundësitë. MASHT do të bëjë dhe një raport të fizibilitetit për të nisur me këtë institucion”.

Mirëpo, Morina nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur pritet të fillojë ky Universitet. “Nuk është diskutuar se kur do të hapet Universiteti i Gjilanit. Nuk mund të japim ndonjë datë përderisa ndodhemi në fazën e shqyrtimit të mundësive”, ka thënë ai duke theksuar se interesimi i ministrisë nuk mungon që të themelohen universitetet, kurse përgjegjësinë e cilësisë e ka hedhur te menaxhmentet e universiteteve publike, që sipas tij funksionojnë të pavarura nga ministria. Universiteti i Prishtinës, më 15 shkurt të këtij viti shënon 43 vjetorin e themelimit, ndërsa edhe para dy vjetësh vendi u bë me Universitetin e dytë publik në vend, dhe që nga tetori i këtij viti me Universitetin e tretë atë të Pejës. I pari me një traditë të gjatë dhe i dyti i sapo themeluar janë kritikuar dhe kritikohen për mos cilësi të studimeve, kurse Universiteti i tretë i Pejës udhëhiqet nga një bord i përkohshëm deri në legalizimin e statutit të tij.

Megjithëkëtë, Kuvendi Komunal i Gjakovës, të enjten ka dal me kërkesë që në këtë komunë të hapet universiteti publik i radhës. Nën kryesimin e kryesuesit Xhavit Alijaj është mbajtur mbledhja e parë për vitin 2013 e Komitetit për Politikë dhe Financa në të cilën ishin përcaktuar pesë pika të rendit të ditës. Në këtë takim është miratuar edhe kërkesa që në mbledhjen e Kuvendit të Komunës të miratohet kërkesa për themelimin e Universitetit Publik në Komunën e Gjakovës dhe që më pas kjo kërkesë t’i adresohet Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë./zeri/

Kthehu mbrapa

Shto koment