FLUTURON NË TIRANË

03.12.2012 (komentet: 0)

Komedia ‘Fluturimi mbi teatrin e Kosovës’, realizim i qendrës Multimedia në Prishtinë, do të shfaqet në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Komedia, e cila ka si autor dramaturgun Jeton Neziraj, në Tiranë do të shfaqet më 7 dhjetor.

Një komedi për Kosovën e re që, e lodhur dhe e rrënuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe tutelat e pafundme të misioneve ndërkombëtare, përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes. Kjo është komedia “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, me autor Jeton Neziraj dhe në regji të Blerta Neziraj, me artistë nga Kosova, Italia, Maqedonia, Gjermania dhe Holanda, e cila do të shfaqet në Tiranë, më 7 dhjetor, në orën 19:00, në Teatrin Kombëtar – salla “Kadri Roshi”. Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu, muzika është bërë nga: Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë), dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik është Ilir Gjocaj, koreografia është bërë nga Arthur Kuggeleyn, kompozitor është Gabriele Marangoni, ndërsa për skenografinë dhe kostumet është kujdesur Susanne Maier-Staufen.

Komedia ‘Fluturimi mbi teatrin e Kosovës’ flet për shpalljen e pavarësisë dhe në thumb vë institucionet e Kosovës. Gati dhjetë vite pas përfundimit të luftës, Kosova, që deri atëherë po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, bëhet gati të shpallë pavarësinë. Shteti më i ri në botë pritet të lindë pas pak. Sekretari i Ministrisë së Sportit kërkon nga trupa e Teatrit të Kosovës që të përgatisë një shfaqje teatrore solemne, e cila do të jepet ditën historike të shpalljes së pavarësisë. Për festën e pavarësisë janë ndarë 2 milionë euro. Trupa e teatrit ndjehet e privilegjuar dhe krenare. Por ky ngazëllim ka edhe sfidat e veta. Pas ca kërkesave ‘estetike’, politikisht korrekte, trupa përballet edhe me dy ‘problemthe’ të paparashikueshme. I pari, dita kur duhet të shpallet pavarësia mbahet sekret dhe i dyti, në shfaqje duhet të përfshihet edhe fjalimi ende i pashkruar i Kryeministrit, të cilin ai do ta mbajë në parlament në ditën historike.

Dhe derisa ekipi i teatrit fillon provat intensive, Xhejmsi, tekniku i skenës ka një projekt paralel. Ai fillon të konstruktojë një aeroplan me të cilin dëshiron të fluturojë rreth globit me qëllim që, në këtë mënyrë origjinale, të lobojë në shumë shtete të botës për njohje të shtetit të ri.

Lajmi për datën e shpalljes së pavarësisë vjen papritur. Në mbrëmje, kabineti qeveritar, mysafirë nga NATO, UN, EU dhe diplomatë të tjerë, vijnë në Teatrin e Kosovës për të parë shfaqjen – epopenë kombëtare të Kosovës.

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” është një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme globale të këtij shekulli – lindjen e shtetit të Kosovës.

“Kjo është një komedi për Kosovën e re që, e lodhur dhe e rrënuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe tutelat e pafundme të misioneve ndërkombëtare, përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes”, shprehet autori Jeton Neziraj.

Kjo shfaqje është prodhim i qendrës Multimedia nga Prishtina, e cila në fokus të saj ka teatrin dhe dramaturgjinë bashkëkohore. E themeluar në vitin 2002, ajo prodhon dhe bashkëprodhon aktivitete kulturore për të gjitha moshat, në Kosovë dhe jashtë saj.

Qendra është themeluar dhe drejtohet nga një grup i artistëve të rinj të cilët synojnë që të krijojnë një format alternativ të prodhimtarisë artistike, të influencojnë politikat kulturore dhe të përdorin artin për të adresuar çështje të ndjeshme politike e sociale.

Disa nga prodhimet teatrore kryesore të qendrës Multimedia janë: “Darka e fundit”, “Lufta në kohën e dashurisë”, “Udhëtimi në UNMIKISTAN”, “Enea 06”, “Yue Madeleine Yue”, “Hipermarketi patriotik”, “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” etj.

Disa nga teatrot dhe kompanitë me të cilët qendra ka bashkëpunuar janë: Volkstheater, Vjenë; Markus Zohner Theater Compagnie, Lugano; Nomad Theater, Londër; L'Espace d'un instant, Paris; Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë; Teatri Bitef, Beograd; CZKD, Beograd; Teatri Oda, Prishtinë; Teatri Kombëtar i Komedisë, Tiranë etj.

Shfaqjet teatrore të Qendrës janë prezantuar në festivale të ndryshme në Evropë dhe Afrikë, ndër to edhe në: euro-scene Leipzig, Gjermani; Die Besten aus dem osten, Austri; Via Modena, Itali; FIT Lugano, Zvicër; Zoom Fetsival, Kroaci etj.

Nga viti 2002, Qendra ka organizuar dhe bashkëorganizuar mbi 100 projekte artistike në Kosovë por edhe në vende të tjera të Evropës si në Maqedoni, Serbi, Zvicër, Kroaci, Francë, Gjermani, Angli, Austri etj.

Kthehu mbrapa

Shto koment