“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”

25.03.2013 (komentet: 0)

Blerta (Rrustemi) Neziraj

Qendra Multimedia nga Prishtina dhe Teatri i Qytetit, Gjilan, kanë kënaqësinë të ju ftojnë në komedinë: “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”

 

Më datë 30 mars, 2013, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, Qendra Multimedia nga Prishtina prezenton komedinë patriotike “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, të autorit Jeton Neziraj. Luajnë aktorët e mirënjohur: Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu. 
Kjo komedi vjen në Gjilan mbas premierës në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe prezentimeve në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Qendrës për Dekontaminim Kulturorë dhe CTC në Shkup. 
Shfaqja është pritur shkëlqyeshëm kudo që është prezentuar dhe për të kan shkruar edhe mediat ndërkombëtare, përfshi “La Republica” (Itali), “Theater Heute” (Gjermani) e Stradda (Francë). 


****
Data: 30 mars, 2013
Koha: 20:00 h
Vendi: Teatri i Qytetit, Gjilan 

Regjia: Blerta (Rrustemi) Neziraj, muzikantë: Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë), dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik: Ilir Gjocaj, koreografia: Arthur Kuggeleyn, kompozitor: Gabriele Marangoni, skenografia dhe kostumet: Susanne Maier-Staufen.

Rreth komedisë

Gati dhjetë vite pas përfundimit të luftës, Kosova, që deri atëherë po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, bëhet gati të shpallë pavarësinë. Shteti më i ri në botë pritet të lindë pas pak. Sekretari i Ministrisë së Sportit kërkon nga trupa e Teatrit të Kosovës që të përgatisin një shfaqje teatrore solemne e cila do të jepet ditën historike të shpalljes së pavarësisë. Për festën e pavarësisë janë ndarë 2 milion euro. Trupa e teatrit ndjehen të privilegjuar dhe krenarë. Por ky ngazëllim ka edhe sfidat e veta. Pas ca kërkesave “estetike”, politikisht korrekte, trupa përballet edhe me dy “problemthe” të paparashikueshme. I pari, dita kur duhet të shpallet pavarësia mbahet sekret dhe i dyti, në shfaqje duhet të përfshihet edhe fjalimi ende i pashkruar i Kryeministrit, të cilin ai do ta mbajë në parlament në ditën historike. 
Dhe derisa ekipi i teatrit fillon provat intensive, Xhejmsi, tekniku i skenës ka një projekt paralel. Ai fillon të konstruktojë një aeroplan me të cilin dëshiron të fluturojë rreth globit me qëllim që, në këtë mënyrë origjinale, të lobojë në shumë shtete të botës për njohje të shtetit të ri. 
Lajmi për datën e shpalljes së pavarësisë vjen papritur. Në mbrëmje, kabineti qeveritar, mysafirë nga NATO, UN, EU dhe diplomatë të tjerë, vijnë në Teatrin e Kosovës për të parë shfaqjen – epopenë kombëtare të Kosovës. [...]
“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” është një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme globale të këtij shekulli – lindjen e shtetit të Kosovës. 
Kjo është një komedi për Kosovën e re që, e lodhur dhe e rrënuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe tutelat e pafundme të misioneve ndërkombëtare, përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes…

Kthehu mbrapa

Shto koment