Filmi “Heroi”, do të shfaqet në Gjilan për tri ditë me radhë

16.04.2014 (komentet: 0)

Filmi “Heroi” i realizuar në bashkëpunim me Produksionin filmik kosovarë “Iliria Film” dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës, me skenar dhe regji të Luan Kryeziu këtë javë vjen në Teatrin e Gjilanit, për tri netë me radhë.

 

 

Filmi në rolin kryesor ka një njeri me principe dhe virtyte, i cili bie pre e dramës njerëzore të imponuar nga rrethanat shoqërore, politike dhe ekonomike. Pas përfundimit të luftës, ushtari i quajtur Shkëmb kthehet në shtëpi, ku gjen një gjendje shumë të rëndë ekonomike dhe sociale të familjes.

Numër shumë i madh i njerëzve vijnë për ta nderuar dhe falënderuar për sakrificën e tij gjatë shpëtimit të popullatës në luftë. Por, me kalimin e kohës, sakrifica e tij harrohet dhe gjërat fillojnë të ndryshojnë.

Kushtet në të cilat ushtari jeton pas përfundimit të luftës janë shumë të vështira. Ai jetën e vazhdon në një tendë, e cila, është dhuratë nga organizatat humanitare.

Ushtari zhgënjehet nga mënyra se si një grup i vogël politikanësh dhe biznesmenësh karrieristë i shfrytëzojnë idealet dhe sukseset e tij gjatë luftës, për të fituar para, pushtet dhe kontroll mbi popullatën.

Të interesuarit mund të shohin filmin që përfshinë sakrificën, gjendjen sociale, shëndetësore dhe atë ekonomike të familjes.

Shfaqja e filmit “Heroi”, nis të shfaqet për tri ditë me radhë, në datat: 17, 18 dhe 19 prill 2014, duke filluar në ora 19:00 në teatrin e qytetit, ndërsa bileta kushton 2 euro. Ky është filmi i parë që shfaqet në Gjilan në vitin 2014.

Kthehu mbrapa

Shto koment