Fillojnë përgatitjet për manifestimin “Flaka e Janarit 2015”

29.12.2014 (komentet: 0)

Nga arkivi

Komuna e Gjilanit, si organizatore i manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, ka filluar përgatitjet për këtë manifestim, i cili prej 24 vitesh mbahet në këtë qytet të Kosovës, në nderim të heronjve dhe martirëve të historisë shqiptare, të rënë përgjatë rrugëtimit të gjatë për liri e mëvetësi kombëtare.

 

 

Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport, si bartëse e manifestimit, ka publikuar edhe konkursin shpërblyes për artin letrar, pamor e muzikor, sikurse do të përzgjidhen edhe pesë shfaqje për artin skenik “Talia e Flakës”, që është njëra nga katër shtyllat kryesore të këtij manifestimi që prej themelimit të tij.

 

Bujar Haziri, përgjegjës Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se në artin letrar “Pena e Flakës”, do të shpërblehen tri punimet më të mira në prozë dhe tri të tjera në poezi, të cilat arrijnë në konkursin tradicional letrar për tregim të shkurtër dhe për poezi.

 

Të drejtë pjesëmarrje kanë krijuesit nga të gjitha trevat shqiptare dhe kudo që jetojnë ata, me kusht që punimet të jenë të pa botuara më parë. Krijimet e shpërblyera dhe ato që sugjerohen nga juria, do të botohen më vonë në revistën letrare-kulturore “Agmia”.

 

Konkurs shpërblyes ka edhe për artin pamor “Peneli i Flakës”, që është ekspozitë me karakter mbarëkombëtar. Autorët mund të konkurrojnë me një vepër, me përmasa jo më të mëdha se 120 cm. Çmimi blerës për fondin e galerisë është 500 euro, ndërkaq juria ndan edhe tri çmime tjera, në vlerë prej 150 euro.

 

Punimet duhet të mos jenë më të vjetra se dy vite, teknikisht të përgatitura dhe të pa ekspozuara më parë. Të drejtë pjesëmarrje kanë krijuesit e të gjitha zhanreve të artit pamor, nga të gjitha trojet tona etnike.

 

Në artin muzikor “Fest Flaka”, që është një festival i këngës popullore në frymën e traditës, e ku të drejtë konkurrimi kanë interpretues nga të gjitha trevat shqiptare, të moshës mbi 18 vjeç, ndahen tri shpërblime, sipas përzgjedhjes nga juria profesionale.

 

Konkurrentët e interesuar për pjesëmarrje në “Fest Flaka” do t`i nënshtrohen paraprakisht një audicioni.

 

Pjesë e manifestimit është edhe koncerti për fëmijë “Xixat e Flakës”. Aplikimi për pjesëmarrje në këtë koncert mund të bëhet në Njësinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan.

 

Në artin dramatik “Talia e Flakës”, që është njëra nga katër shtyllat kryesore të manifestimit “Flaka e Janarit” do të përzgjidhen pesë shfaqje teatrale, duke i kushtuar rëndësi përfaqësimit nga trevat mbarëkombëtare.

 

Përndryshe, “Flaka e Janarit” është bërë pjesë e identitet kulturor të këtij qyteti, i cili gjatë janarit, për tri javë ditë rresht, kthehet në një kryeqendër shqiptare të kulturës.

Kthehu mbrapa

Shto koment