Festivali që ngjalli jetën dhe i dha kuptim ditës së çlirimit të Gjilanit

18.06.2013 (komentet: 0)

Shumë artist të skenës, këngëtar, valltar, rapsod, ansamble, shoqëri, instrumentalit kanë ngjallur për dy ditë jetën në Gjilan. Ata ishin pjesë e ditës së çlirimit të Gjilanit së bashku me shumë gjilanas dhe mysafir të ftuar special nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova Lindore e qytete tjera të Kosovës. Në këtë festival pati vlera dhe u ndanë dhe çmime e mirënjohje.

Për dy ditë radhazi Gjilani ka kremtuar ditën e çlirimit, duke festuar me këngë e valle me rastin e 14 vjetorit të ditës së çlirimit. Ditën e çlirimit e ka madhështuar organizimi dhe mbajtja e Festivalit tradicional kombëtarë i këngëve dhe i valleve “Gurra Popullore 2013”.

Shaban Shabani njëri nga udhëheqësit artistik tha për rajonipress se Festivali ka filluar me defilimin e ansambleve nëpër qytet. Ndryshe Festivali tradicional e kombëtar i 12 me radhë “Gurra Popullore” është mbajtur nën patronatin e kryetarit të komunës dhe të MKRS, të Qendrës së Pavarur kulturore në Gjilan , drejtorisë për kulturë e sporte dhe në bashkëpunim me ansamblet AKV “Gurra” , AKV-"Gjilani", AKV "Alba -Folk".

Shabani tha se ishte i kënaqur me rrjedhën e Festivalit sepse në skenë kanë defiluar artistë e ansamble të merituara nga trevat shqiptare. Gjatë dy mbrëmjeve u paraqitën vlera të këngëve e valleve të bukura burimore e të përpunuara – koreografike shqipe.

Në festival kanë marrë pjesë 12 ansamble në konkurrim duke filluar nga AKV "Bajram Shabani" nga Kumanova , AKV"Kemajl Azizi" nga Vitia, AKV "Josip Rela” nga Podujeva , AKV "Alba Folk” nga Gjilani, AKV" Xhavit Haziri” nga Kastrioti dhe "Lidhja e Prizrenit” nga Prizreni.

Shabani tha se në Festival kanë dominuar vlerat e mirëfillta të melosit ku prioritet ka pasur kënga popullore qytetare dhe vallja koreografike, por edhe folklori e vallja jonë tradicionale shqiptare.

Të gjitha ansamblet në fund janë nderuar me mirënjohje kurse juria profesionale në përbërje Sami Piraj muzikolog e kritik, Izet Kallaba, muzicient kompozitor dhe maestro Dilaver Kryeziu koreograf ka pasur mjaft punë për t`i dalluar më të mirët .

Sipas jurisë këngëtarja më e mirë është shpallur Besa Vllasa nga Ansambli “Josip Rela” nga Podujeva. Çmimi këngëtari më mirë iu nda rapsodit Jeton Fetiu nga AKV “Gurra” e Gjilanit. Çmimi instrumentalisti më i dalluar iu nda Murat Ismailit nga AKV "Gjilani", çmimi valltarja më e dalluar i takojë Festina Qerimi nga AKV "Alba Folk” , vallja koreografike më e mirë i takojë AKV “Minatori i ri" nga Kishnica .

Çmimi për valle të bukura autoktone iu nda ansamblit “Gurra”derisa çmimi për kultivimin dhe interpretimin luajtjen e valleve shumë karakteristike iu nda ansamblit "Bergzama” nga Lushnja . Çmimi orkestrina më e kompletuar iu nda orkestrës së ansamblit "Xhaledin Zeqiri” nga Tetova , derisa çmimi për kultivimin , ruajtjen , interpretimin e këngës polifonike – karakteristike iu nda ansamblit “Lunxheria” nga Gjirokastra.

Juria ka ndarë edhe tri çmime për ansamblet më të dalluara . Kështu çmimi i tretë iu nda ansamblit "Josip Rela” nga Podujeva, çmimi i dytë ansamblit “Gjilani” dhe çmimi i tretë ansamblit "Xheladin Zeqiri” nga Tetova.

Këshilli organizativ i festivalit me çmim special për vlera të treguara e nderoi AKV "Lidhja e Prizrenit”.

Në këtë festival u nda për herë të parë nga organizatori çmimi i karrierës “Xhevat Ismajli” . Dhe këtë çmim me meritë e mori veterani dhe njëri nga këngëtarët më të shquar shqiptarë Demir Krasniqi./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment