Festival me përmasa ndërkombëtare

23.06.2012 (komentet: 0)

Festivali “Gurra Popullore” duhet të jetojë,të rritet dhe të ketë edhe karakterin kombëtarë e ndërkombëtarë ka thënë Jehona Shyti nga Ministria e Kulturës, derisa hapjen solemnisht e ka bërë Ahmet Isufi. Ambienti i bukur në kompleksin “Vali Ranch” i ka dhënë gjallëri dhe jetë kulturore qytetit të Gjilanit. Ansamble nga të gjitha trojet shqiptare janë mbledhur në Festivalin e këngëve dhe valleve “Gurra Popullore”për të treguar vlerat e tyre artdashëse.

 


Edhe publiku i shumtë dhe vallet e këngët e vjetra burimore dhe autoktone e kanë shndërruar këtë festival në një festival të përmasave ndërkombëtare. Nën organizmin e ansamblit “Gurra” dhe të shoqatës së pavarur kulturore për Anamoravë,festivali ka nisur me paraqitjet dhe prezantimet e ansambleve nga Elbasani, Gjirokastra, Fieri, Tirana, Shkupi, Vleshta, Struga si dhe ansamblet nga Kosova “Agimi”, “Josip Rela”, “Zëri i Kosovës”, “Hajdar Dushi”, “Bresana”, “Gurra” e “Albafolk”.

Duke folur për festivalin Nazim Gagica drejtor i festivalit tha se ky është i 11 me radhë dhe se kanë arritur që të sjellin para publikut gjilanas ansamblet më reprezentative nga trojet shqiptare. Gagica tha se pretendohet që ky festival në të ardhmen të jetë edhe ndërkombëtarë.

Jehona Shyti nga Ministria e Kulturës nën patronatin e së cilës po mbahet festivali tha se ky festival duhet të jetojë,të rritet dhe në të ardhmen pos vlerave e karakterit kombëtarë duhet të ketë karakter edhe ndërkombëtarë.

Izmi Zeka në emër të institucioneve komunale tha se kultura është ambasadori më i mirë dhe më i rëndësishëm. Solemnisht hapjen e ka bërë Ahmet Isufi deputet në Kuvendin e Kosovës. Isufi tha se Gurra asnjëherë nuk është ndalur edhe në kohërat më të rënda.

Në natën e parë publiku dhe juria e përbërë nga Jahi Jahiu,Sami Piraj,Izet Kallaba,Isa Jakupi ka dëgjuar këngët dhe vallet e ansambleve nga Struga,Gjakova,Vushtrria,Gjirokastra,Gjilani,Opoja,Fieri.

Në natën e dytë(e premte) para publikut të shumtë pritet të prezantohen ansamblet nga Prizreni,Fushë Kosova,Podujeva,Elbasani,Shkupi,Gjilani dhe Struga./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment