Faktorët që ndikojnë në mësim

11.09.2013 (komentet: 0)

Shkollat tashmë kanë filluar, edhe mësimet po ashtu. Çdo nxënës e fillon vitin e ri shkollor me dëshirën për të arritur sukses. Shumica e nxënësve nuk e shohin veten të suksesshëm në shkollë dhe mendojnë se po të mësonin më shumë do të bëheshin edhe më të suksesshëm.

Çdo nxënës mund të arrijë suksesin në lëndë të ndryshme. Ka nxënës që janë të suksesshëm në disa lëndë e në disa të tjera jo. Ndërkohë që disa nxënës i përkushtohen më shumë lëndëve të arsimtarëve të preferuar disa të tjerë preferojnë të mësojnë lëndët për të cilat kanë më tepër prirje.

Nxënësit e tjerë nuk arrijnë të kuptojnë arsyen dhe sesi arrijnë të bëhen të suksesshëm shokët e tyre me kaq pak punë. Për këtë arsye nxënësi duhet të “mësojë të mësuarin” që në moshë të vogël. Dhe kjo bën të mundur kuptimin e mangësive tek prirjet për fusha të ndryshme, mbartjen e ndjenjës së kureshtjes, të menduarit mbi gjërat e mësuara.

Duke kuptuar mangësitë, nxënësi plotëson njohuritë e pamarra dhe motivohet maksimalisht për mësim. Andaj duhet kuptuar prirjet për një motivim të mirë. Gjumi i nxënësit, fitimi i aftësive themelore si ajo e ushqyerjes, mundësimi i kushteve fizike, mosprezenca e problemeve serioze familjare dhe shëndeti i nxënësit janë kushtet dhe faktorët themelor për një motivim të mirë. Kureshtja dhe dëshira për të mësuar te nxënësit lehtëson mbajtjen mend të gjërave të mësuara.

Pergaditi: Brikena Azizi

Kthehu mbrapa

Shto koment