Enver Zhinipotoku Lapsi që nuk rri urtë

13.12.2016 (komentet: 0)

 

 

Zgjimi-  Ferizaj

2016

 

Në shtator 2016 z. Enver Zhinipotoku më dhuroi librin e tij të fundit "Lapsi që s'rri urtë", një përmbledhje artikujsh publicistikë për tema nga më të ndryshmet. Në 440 faqet e tij lexon psh për problemet e integrimit në BE, për mendimin filozofik shqiptar, për lustracionin, për mitet serbe dhe greke kundër shqiptarëve, për luftën për çlirim, për figura të shquara kombëtare, etj. Unë mora guximin të paraqes vetëm disa fragmente, sa për ta joshur lexuesin..

 

f.  114

Hapja e dosjeve: po por kujdesshëm

 

Komunizmi ishte një e keqe e madhe për nga mënyra e funksionimit si sistem në shekullin e kaluar. Një e treta e njerëzimit ishte e përfshirë në të, për më tepër shqiptarët pa fajin dhe pëlqimin e tyre.

Të gjithë u ziem në këtë kazan, por të gjithë nuk jemi ndyrë njësoj, nuk përfituam prej tij njësoj, por edhe nuk vuajtëm njësoj...Dikujt i janë ndyrë rrobat, dikujt lëkura, dikujt mishi e të pamëshirëshmëve dhe të pashpirtëve edhe ashti me palcë.

Ljev Trocki ka thënë: Kushdo që ka dashur të jetë i lirë, ka gabuar që ka lindur në këtë shekull (XX).

Shaban Kajtazi një ish bashkëvendës i imi, ish kryepolic i Kosovës, mesa kisha dëgjuar, ka ndihmuar të paktën në 20 raste, që fshatarë "ish ballistë", të dorëzuar te ai nuk janë vrarë si shumë të tjerë....Ai me ka thënë:

"në vitin 1952, u mbajt një mbledhje në Shkup me punonjës më të lartë të OZNA-s, unë isha i vetmi shqiptar. S. Stefanoviq, zëvëndës i Rankoviqit, tha ndër të tjera: Në rregulloren e UDB është precizuar se të gjithë shqiptarët duhen shpërngulur në Turqi. Deri tani i kemi larguar 120 000. Aksioni vazhdon."

Pas kësaj, shkova te Fadil Hoxha dhe kërkova dorëheqjen, për këtë arsye. Fadili nuk pranoi duke më thënë: kushdo që vjen pas teje nuk do jetë më i mirë se ti. Populli pret prej nesh, me gjithë këto të këqia që po i përjetojmë. 

...Kajtazi ka qenë delegat në Mbledhjen e Bujanit...

Ose të marrim Rifat Berishën. Shkolluar në Itali më 1933, oficer i ushtrisë shqiptare të Zogut, nënprefekt në Gilan në kohën e italianëve, një ndër themelueit e KAҪK, një organizator i Mbledhjes së Bujanit, figurë qendrore në Luftën e Drenicës kundër Shaban Palluzhës, një kuadër shumë i lartë pas lufte. Por më 1949 vritet bashkë me tre nipa të vet duke luftuar me OZNAn në Gajrak të Malishevës si armik i pushtetit jugosllav. ..Si ta quajmë këtë njeri tani?

..Mendoj se gjithçka duhet parë lidhur ngushtë me rrethanat dhe kohën.

...të kaluarën nuk guxojmë ta vlerësojmë pa kritere, as ta kosisim me kosën politike (procesi nul-bytyn te Kadareja), e as ta gëlltisim të tërën për të mbuluar të kaluarën tragjike. Atë duhet herrur mirë dhe baroja kemi sa të duash, prandaj punë jo e vogël për herrtarët dhe analistët e historisë.

 

f.145

Abuzimet e historisë

...shkrimtari nacionalist dhe shoven serb Dobrica Qosiq, tani në fund, kur pas pavarësisë së Kosovës po shihet se "toka e shenjtë serbe" u humb, si duket edhe ai, si "baba i serbizmit", po "evoluon" në qendrimet e tij. Qosiqi që tërë jetën dhe veprën e tij letrare e ndërtoi mbi mitet për Kosovën, që me këmbëngulje mbronte qendrimin mbi Kosovën "si tokë e shenjtë serbe", kur ishte futur në politikë dhe e kishte "kuptuar" se në praktikë kjo nuk shkonte, (maj 1992, mars 1993, kur ishte kryetar i të ashtuquajturës RFJ), ndërroi qendrim dhe shkrimtarëve serbo-malazezë nga Kosova, që i ishin ankuar për "padrejtësi" në Kosovë, u kishte thënë se: "nganjëherë duhet dhënë dorën, për të shpëtuar kokën" (deklaratë kjo e tij që, sikurse duket, ia ndërpreu karrierën politike nga regjimi fashist i Millosheviqit).

Dhe "babai i serbizmit" do të vijë duke u "zbutur" edhe më, sashtu që, në fund të luftës nga e cila Kosova u çlirua dhe u vu nën protektorat ndërkombëtar, Qosiqi do të lansojë tezën për "ndarjen e Kosovës" (gjë me të cilën sërish nuk u pajtua shovinizmi serb), për të "arritur" më në fund në përfundimin se "Kosova për Serbinë tanimë është e humbur").

..."Për mua, çështja e Kosovës është e zgjidhur. Dmth , ajo më nuk ekziston si krahinë jugore serbe. Ne e kemi humbur atë në luftë me shqiptarët..Me luftën e vitit 1999, Kosova është humbur politikisht. Asnjë atom të fuqisë nuk duhet harxhuar më për këtë çështje (....). Unë e këshilloj gjeneratën tuaj që të mos harxhojë fuqi për çështjen e Kosovës, sepse këtë e ka rregulluar historia, duke u anashkaluar juve...Leksioni im është ky: nuk ka më luftëra për serbët. Nuk bën të luftojmë më. Nuk kemi potencial biologjik, por as patriotik. Besoj se paqja është kusht i vetëm i ekzistencës sonë. Të bëjmë kompromise, të heqim dorë edhe nga parimet, nëse duhet ruajtur paqja"

 

...Ljev Trocki pat shkruar më 1912:

Serbia, me pushtimin e Kosovës, ia ka vënë vetes në qafë një gur mulliri. Sa më herët që të lirohet nga kjo barrë, aq më mirë për të dhe për popullin e saj.

 

...Tragjikisht, shteti amë i përgjysmuar me territore e popullatë, për gjysmëshekulli ka kënduar këngën: "Moj Parti, ta lumsha syrin/ s'guxon kush me ta prekë kufirin!",

kur prej katër vilajeteve të shtetit etnik shqiptar me sipërfaqe prej 90 000 kmvetëm vilajeti i Shkodrës ishte brenda territorit të shtetit amë, që i kishin mbetur 28000 km2.

 

mblodhi Bardhyl Selimi 6 dhjetor 2016

 

 

 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment