Eliza Dushku: Krenare për prejardhjen, optimiste për të ardhmen e Shqipërisë

06.10.2012 (komentet: 0)

Në kinema “Millenium” në Tiranë është zhvilluar premiera e dokumentarit “Dear Albania”, protagoniste kryesore e të cilit ishte aktorja e Hollivudit, me origjinë dhe shtetësi shqiptare Eliza Dushku. Në premierën e dokumentarit ishin të pranishëm, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ministra, përfaqësues të trupit diplomatik të medias e personalitete të artit, kulturës etj.

 

 

 

Ky dokumentar i cili promovon Shqipërinë është xhiruar në qytete të ndryshme, duke nisur me kryeqytetin, për të vijuar me Beratin, Korçën, Vlorën, Sarandën, Tetovën, Prishtinën, Tropojën, Ulqinin e Shkodrën. Vlerat historike e natyrore, kuzhina, zakonet dhe traditat e shqiptarëve sillen në këtë dokumentar, përmes vizitave që Eliza Dushku zhvillon në qytetet shqiptare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka konsideruar këtë dokumentar, një kontribut të madh për promovimin e Shqipërisë.

 

“Jemi mbledhur sot këtu, në këtë sallë kinemaje për të provuar një dokumentar i cili në fakt, është më shumë se kaq. Eliza e ka konsideruar këtë dokumentar një letër dashurie për Shqipërinë, unë do të shkoja dhe më tej, duke e konsideruar këtë dokumentar, një kontribut të madh për promovimin e Shqipërisë, një dhuratë të shkëlqyer që këta shqiptarë të mëdhenj, Eliza Dushku, Fadil Berisha, Toni Dovalani, Inva Mula, Ermonela Jaho, Lorik Cana, Blerim Destani  e shumë e shumë personalitete të tjera me famë botërore, i bëjnë Shqipërisë në këtë 100 - vjetor të Pavarësisë.

 

Jam i bindur se mijëra, ndoshta miliona njerëz do të grishen nga ky dokumentar, për të ardhur në Shqipëri, për të ndaluar në kryeqytetin e shqiptarëve. Unë jam i lumtur për këtë, sepse ne kemi çfarë t’i tregojmë botës. Ne kemi një qytet plot jetë, plot energji, plot besim dhe shpresë. Është kjo energji dhe ky besim, që na ka bashkuar, këto tre ditë arti në Tiranë, artistë me famë botërore, të gjithë me gjak shqiptarë (edhe ndonjëri që nuk është, jam i bindur se do ta dëshironte) dhe për këtë, unë dua t’i shpreh një falenderim në emrin tim  dhe të qytetarëve të Tiranës, për Elizën natyrisht dhe për Rik Fox, i cili ka qenë një mbështetës i madh i saj në këtë sipërmarrje, për drejtorin e këtij filmi por edhe për Fadilin, Blerimin Marigonën, Anxhelën, Emën, Krenaren, Feyzien, Lu Sierra, që janë sonte këtu me ne, jo thjesht për këtë dokumentar, por për t’u dhënë mundësi të apasionuarve pas artit, t’i shohin live në performancat e tyre.

 

Në qytetin tonë bashkëjetojnë në harmoni të plotë, modernia me klasiken, tradicionalia dhe bashkëkohorja por sërish ka mundësi të shumta të pashfrytëzuara, që do ta bëjnë Tiranën, një qytet edhe më të preferuar nga artistët, turistët por edhe tërheqës për investitorët.

 

Ne po ecim me shpejtësi për të kapur kohën e humbur dhe për t’i dhënë Tiranës  atë që meriton, më të bukurën në art, arkitekturë, urbanistikë, për të garantuar cilësi jete, mundësi punësimi, zhvillim ekonomik” – u shpreh në fjalën e tij, Kreu i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha.

 

Aktorja Eliza Dushku është shprehur keranare për prejardhjen e saj dhe optimiste për të ardhmen e këtij vendi:

 

“Dua të falenderoj të gjithë të pranishmit, sonte në këtë sallë. Më lejoni në radhë të parë të shpreh respektin tim të thellë, për të gjithë ju, Kryeministrin Berisha, Kryebashkiakun Basha, Fadilin.... Unë kam rrënjët e mia këtu, në Tiranë e po ashtu në Korçë nga e cila kam marrë kaq shumë e ju jeni pjesë e këtij filmi dhe sinqerisht asnjëherë nuk e kisha ëndërruar një gjë të tillë dhe një lidhje të tillë me këtë vend. Ndihem shumë krenare për prejardhjen time, për Shqipërinë time dhe siç do të shihni, ky dokumentar shpreh dashurinë time, dashurinë tonë për këtë vend. Realisht koha që kam kaluar këtu, ndonëse e shkurtër  më ka mbushur aq shumë dhe jam shumë shpresëplotë për njerëzit dhe të ardhmen e këtij vendi. Edhe njëherë dua t’ju falenderoj të gjithëve, faleminderit shumë”!

Kthehu mbrapa

Shto koment