Ekspertët e quajnë të dështuar arsimin parauniversitar

22.06.2015 (komentet: 0)

Viti shkollor 2014-2015 në arsimin parauniversitar po përfundon me telashe e sfida të shumta, që nga rezultatet e dobëta të nxënësve nëpër testet e njohurive e deri tek dështimet që ka vënë në pah realizimi i kurrikulës së re që po pilotohet nëpër shkollat fillore dhe të mesme.

 

Ekspertë të arsimit thonë që shumëçka në arsimin parauniversitar duhet ndryshuar nëse, sipas tyre, duam të shpëtojmë gjeneratat e reja nga “apokalipsi”. Drejtorët e shkollave përmendin një varg problemesh, shkruan sot Koha Ditore.
Ata madje edhe vetë po vënë në pikëpyetje rezultatet e nxënësve të shkollave të tyre nëpër testet e njohurive, nëse vazhdohet me këtë qasje ndaj shkollave dhe arsimit.

Ndërkaq zyrtarë të Ministrisë së Arsimit e shohin ndryshe situatën, duke thënë se arsimi parauniversitar po përmirësohet gjithnjë e më shumë, përcjell koha.net.

Eksperti i arsimit parauniversitar, Halim Hyseni, ka thënë për “Kohën Ditore” se rezultati i testeve të njohurive për klasat e nënta që Ministria i ka prezantuar me arritje mesatare prej 62 për qind “është i fryrë dhe nuk është i besueshëm”. Sipas tij, po të ishte real edhe kështu siç është prezantuar, sërish është i pavolitshëm, sepse 38% e nxënësve nuk kanë arritur të dëshmojnë se janë të aftë për lexim- shkrim gjatë gjithë jetës.

E telashet dhe problemet që e kanë përcjellë këtë vit shkollor i pohon edhe drejtuesi i gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë. 

Drejtori i saj, Osman Beka, ka thënë se si sukses mund të përmendet vetëm disiplina e shtuar tek nxënësit, pasi që pothuajse ky ishte ndër vitet më te qeta që nga paslufta, me as më të vetmin incident në shkollë apo ndërmjet nxënësve.

E kolegu i tij, drejtori i shkollës fillore “Xhemail Mustafa”, Qazim Çunaku, ka thënë se edhe shkollën e tij e kanë përcjellë shumë sfida gjatë këtij viti shkollor. 
 /telegrai/

Kthehu mbrapa

Shto koment