Dyshime për Mësimdhënësit që Nxjerr Edukimi

02.07.2012 (komentet: 0)

Ministria e Arsimit pritet të nxjerr një vendim për vazhdimin e punës në Fakultetin e Edukimit, edhe pse Agjencia për Akreditim e Kosovës vlerëson se ky fakultet nuk do të duhej të akreditohej për të nxjerrë mësimdhënës për programe lëndore.

 

nga  Lulzim Ahmeti

Rezultatet e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AAK) nuk do të riakreditonin Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës/Prizrenit, për shkak të mospërmbushjes së rekomandimeve të saj për programet lëndore.

Agjencia e ngritur nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për vlerësimin e cilësisë në  institucionet publike dhe private të arsimit të lartë vlerëson se Fakulteti i Edukimit mund të përgatis mësimdhënës për klasa të nivelit parashkollor dhe fillor, por jo edhe për lëndë specifike pasi për këtë kërkohet që studenti të kryejë një bachelor përkatës në fakultet tjera dhe pastaj një master në edukim.

Pas këtyre vlerësimeve, Ministria krijoji një grup të ekspertëve për vlerësimin e të arriturave të fakultetit në programet lëndore dhe pritet që ajo sërish të lejojë punën në këtë fakultet.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, në Agjencinë e Akreditimt të Kosovës, Ferdije Zhushi - Etemi, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, tha se deri më 30 shtator, kur u skadon akreditimi trevjeçar, do të riakreditohen Fakulteti Ekonomik, Juridik, i Mjekësisë, Filozofik, i Shkencave Aplikative në Ferizaj dhe në Mitrovicë si dhe një pjesë e fakultetit të Bujqësisë.

Por në Fakultetin e Edukimit, thotë Zhushi-Etemi, ka pasur vonesa në implementimin e rekomandimeve të vitit të kaluar.

Sipas saj, agjencia ka kërkuar që Fakulteti i Edukimit të ristrukturohet si dhe programet lëndore të kalojnë në departamentet përkatëse në fakultete tjera. Zhushi-Etemi thotë se studentet  duhet të kryejnë një bachelor në lëndën përkatëse dhe pastaj të bëjnë një master në edukim, pasi ky model aplikohet edhe në Europë dhe rajon.

Kështu AAK pret që Fakulteti i Edukimit të merret vetë vetëm me aftësimin e mësimdhënëseve për nivelin parashkollor dhe fillor. “Ata që duan të bëhen mësimdhënës të lëndëve përkatëse duhet të kryejnë një bachelor në fakultetin përkatës pastaj në Fakultetin e Edukimit mund të vazhdojnë me master”, tha Zushi-Etemi. “Për programet lëndore, mënyra aktuale e funksionimit nuk është e duhur për përgatitjen e mësimdhënësve cilësorë dhe të aftë për ato lëndë”.

foto  
Ferdije Zhushi - Etemi, AAK
 

 

Po ashtu, AAK ka kritika në lidhje me kualifikimet e stafit që jep mësim në këtë fakultet.

Zushi-Etemi tha se AAK ka gjetur gjatë hulumtimit të saj se në atë fakultet bëhen punësime pa kritere dhe në bazë të njohjeve e lidhjeve. “Ne kemi evidencë që shumica e stafit që jep mësim në Fakultetin e Edukimit, është jo e kualifikuar për ato lëndë”, tha ajo. “Në Fakultetin e Edukimit, kemi mësimdhënës që japin mësim prej shkollave të mesme, e që absolutisht nuk janë të kualifikuar të japin mësim në këtë fakultet”.

Numri i të punësuarave në marrëdhënie të rregullt pune është më i vogël se sa i atyre të angazhuar, shtoi ajo.

Ristrukturimi, sipas saj, do të duhej t’i eliminonte këto probleme. “Agjencia e Akreditimit është e interesuar që t’i ndalë këto parregullsi pasi çështja është tepër e ndjeshme. Duhet të brengosemi, se ata studentë po aftësohen për t’i mësuar gjeneratat e ardhshme”, tha Zushi-Etemi.

Dekani dyshon tek agjencia 

Me vlerësimet e AAK-së nuk pajtohet dekani i Fakultetit të Edukimit, Hasan Mujaj, i cili thotë se programet aty janë në harmoni me të universitete të Lubjanës dhe Zagrebit.

“Stafi i Fakultetit të Edukimit është i dyti pas fakultetit të mjekësisë për kak profesionalizmi, të kualifikuar me gradë përkatëse shkencore”, thotë dekani Mujaj, duke treguar se aktualisht, fakultet ka të punësuar rreth 90 profesorë dhe asistentë. “As një mësimdhënës nuk pranohet në marrëdhënie pune pa konkurs, përveç atyre që janë të angazhuar”.

“Po deshi Agjencia e Akreditimit të jetë korrekte, në çka dyshoj, po deshi të punojë në bazë të fakteve, do të duhej të akreditoheshin të gjitha programet - edhe lëndore edhe programi fillor dhe parashkollor. Nëse agjencia për ndonjë arsyeje siç thuhet të shpërndarjes të studentëve në fakultetin e shkencave matematiko-natyrore nuk e riakrediton Edukimin, atëherë kjo është e padrejtë”, tha Mujaj.

Sipas tij, që nga muaji tetor i këtij viti, kur edhe fillon viti i ri akademik 2012-2013, Fakulteti i Edukimit, i cili ka 6700 studentë, do ta ketë objektin e ri i cili do të plotësohet me inventarë dhe infrastrukturë dhe me këtë krijon kushte dhe hapësira më të mira për mësim.

Rreth problemeve në Fakultetin e Edukimit, zyrtarët e Rektoratit nuk kanë dashur të komentojnë. “Për pyetjet e parashtruara kontaktoni me zyrtarët e Fakultetit të Edukimit, rekomandimet e adresuara për këtë njësi nga Agjencioni i Akreditimit janë detyrime të stafit menaxhues të Fakultetit në fjalë”, tha zëdhënësja e Universitetit të Prishtinës (UP), Ferdane Llonçari, e kontaktuar nga Gazeta.

Përveç Prishtinës, Fakulteti i Edukimit funksionon edhe në Gjilan, Gjakovë dhe në Prizren por për nga parregullsitë dhe problemet prinë edukimi i Prishtinës, sipas AAK-së.

Megjithatë, Ministria pritet t’ia lejojë vazhdimin e punës.

Këshilltari i Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ragip Gjoshi, thotë se është kryer vlerësimi për Fakultetin e Edukimit dhe vendimi pritet të nënshkruhet nga ministri, Ramë Buja.

Ai thotë se ministria është e interesuar që të akreditohen të gjitha programet e Universitetit të Prishtinës, ndërsa programet e Edukimit do të reformohen. “Ne e kemi finalizuar draftvendimin, i cili do t’i dërgohet ministrit për nënshkrim dhe kështu Fakulteti i Edukimit do të riakreditohet”, thotë Gjoshi, për Gazetën JnK.

Ai thotë se ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë kanë vlerësuar vlerën dhe qëndrueshmërinë e programeve në Fakultetin e Edukimit, por se kërkesa për reformim dhe ristrukturim është bërë edhe nga Komisioni Europian.

/gazetajnk/

Kthehu mbrapa

Shto koment