Dita Botërore e Fëmijëve 1 qershor

01.06.2015 (komentet: 0)


1 Qershori është dita ndërkombëtare e mbrojtjes së fëmijëve, ku
vëmendja e prindërve, shtetit dhe shoqërisë drejtohet tek fëmijët në
drejtim të respektimit të të drejtave të tyre dhe rritjes të mirëqenies. Në
këtë ditë fëmijët bëhen qëndra e botës dhe aktivitete të shumta u
kushtohen vetëm atyre. Vetë ata ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në
ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojra festive. Përveçse
një ditë festive, 1 Qershori është edhe një ditë sensibilizimi për të ndalur
dhunën dhe abuzimin me fëmijët, sidomos angazhimin e tyre në punë
kur janë ende të mitur.

UNICEF që prej 1950, punon në 190 vënde të botës me familjet,
bashkësitë dhe qeveritë për të garantuar të drejtat e fëmijëve. Që prej
1989, shumë qeveri kanë adoptuar Konventën e OKB mbi të drejtat e
fëmijëve, e cila garanton zbatimin dhe respektimin e të drejtave të
barabarta për çdo fëmijë, me qëllim plotësimin e nevojave të tyre për
mbijetesë, rritje, pjesëmarrje dhe përmbushjen e potencialit të tyre.
Megjithatë, ende miliona fëmijë në botë janë prehë e dhunës, abuzimit
dhe diskriminimit, dhe shumë të tjerëve nuk ju garantohet shëndeti,
ushqimi, streha, shkollimi apo shfrytëzohen duke lypur apo punuar për
të tjerë.
Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 Qershor, sepse në këtë datë është
mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqënies së Fëmijëve në Gjenevë, në
1925. Në të njëjtën ditë, koinçidoi që konsulli i përgjithshëm kinez në
San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm
fëmijësh jetimë kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Dy
vjet më pas Festa e 1 Qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.
Organizatat e Kombeve të Bashkuara, kanë rekomanduar edhe ditë të
tjera të cilat lidhen me fëmijët si: Dita Universale e Fëmijëve, e kremtuar
në 20 Nëntor, Dita Botërore kundër punës së fëmijëve, e kremtuar në 12
qershor nga ILO, Dita ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve si
ushtarë, e kremtuar në 12 shkurt nga UNODA, etj si dhe të tjera ditë të
kremtuara nga OJF të ndryshme që marrin në mbrojtje fëmijët.

Kthehu mbrapa

Shto koment