“Dëshmitari” - dramë mbi fatin e grave të dhunuara gjatë luftës

24.01.2014 (komentet: 0)

 Natën e katërt, të parafundit të Festivalit “Talia e Flakës”, që po mbahet në Gjilan, u dha shfaqja “Dëshmitari” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me autor dhe regji të Selami Tarakut dhe lojën e aktorëve Aida Alidemi, Hysen Binaku e Basri Lushtaku. 

Shfaqja trajton fatin e grave të dhunuara gjatë luftës. Gruaja në shfaqjen e Tarakut “Dëshmitari” është njëra prej atyre grave të dhunuara, e cila luftës e vuan këtë “faj”, si nënë dhe si bashkëshorte. 

Ngjarja zhvillohet në banesën e saj, ku pas luftës, papritmas shfaqet dhunuesi, i cili fillon një presion psikik mbi të, duke i treguar shumë detaje nga jeta e saj, përfshirë edhe dhunimin. 

Dhe, kur debati i tyre arrin kulmin, në shtëpi vjen bashkëshorti, i cili nuk e ka idenë se kush është mysafiri i paftuar. Ai fillon të diskutojë me të zotin e shtëpisë për gratë e dhunuara dhe për çudi, që të dy pajtohen se ato janë kurva, se ato është dashur të zgjedhin vdekjen para dhunimit seksual. Sipas tyre, këto gra meritojnë të izolohen dhe të nënçmohen tërësisht nga shoqëria. 

Pas një kohe, gruaja e pyet bashkëshortin se çfarë do të bënte nëse një person të tillë do ta kishte të afërt dhe përgjigja që merr nga ai, është dëshpëruese. Dhe në momentet kur biseda mes tyre acarohet, gruaja largohet në dhomën tjetër, ku merr një pistoletë dhe fillimisht e vret dhunuesin e më pas edhe bashkëshortin. Ndërkaq, fati i gruas mbetet enigmë. 

Drama nuk u shpëtoi kritikave as në Gjilan, për mënyrën se si është trajtuar tematika që ka zgjedhur Taraku. U tha se autori i shfaqjes ka bërë një trajtim shumë periferik të një teme, që ka të bëjë me fatin e femrave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. 

Dramaturgu Josip Papagjoni pati vërejtje jo vetëm te teksti, por edhe te koncepti regjisorial. “Dëshmitari” kishte nevojë për më shumë psikologji, ka thënë ai. Ndërkaq, dramaturgu Nebih Islami tha se situata që zhvillohet në dramën e Tarakut, është realizuar zbehtë. 

‘Talia e Flakës’ mbyllet sonte (e premte) me shfaqjen “Tri mendje në ankand” të Teatrit Metropol nga Tirana, pas së cilës zhvillohet tryeza e kritikës si dhe vazhdohet me ndarjen e çmimeve të festivalit, sipas vlerësimit të jurisë profesionale në përbërje: Rajmonda Bulku, Jahi Jahiu e Aurita Agushi. 

Ndërkohë, manifestimi “Flaka e Janarit” vazhdon më 26 janar, me festivalin e muzikës për fëmijë “Xixat e Flakës” dhe tutje, me aktivitet tjera, deri më 31 janar. /2LONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment