Demë çobani (tregim)

28.07.2013 (komentet: 0)

I madh e i vogël në fshat i kishin drejtuar sytë, e zgjatur veshët, kah shtëpia e Demë çobanit. Atje ishin mbledhur burrat për t’i bërë derman një halli që kishte kjo familje. Ka më tepër se një muaj që Dema ishte mbyllur në shtëpi dhe nuk dilte jashtë. Bile as me dhenë.


Muhamet HALILI



Kjo ishte krejtësisht e pashpjegueshme dhe askush nuk dinte t’i jepte përgjigje të qartë kësaj çështjeje. Po të ishte në pyetje ndonjë çoban tjetër edhe nuk do të ishte bërë e madhe kjo punë, por bëhej fjalë për Demën. Të mos shfaqej ai një ditë me dhenë në bjeshkë ishte e paimagjinueshme për krejt fshatin!

Ai edhe ashtu gati po shkelte në të dyzetat dhe madje as nuk ishte martuar.Thonë se refuzimet që i kishte bërë në dy tri rastet e fundit kishin qenë pikërisht për shkak të tufës së tij të deleve. Martesa do ta pengonte të jetë i përkushtuar për to, mendonte Dema, për t’i injoruar pastaj propozimet që i bënin dashamirët e tij.

I mbyllur në dhomë, me telepilot në dorë, nuk linte pa lundruar në të gjitha kanalet e mundshme, në kërkim të lajmeve. Nuk kishte rëndësi nëse përsëriteshin ato. Ky ndryshim drastik në jetën e tij, nga pasioni për dele në pasion të fuqishëm për lajme, kishte bërë që familjarëve t’u shkonte mendja kahmos për të keq. E burrat që ishin mbledhur në odë, me izën e familjarëve të tij, donin të flisnin shtruar me Demën, për të parë se ku është halli.

- Mjeri unë mjeri, m’i kanë bo djalit diçka të keqe, - tha i mërzitur Mixha Dik, pamja e të cilit shprehte tejmase habinë, kah ky interesim i menjëhershëm për lajme, i birit të tij, për të cilin kishte menduar se nuk do të dinte as ta ndezte televizorin. tjerët në dhomë tymosnin duhan me të madhe në pritje që dikush prej tyre ta orientojë këtë mbledhim.

- O Demë, dil ndër burra, - u dëgjua më në fund zëri i njërit prej mysafirëve, që me krenari e quante vetën pajtimtar i kombit. E qetësinë pak minutash pas kësaj thirrje, e theu një tingull grrithës për veshët, që lëshoi dera teksa hapej, nga bagllamat që shihej se i kishte kapur ndryshku.  

-Vendosa! - tha rrastë, Dema.

Krejt e shikuan në sy, por edhe ai i drejtoi kokrrat e syve kah ata. Veç dallimi ishte se Dema mbante gojën mbyllur, e të tjerëve habia ua kishte hapur gojët, prej nga ndihej një e dihatur erë keqe nga lloji i duhanit kaçak, që e pinin shumica.

- Thash, se unë vendosa! - përsëriti fjalët e tij Dema.

- Çfarë kështu bir? - mori guximin ta pyeste babai i tij, derisa të tjerët zgurdullonin sytë në pritje për të mësuar se për çfarë bëhej fjalë.

- Do të kandidohem në këto zgjedhje! - pohoi ai. E fjalët i dolën sikur qysh del gjylja nga topi pasi të dëgjohet urdhëri: Zjarr!

Po kah doli kjo tani se?! Mozomakeq për mua! – e përjetoi rëndë mixha Dik këtë vendim posa e dëgjoi, duke i dalur këto dy fjali, me një zë të dridhur, nga turpi që e vlerësonte se ia sillte biri i tij në këto momente, para krejt atyre burrave në odë.  

- Po ti o bir, as shkollë nuk ke për t’u bërë politikan! – tha ai, duke u përpjekur që ta ftohte nga ky vendim.

- I kam katër vjet tek axha Azem, boll janë ato për tek ne! - ia ktheu Dema, duke mbajtur një qëndrim gatitu sikur të ishte në raport para ndonjë komandanti.

Në fakt, axha Azem, që përmendi Dema, ishte mësuesi i tij i katërvjeçares. E kishin edhe fqinj dhe kurrë nuk ishte mësuar ta thërriste mësues, bile as përgjatë orëve mësimore, por përherë i drejtohej me titullarin tradicional: Axha Azem!

- Axha Azem, a ta them unë vjershën?! Axha Azem a të shkoj në WC?! Axha Azem, baba më ka thënë me të kallxue se nesër nuk mundem me ardhë në shkollë se nuk ka kush me i lëshue delet?!, e pyetje të tjera të ngjashme duke e thirrur me epitetin e moshës kalendarike.

- Ulu, ulu pak e sqarona ma mirë këtë mesele, - u dëgjua sërish fjala e shpëtimtarit të kombit, i cili e bëri atë pamje të fytyrës, sikur donte të tregonte se ishte më i mençuri aty, e që në njëfarë mënyre sikur po i thoshte Demës, çfarë është ky budallallëk.

I ulur në mes të dhomës këmbëkryq, Dema nisi ngadalë të sqarohej para burrave. E dinte se duhej për t’i bindur ata për vendimin që kishte marrë, sepse do t’i duheshin në këtë rrugëtim. E forma si e nisi ta bëjë këtë, e vuri në pah edhe faktin se ai veç kishte filluar të ndihej si politikan.

- Burra. Shumëçka përgjatë këtij muaji kam mësuar përmendsh. Fati im që trurin nuk e kisha të ngarkuar. E truri taze po i merrte sahora fjalët brenda, - tha Dema, duke e prodhuar me këto fjalë edhe një buzëqeshje si të grave.

- Kati i teshave të Bacit me të cilat ai pat hyrë dhëndër e më nuk i ka veshur kurrë, do të ma dhuronte pamjen e duhur prej një politikani. Po ashtu, ju siguroj se edhe nga do vese të këqija që i kam pas, do të heq dorë sa më parë, siç është rasti mos me i pre thonjtë me muaj, e me u rrue veç për Bajram a ndonjë të kremte tjetër, e me hangër pogaçe me djath e kos, për çdo ditë.

- Mos more djalë, belbëzoi ngadalë Mixha  Dik, fytyrëskuqur pasi ndihej i koritur, por fjala iu ndërpre nga vetë Dema.

– O babë, mos ke gajle, e mos u mërzitë për këtë punë, se lehtë është sot me u bë politikan ndër ne. Mjafton me ua tejkaluar të tjerëve në premtime, - tha Dema, me optimizmin e skajshëm në sytë e tij, të tillë që nuk do të mundeshe ta gjeje në asnjë palë sy tjerë.

- E besa i kom mësuar do fjalë të zakonshme të politikanëve që rrinë bukur kurdo, kudo e para kujtdo që të thuhen ato, - shtoi ai.

- Patriotizmi duhet të jetë në ekstrem sa herë që e lyp situata. Amerika nuk duhet lëshuar nga goja. Ndërsa premtimet duhet të jenë  të tilla jo pse duhen ato, por pse  i ka qejf masa me i dëgjue.  Po ashtu kur flitet për krimin e korrupsionin, fjala zero tolerancë duhet të përmendet sa më shumë që është e mundur.

- Gënje sa të mundesh a kundërshtarët quaji gënjeshtarë, është një formulë tjetër mbi të cilën duhet të mbështetësh strategjinë. E mbi parimin “ku dhemb dhëmbi aty shkon gjuha”, duhesh t’u flasësh kategorive të ndryshme atë që kanë dëshirë për ta dëgjuar - vazhdonte sqarimin Dema.

- Çdo herë fjalimet duhet nisur me fjalinë: “Kur të vij unë në pushtet...”, për t’ia përkujtuar qytetarit që premtimet mbahen prej pozitës e të qenit në pushtet andaj duhet vota e tyre.   

- E, ku ka ma mirë se pensionistëve me u thanë se kur të vij në pushtet unë do t’ju rriten pensionet, - flsite tutje Dema, por në atë mënyrë sikur të mos u fliste më burrave në odë, por fëmijëve në rrugë.

- Po, premtimet për vende të punës, pinë ujë tek të gjithë, sepse sot koha është e tillë që si t’i bie mirë, i besohet edhe rrenës.

Pastaj, premtimet duhet dhënë edhe për projekte që janë të mëdha, autostrada, hekurudha, aeroporte, fabrika, integrime, liberalizime e të ngjashme që duhet kohë për implementim kështu që  përherë, kur ka ankesa, arsyetohesh me fjalët: “Kryhet me kismet. Çka u nis, nuk ka mbet pa u krye asnjëherë!”, vazhdonte Dema, edhe me citime të tilla që i kishte dëgjuar nga politikanët në  televizion.

Kështu, ai i numëronte tutje kategoritë dhe fjalët që duhet thënë në tubime me ta, ndërsa ana tjetër përpiqej të arsyetonte logjikshëm aventurën e gabueshme në të cilën kishte vendosur të futej Dema, duke u mundur me një gjuhë më të rafinuar, t’i tregonin atij që nuk e ka kryet për këtë punë. Por, kot.

Biseda e zgjatur me orë të tëra, nën cingërrimat e krijuara nga përplasja e lugëve në gota të çajit, nuk ishte e efektshme për ata që donin ta bindnin Demën të hiqte dorë nga ky qëllim. Ai nuk zmbrapsej ndërsa me lojë fjalësh arrinte suksesshëm ta vendoste muhabetin në rrafshin që donte.

Kishte vajtur ora tre e natës. Një pjesë e mirë e mysafirëve kërkuan izën e u çuan nga konaku të bindur tani më që nuk ka hajr prej kësaj pune, ngase e panë se nuk i thyhet mendja dot Demës, jo! E një pjesë tjetër e mysafirëve që qëndroi akoma, kinse për të vazhduar përpjekjet për të ndihmuar, ishin prej atyre mysafirëve që edhe kur kanë ardhur në fillim, nuk ka qenë derti i tyre halli i kësaj familjeje, por thjeshtë erdhën për llafe, çaj e patate të pjekura në prush të mangallit.

***

Mëngjesi u gdhi me posterë të shumtë të shpërndarë anekënd fshatit. Në to, shihej profili i Demë çobanit, me një pamje krejt të re, nga një malësor, i shndërruar në një burrë me sharm dhe shije. E nën të, motoja e tij, e ndikuar prej profesioni: “Mish qengji, qumësht e lesh për të gjithë qytetarët. Unë i mbajë premtimet!”

Ndërsa të trashët e Sulës, në njërën anë dhe llogarinë e tij bankare, në anën tjetër, i kishte gjithmonë në mendje!  /Muhamet HALILI/

Kthehu mbrapa

Shto koment