Çmimin “Pena e Flakës” e fitoi Mimoza Erebara nga Tirana

01.02.2014 (komentet: 0)

Me Orën e madhe letrare dhe shpalljen e rezultateve të konkursit letrar shërbyes, të premten në Gjilan është përmbyllur “Pena e Flakës” si pjesë e manifestimit “Flaka e Janarit”, që këtu mbahet në nderim të dëshmorëve të kombit.



Në orën e madhe letrare, me poezitë e tyre të pabotuara më parë, janë prezantuar mbi 50 krijues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe diaspora. Veçmas ka qenë i madh kësaj here numri i poetëve nga Shqipëria, të cilët e kanë begatuar orën letrare.

Juria në përbërje Nehat Sopaj, Ana Kove dhe Linditë Ramushi, çmimin e Orës letrare “Pena e Flakës” ia ndau poetes nga Tirana, Mimoza Erebara, për poezinë “Uni im në vetën e tretë”.

Ndërkohë, edhe juria e konkursit shpërblyes, në përbërje Musa Ramadani, Zejnepe Alili-Rexhepi e Nexhat Rexha i ka komunikuar vendimin e saj për punimet e shpërblyera në poezi dhe prozë. 

Zejnepe Alili-Rexhepi tha se konkursit i kanë arritur 276 punime, në të dy gjinitë. Juria ka ndarë këto çmime në poezi: Vendi i parë – poezia me titull “Mbrëmje pavarësie” (pa shifër), vendin e dytë e ndanë poezitë “Hiri” (pa shifër) dhe “Vjeshta e një gruaje” (shifra: 2463), vendi i tretë – “Një femër” (shifra: 13).

Edhe në prozë, juria ka ndarë tri çmime: Vendi i parë – “Shkrimi” (shifra: Liria për ty), vendi i dytë u nda për dy tregime  - Vdekja banale (shifra: Miku i vjetër) dhe “Përballë jetës” (shifra: Hylli), vendi i tretë – “Kalorësi i pestë”) shifra: Sigmund frend).

Punimet e shpërblyera duhet të deshifrohen me kopjen e katërt para jurisë vlerësuese. 

Në përputhje me rregullat e konkursit, juria ka përzgjedhur edhe një numër të punimeve në poezi e prozë, të cilat do t`i propozohen për botim revistës “Agmia”.

Kthehu mbrapa

Shto koment