Çmimi i orës letrare u ndahet Avni Rudakut dhe poeteshës Irena Gjonit

24.01.2013 (komentet: 0)

- Poezia “Në krejt botën është kështu” e poetit gjilanas, Avni Rudaku dhe poezia “Perënditë kanë etje” e poeteshës nga Shqipëria, Irena Gjoni, janë fituese të çmimit “Pena e Flakës”, për poezinë më të mirë te lexuar në Orën e madhe letrare e cila u mbajt në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2013”, ku poezitë e tyre i lexuan mbi 30 krijues nga Kosova, nga Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës.

 
Juria për orën letrare në përbërje: Hasan Bunjaku, Hysen Kqiku dhe Nijazi Ramadani, shpërblimin për poezinë më të mirë të lexuar, ia ndau poezive “Në krejt botën është kështu” të Avni Rudakut dhe poezisë ‘Perënditë kanë etje” të poeteshës Irena Gjoni, për çka Hasan Bunjaku, anëtar i jurisë tha se juria ishte unanime në vlerësimin e saj dhe mori vendim që çmimin ‘Pena e Flakës”, ta ndajnë të dy poezitë.

Në Orën e Madhe Letrare, që mbahet në kuadër të “Penës së Flakës” me poezitë e tyre janë paraqitur poetët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës si:  Haxhi Vokshi, Sejdi Berisha, Nexhat Halimi, Kreshnik Sopaj, Ana Kove, Demir Behluli, Engjell Koliqi, Xheladin Rexhepi, Agim Desku, Irena Gjoni, Halil Haxhosi, Muharrem Kurti, Agim Bajrami,Vladimir Musaj, Miradije Ramiqi, pëllumb Gorica, Gjon Gjerxhaj, Avni Rudaku, Fatime Ahmeti, Sabit Idrizi, Zana Piraj, Miftar Kurti, Sabit Gecaj, Nebi Bunjaku, Arsim Halili, Bilall Maliqi, Zahit abdyllahu, beqar Buzuku, ndue Ukaj, Jusuf Bislimi, Bilall Haliti dhe Shaip Ballaca.  

Në emër të përgjegjësit të shtyllës letrare,  Sabit Rrustemi, tha se në këtë orë letrare kemi poetë nga Saranda, Tirana, Kumanva, Lugina e Preshevës dhe shumë qytete të Kosovës, të cilët me ardhjen e tyre kanë nderuar dëshmorët e kombit në nderim të të cilëve edhe mbahet “Flaka e Janarit”, ata po nderojnë manifestimin, Gjilanin dhe fjalën e lirë. Ai tha se krijimet më të mira të lexuara në orën e madhe letrare dhe ato që ishin pjesë e konkursit anonim letrar, që janë vlerësuar nga juria për botim, do të botohen në revistën letrare “Agmia”.

Ndërkohë, juria e konkursit letrar anonim “Flaka e Janarit 2013”, për poezi dhe tregim të shkurtër në përbërje: Prend Buzhala, Albinë Idrizi dhe Ramadan Mehmeti, publikoi edhe fituesit e konkursit letrar në poezi dhe tregim të shkurtër.

Në emër të jurisë Prend Buzhala, tha se kanë pranuar dhe vlerësuar 214 poezi e 37 tregime, duke theksuar se në këtë konkurs kishte prurje cilësore. Ai tha se juria ka lexuar punimet, rilexuar dhe vlerësuar duke konstatuar se konkursi i sivjetmë  letrar i këtij manifestimi ruan me fanatizëm një traditë të begatë dhe kurajon artistët dhe fjalën e shkruar, përmes vlerave të cilëve nderon edhe ata që u flijuan për liri, ka ruajtur konstantën edhe sa i përket numrit përkatësisht vëllimit, por, në rend të parë edhe cilësinë në krijimet, qofshin ato poezi apo në prozë, tregime.

Buzhala tha se juria me unanimitet ka vendosur të ndajë këto çmime për konkursin letrar anonim. 

Në poezi: 

Vendi i parë: poezia “Vajzës me emrin Lumturia”, shifra Gj-1949-S, që doli të jetë e poetit Nikollë Spathari nga Shqipëria, 

Vendi i dytë:  poezia, “Kambanat e orës së pakurdisur”, shifra AL, që doli të jetë e poeteshës gjilanase, Linditë Ramushi

Vendi i tretë,  poezia “Varreza e braktisur në Çamëri”, shifra,  Durrësaku, që doli të jetë e poetit nga Shqipëria, Agim Bajrami

Në tregim :
Vendi i parë: Tregimi “Në pritje”, shifra letërshkruesi 2000
Vendi i dytë:   “Monologu i embrionit”, shifra 17.02.20.04, që doli të jetë i Irena Gjonit nga Shqipëria dhe 
Vendi i tretë: tregimi “Kalorësit e Arqipelagut”, shifra Kalorësit nuk janë kthyer, që doli të jetë i Arsim Halilit.

Ndryshe, pas më shumë se dy javë aktivitetesh të ndryshme kulturore, të mbajtura në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2013”, i cili mbahet në kujtim dhe nderim të atyre që ranë gjatë janarëve të historisë, me këtë orë letrare dhe komunikimin e rezultateve të konkursit letrar, iu hap rruga shtyllës së katërt, asaj muzikore, “Fest Flaka”, me çka edhe do të përmbyllet ky manifestim kulturor tradicional “Flaka e Janarit 2013”, cili gjatë kësaj periudhe Gjilanin e shndërroi në qendër të kulturës shqiptare. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment