Buxhovi: Schmitt sulmon historinë shqiptare

22.04.2012 (komentet: 0)

Historiani Jusuf Buxhovi, i pranishëm në një debat të organizuar nga Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës së bashku me forumet rinore të partive politike shqiptare, ka qenë i ashpër në vlerësimin e tij për historianin zviceran, Oliver Jens Schmitt.



Buxhovi s’ka pritur të pranishmit që ta pyesin për Schmittin tek ka komentuar deklaratat e ligjëruesit të historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës në ligjëratën që ka mbajtur në Prishtinë dhe  në intervistën e tij në “Kohën Ditore”. Ai u ka thënë të rinjve në politikë se shqiptarët nuk kanë nevojë të frikësohen prej madhështisë së historisë së tyre. 

“Para disa ditësh Schmitt ishte këtu, një historian shumë i kontestuar, i cili e sulmon historinë tonë aty ku është gjëja më e shenjtë - Skënderbeun”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij, është turp i madh që një historian si Schmitt ftohet të ligjërojë para studentëve shqiptarë, deputetëve të Parlamentit të Kosovës e zëvendësministrave kosovarë. 

“Ai (Schmitt v.j.) fyen edhe shkon aq larg sa thotë se as teoria ilire nuk ekziston dhe se historia shqiptare duhet të shikohet në kontekstin ballkanik. Kjo do të thotë se duhet të kthehemi në një çorbë ballkanike”, ka thënë Buxhovi.

Kthehu mbrapa

Shto koment