As me qepë dhe as me hudhra

17.05.2015 (komentet: 0)

Kujtimit të Bacë Hasan Makës (tregim)

Përparim Hysi

Po ta shihni me vëmendje, titulli i tregimit ka një "korsiv". Dua të tërheq vëmendjen e lexuesëve për një fakt shumë domethënës: jam "takuar", pa pritur e pa kujtuar, me protagonistin e këtij tregimi: Isufin! Të takohesh me një personazh, që, sado pak mitik, ka qenë krejt i panjohur brenda kufijëve tanë gjeografikë, është pak si paradoks. Por e vërteta kështu është. Isufi i tregimit tim, nuk është askush tjetër veç Jusuf Mehaniqi dhe, sado që është vrarë qysh në mars të vitit 1926 nga xhandarmëria e Zogut, unë, befas,e "takova" dje dhe ndjeva një ngazëllim të tillë që duhet të ketë ndjerë Arkimedi, kur bërtiti "Eureka!". Për befasinë e këtij takimi, dua të falnderoj gazetën "Telegraf" që del në Kosovë dhe, një falnderim shumë emcionues, për autorin e shkrimit tek kjo gazetë, Zotninë e nderuar, Ismet Azizi.

 

Me pak fjalë, para se të sjell tregimin, dua t'ju them lexuesëve, se heroi i tregimit tim figuron vetëm me emrin Isuf (Jusuf). Ngjarjet në tregimin tim janë përshkruar sipas bisedës që kam bërë me bosnjakun e moshuar, Bacë Hasan Maka, dhe nuk i heq një presje tregimit tim. Në nuk e solla me mbiemrin e vet Isufin, pata arsye objektive. Nga të mënçmit ke se ç'mëson. Atë Gjergj Fishta tek "këndon " me "Lahutën e Malcisë" thotë diku në kangë: "... kështu na kanë thanë e atje s'kena kanë"/. Pra, unë s'kisha "kanë" dhe rrëfeva letrarisht,aq sa munda. Se, për të qenë i drejtpërdrejtë me lexuesin, unë djalin e Isufit(Jusufit), Lutfinë apo Lutfon e kam njohur nga afër dhe, po nga afër, kam njohur një nga djemtë e Lutfos, Isufin që e kish marrë këtë emër, nga gjyshi tij, hero në Sanxhak e trevat për reth dhe fare i panjohur në vendin tonë. Nga zoti Ismet Azizi mësoi se Isuf Mehaniqi i tregimit tim, as më pak dhe as më shumë paska qenë një hero për të cilin këndohen këngë e deri poema me lahutë. Isuf Mehaniqi e kaloi jetën e tij si kaçak dhe, këtë kaçak trim, nuk e nënështruan dot as Karagjoregjeviçët dhe as Knjaz Nikolla i Malit të ZI. Isuf Mehaniqi ka qenë mik i besës i Heroit të Popullit, legjendarit Bajram Curri dhe, pse ishte i tillë, qe thirrur në Shqipëri e qe vendosur në Shkodër ku ka lindur dhe djali i tretë (Lutfiu) i vetmi që jetoi nga tre djemtë e Isufit. Duke mos sjellë çdo gjë për Isufin, kalimthi (të më ndjejë zoti Azizi që "vjedh" të dhëna prej tij), ju them se ky kaçak në luftën kundër genocidit serbo-malazez ka vrarë me çetën e tij rreth 5000 vetë. Dhe u "alarmova" kur mësova për fatin e tij tragjik: atë që nuk arritën ta bënin dy mbretëri së bashku, e bëri Zogu me xhandarmërinë e tij: më 12 mars 1926 vritet në Shijak ku ish strehuar nga një kosovar me emrin Muharrem, trimi Isuf Mehaniqi. Gati një vit, pasi Zogu, kish vrarë Heronë e Dragobisë, Bajram Currin. Mars për mars. Bajram Curri është vrarë më 29 mars 1925. 
Mund të vazhdoja edhe më, me të dhëna rreth këtij, "takimi", por më duket se hyrja del më e gjatë se sa tregimi im. Por dhe me kaq, besoj se lexuesi do më falë...

Kisha vjete pa shkuar tek Bacë Hasan Maka. Dikur një gardh na ndante me shtëpinë e tij dhe nuk kish gëzim apo davet pa qenë tek njëri-tjetri. Kur them kështu, e kam fjalën për prindërit e mi. E quaj Bacë, se kur më tregoi, qe mbi të tetëdhjetat. Dhe, në kisha vjete pa u parë me të, kjo kish ndodhur se ne kishim mbi 30-vjet që qemë larguar dhe Baca mbeti aty. 
Kur e takova, ka qenë pranverë. Shtëpinë e ka patru mbi një kodër dominuese, në fshatin Petovë të Fierit. Është një kodër, disi më e ulët, se ajo ku është ngritur Manastiri I Ardenicës, një objekt kulti i njohur nga lexuesit. E marr si pikë referimi Manastirin, se dua t'u them lexuesëve: nga shtëpia e Bacë Hasanit deri tek manastiri do 40 minuta; nga po kjo shtëpi e deri në Fier, do tri- katër orë. Po ç'ta zgjat? Shkova i përmalluar dhe po me mall më priti Bacë Hasani. Shtriu duarët e tij të gjata drejt meje dhe më shtrëngoi fort për të treguar gjithë dashurinë e tij për mua. Se më ka dashur vërtet. Jo vetëm u rrita aty (pothuaj ngjitur i patëm shtëpitë), por kishe dhe njl arsye tjetër: unë punova si mësues aty për 25 vjet. Pra, nga gjithë familja ime e ikur, unë shihesha me Bacën. Ky takim qe i përmalshëm se unë isha transferuar si mësues dhe ndaj dhe mbresa qe më prekëse. Më futi në dhumën e zjarrit, ku digjej për qejf një zjarr që ta donte shpirti në këtë pranverë, pakëz, të ftohtë. Aty, mbasi u ula, Baca gjithmonë i kujdesshëm dhe i shquar për mikpritjen. më ofroi dy jastëkë të mbushur me lesh për ta ndjerë veten sa më më mirë. 
Sa bëmë përshëndetjet reciproke, Baca më zgjati kutinë e duhanit dhe, kur pa mosaprovimin tim, tha: 
- More jaran! Apo hala nuk je rrit ti? Prandej dhe nuk ma mësojnë fëmijtë në shkollë,- shtoi duke qeshur,- se mësuesi asht i "vogël". 
E drodhi për qejf të vet, e vendosi mbi një cigarishte të gjatë prej sërmi dhe filograma argjendi ku pjesa që vihej në gojë, ishte qelibar. Cigarishtja tregonte për një terjaki duhani dhe këtë e vëreje nga mënyra si e thithi. Si tymosi, tak dhe hapi televizorin. Në ekran jepeshin pamje nga demonstratat paqësore në Kosovë. Tek shikoje pamjet dramatike, nuk kishe si mos alarmoheshe. Shantazhi mbi këta njerëz kaq paqësor qe jo vetëm i llahtarshëm, por dhe i përgjakshëm. Goditnin pa mëshirë mbi njerëz të moshave të ndryshëm. Pa kursyer as gra dhe as fëmijë. Baca e ndjete më shumë (qe vet në rini me gjithë familarët në trevat e Sanxhakut). Kishte ardhur në Shqipëri, fill pas çlirimit vet i katërt vëlla dhe me një tabor fëmijësh me vete. Pa vetëm pak dhe shpërtheu si vullkan: 
- Po shkjau, shkja ashtë dhe kështu ka me kanë! Përnjime, mos kujton se po ndryshojnë. Jo, lum miku, digjo Bacalinë ti këtu,more jaran. Ani-ani, po ky magypi ( aludonte për Rrahman Morinën, në atë kohë, i pëlqyeri i Beogradit), nuk ka çajre pa pague haraç. Se shiqo, lum miku, ka ca njerëz që nuk hahen as me qepë dhe as me hudra. E, bash, nji aj. Rrahman "Gabeli" ( e ndryshoi nga mllefi), ka me e pague. Se kurrë asaj Kosovës Loke nuk i kanë munguar trimat. Po hej,- shfryu përsëri,- pritna Zot rrezikun! Përnjimend. ka me dalë atje, dobare ndonjë Isuf?!!! 
- Po a ke ndie për Isufin? A? 
- Jo, Bacali. 
Oh, bëri! Gati u korita. Mirë pra: Isufi asht i ati i Lutfos. Dhe, papritur miratimin tim për Lutfon (që në të vërtetë e njihja dhe e kisha takuar disa herë në shtëpinë e Bacës), vazhdoi...

... ka kenë ky, Isufi, një burrë i gjatë, me të ra plisi prej koke, kur don me e pa. Ka ranë kaçak dhe asht ba tmerr i mbretit dhe knjazit. Kërkohej me flori koka e tij, po ku zihej rrjolli( shqiponja)? Familja kish ra në Shqypni e ai, besa, sa andej e sa këndej. 
Një ditë, bajram paska kenë e aj, paska ra tebdil diku tek varrezat dhe po pret. Dikush ka me ardh, ndaj nuk e hup durimin. Kur ç'po sheh? Dy serbë (njiheshin nga veshjet nga larg), janë tuj ardh e rruga për aty bie. E, aj. Isufi. tuj prit. Janë tuj avit e po e tjerrin mirë bisedën mez vedi. Por shife, çak po digjon? I paska thanë njani , tjetrit:- more Vuk sot asht dita e bajramit dhe bash mu këtu, tek vorrezave, po ua bajmë nga një mut të madh këtyne kosovarëve!!! 
Mirë e ke mendue,- ia ka prit tjetri që, ça di veta ça po e quejnë? Po hajd, ta zamë, se po eq quejnë Zuk. E thanë... e bajnë!!! Aiiii! Po pse nuk u bie, more Isuf?!!! E, ndërsa ulen, Isufi hiç. As i gjallë dhe as i dekun! Sa "mbarojnë punë", lidhin pantollat dhe, pasi lëshojnë nga një "urim", "T'u bajë mirë për bajramllëk!", bëhen gati me vazhdue rrugën. Kur tak, si me dalë prej vorri, shfaqet me dykobure në dorë, veshur tebdil, Isufi. Dhe, ndërsa afrohet tek ata, u thotë: - Jam Isufi i Lutfisë, more! Çfarë bëtë në këto vorreza tona dhe çfarë thatë? Sërbët, sa dëgjuan emrin, i zuri e zeza. Ranë gjunjë dhe i thonë:- Aman, na fal! 
-Çfarë thatë?!- gjëmoi Isufi, duke u afruar edhe më. 
U detyruan të tegojnë dhe Isufi: 
- Kthehuni dhe hajeni atë ç'ka batë! 
-Aman! 
-Hajeni, se ju vrava!- gjëmoi frikshëm Isufi. 
Dhe u ulën. Secili me ngranë "pjesën e vetë". Isufi me koburet mu tek rranxa e veshit. 
Mirëpo kishin dhjerë bajagi (mjaft) dhe nuk mbarohej. Aty, siç mbillet diçka për sevap nga famailjarët, kishte qepë e hudra. Dhe njani i paska lut Isufit:- A e marr ndonji qepë a hudër? 
Dhe ashtu, me qepë e hudra, e kanë sosë atë që banë. E, kështu, lum Baca, njerëz si aj, Rrahman Morina, nuk hahen as me qepë dhe as me hudra. Po ka me dalë, opet, ndonji Isuf apo shumë Isufa. Po janë shute, mor jaran dhe këta që nuk hahen"as me qepë dhe as me hudra. Dhe qeshi. Ani-ani,- e mbylli tregimin,- ti ke me e pa vet që Kosova ka me ikë prek serbit. Vane vath në vesh prej mejet,se unë atëherë nuk kam me kanë. Po, ani. Le ta gëzojnë të rinjtë. 
Tek u mundova që t'i thosha ndonjë fjalë inkurajuese, ma preu:- E vet nga i madhi Zot po e shoh që nuk do të arrij, por ta gëzoni, bre dhe ti, si kënduet që je, thueje dhe nji fjalë për mue. I pemtova duke u larguar dhe, siç e shihni, këtë poe e shkruaj në kujtim të tij. Se, sado që e lashë gjallë, po shkonte drejt të nëntëdhjetave, mora vesh që ka vdekur. 
Ah,- them,- sikur të ishte gjallë edhe tani dhe ta shihte me sytë e tij se si do vejë puna e Kosovës. Se "Isufat" i mundën ata që nuk "hahen as me qepë dhe as me hudra" dhe ta shikonte se, veç tjerash, se si "imperialistët amerikanë" po japin gjithë atë konribut për pavarësinë e Kosovës. Sa do të gëzohej! 
Paqe mbi varrin e Bacë Hasan Makës! Amen!...

* e kam shkruar në korrik 2002 dhe kam përfshirë tek libri im "Lotët e kumurisë"

Përparim Hysi

Tiranë, 1 prill 2015

Marrë nga: AlabniaPress.com

Shih edhe :  Kaçaku që shpëtoi nga kral Nikolla dhe Karagjorgje, por jo nga Ahmet Zogu

 

Kthehu mbrapa

Shto koment