Arta Dobroshi në jurinë e Festivalit të Filmit në Sarajevë

07.07.2012 (komentet: 0)

Sarajevë, 7 korrik - Aktorja kosovare me nam botëror, Arta Dobroshi do të jetë pjesë e jurisë së njërit prej festivaleve më të njohura të filmit në Evropë. Ajo do të gjykojë në kategorinë e filmave të shkurtër që është pjesë e garës së festivalit “Sarajevo Film Festival”, edicioni i tetëmbëdhjetë i të cilit ka nisur të premten.

Skenaristi dhe regjisori spanjoll, Javier Martin-Dominguez dhe seleksionuesi i programit të filmave të shkurtër në Festivalin e Filmit në Rotterdam të Holandës, Peter Van Hoof, do të jenë dy personalitetet e tjera që së bashku me Dobroshin do të marrin vendimin për filmat më të mirë të shkurtër në festivalin që mbahet në kryeqytetin e Bosnjës. Në këtë kategori të filmave, sivjet është edhe filmi kosovar “Kthimi” me regji të Blerta Zeqirit, me Adriana Matoshin e Lulzim Bucollin në rolet kryesore. Filmi i Zeqirit ka fituar në kategorinë e filmave të shkurtër në festivalin “Sundance” dhe në disa festivale të tjera. E aktorja kosovaren Arta Dobroshi, së fundmi është paraqitur edhe në Festivalin e Cannes për të prezantuar filmin francez “Tri botët”, ku ajo luan njërin nga rolet kryesore. Në Sarajevë për festivalin do të jetë edhe një aktor kosovar. Arben Bajraktaraj do të prezantojë filmin “The Woman Who Brushed off Her Tears”. Ky film do të konkurrojë në kategorinë e filmave të gjatë.

Kthehu mbrapa

Shto koment