Arsimi shqip i mbijetoi të gjitha stuhitë e kohës

07.03.2014 (komentet: 0)

Në organizim të Drejtorisë Komunale të Arsimit, edhe në Gjilan është shënuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit, me një program kulturor, ku fjalë rasti kanë mbajtur drejtori Nazmi Musa dhe nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu.

   

Duke i bërë një vështrim rrugëtimit të shkollës shqipe, në 127 vjetët e deritashëm, Nazmi Musa, drejtor për Arsim, ka thënë se historia e arsimit tonë, është një histori luftërash dhe përpjekjesh të popullit shqiptar për të qenë i lirë dhe i pavarur.  Hapja e mësojtores së parë në Korçë ishte një rreze drite në errësirën shekullore dhe realizim i një ëndrre të vjetër të shqiptarëve për të pasur shkollë në gjuhën e tyre amtare. Shqiptarët, kurrë nuk janë pajtuar me regjimet e huaja, pavarësisht se sa të egër kanë qenë ata. Në kushte shumë të vështira, nga gjiri i popullit shqiptar dolën atdhetarë të mëdhenj e të flaktë, të cilët punuan me shumë përkushtim për hapjen e shkollave në gjuhën amtare dhe përhapjen e arsimit shqip.Edhe në Kosovë, arsimi shqip u përballë me stuhi të shumta. Shqiptarët në Kosovë, patën periudha të vrullshme dhe të përgjakshme, por nuk u gjunjëzuan në rrugëtimin e tyre për liri, që u kurorëzua më 1999, me luftën tonë çlirimtare dhe ndihmesën e aleatëve, ka thënë Nazmi Musa, drejtor i Arsimit.Ndërkaq, Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës, tha se mirënjohja për mësuesit tanë, të cilët kaluan nëpër një rrugë të vështirë dhe u përballën me sfida të mëdha, është e përhershme. Jemi të vetëdijshëm se ju nuk po merrni atë që meritoni, tha Kadriu dhe premtoi se qeverisja e re lokale në Gjilan do të punojë në përmirësimin e kushteve në arsim.

Kthehu mbrapa

Shto koment