Instrumentin e dhuruar nga Japonia s’ka kush ta ruaj

26.03.2014 (komentet: 0)

Prishtinë, 26 mars- Cembalo është instrumenti të cilin Japonia ia bëri dhuratë Filarmonisë së Kosovës bashkë me 116 instrumente të tjera, me një donacion prej gjysmë milioni eurosh. Ka zënë vend në shkollën private të muzikës “Misbah & Friends”.

Ani pse në fillim ishte destinuar që ky instrument të vendosej në Muzeun e Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, shkruan sot “Koha Ditore”. Krejt kjo për shkak se Muzeu i Kosovës, sipas të parit të Filarmonisë, Baki Jashari, nuk ka kushte për të ruajtur një instrument të tillë. Kushte s’ka as institucioni që ai e udhëheq.
Zëvendësdrejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, thotë se ky instrument nuk ka qenë në Muze, por donatorët japonezë e kanë shqyrtuar si mundësi. Ai po ashtu ka thënë se mirëmbajtja e këtij instrumenti nuk do të kërkonte ndonjë kusht të veçantë sa temperatura e dhomës ose kushte të tjera.

“Nëse ky instrument do të vendosej në muze nuk do të ishte si një eksponat i muzeut, por si instrument që do të përdorej ndonjëherë në ndonjë koncert”, ka thënë Boshtrakaj.

Cembalo është një instrument i shekullit XVI, në kohën e Barokut. Për arsye se ky është një instrument i vjetër ato punohen vetëm me porosi. E një të tillë ia ka dhuruar edhe Japonia Filarmonisë së Kosovës, ani pse kjo e fundit nuk ka instrumentistë për të luajtur në të. Njihet si paraardhës i pianos, ndërsa ai që tashmë ka zënë vend në shkollën private të muzikës është prodhim i vitit të kaluar.

Drejtoresha e shkollës, “Misbah & Friends”, Rreze Kryeziu-Miftari ka thënë se për të luajtur në këtë instrument në botë ka shkolla të posaçme. Por një e tillë nuk ekziston as në rajon. Megjithatë, sipas muzikologes, edhe një pianist do të mund të luante në cembalo, pasi është më i thjeshtë se pianoja, ndryshon në tingull dhe ka më pak taste.

Ndërsa pronarja e kësaj shkolle, Jeta Dumnica, ka thënë se është përgjegjësi për ta që të mbajnë një instrument të tillë. Ajo po ashtu ka thënë se ky instrument do të duhej të zinte vend në Filarmoni e jo në Muze.

/F.Sadriu/

Kthehu mbrapa

Shto koment