Adem Jashari, terroristi i Wikipedias serbe

24.07.2014 (komentet: 0)

Heroi kombëtar cilësohet si terrorist në Wikipedia në gjuhën serbe me alfabetin cirilik

 

Heroi Adem Jashari, edhe pse është vrarë nga forcat policore e ushtarake serbe bashkë me 19 anëtarët e tjerë të familjes së tij, ai në Wikipedia në gjuhën serbe me alfabetin cirilik, konsiderohet si terrorist e kriminel. Por hiq më mirë nuk cilësohet edhe në Wikipedia anglisht. Aty thuhet se Jashari ka qenë irredentist e separatist që ka luftuar për ndarjen e Kosovës nga Serbia. Njohësit e enciklopedisë elektronike, thonë se duhet punë e madhe dhe stimulim nga shteti për njerëzit që shkruajnë artikuj, për t’i përmirësuar informacionet në gjuhën angleze

 

 

Bujar Vitija

Adem Jashari për shqiptarët e Kosovës është njëri nga heronjtë më legjendar në histori. Por sigurisht kështu nuk njihet edhe në shtetin fqinjë, Serbi, nga ushtria e policia e të cilit u vra në mars të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, së bashku me 58 anëtarët e familjes së tij. Në Wikipedian serbe, në cirilikë, heroi Jashari cilësohet si terrorist. Ai ngarkohet me vepra kriminale, njëjtë sikurse kryeministri në largim Hashim Thaçi, i cili konsiderohet si njëri nga themeluesit e “organizatës terroriste”, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Hiç më mirë nuk cilësohen edhe emra të tjerë të historisë shqiptare. Por kjo ndodhë edhe në Wikipedian në gjuhën angleze. Jashari konsiderohet si irredentist dhe separatist i cili ka luftuar për ndarjen e Kosovës nga Serbia, ndërkaq Thaçi cilësohet si bashkëpunëtor i mafias shqiptare në Evropë gjatë viteve të 90-a. Kosova nuk përmendet asnjëherë si shtet i pavarur apo Republikë. Edhe në artikujt për yllin e muzikës Rita Ora apo futbollistin e njohur Xherdan Shaqiri, thuhet se kanë lindur në Prishtinë, përkatësisht në Gjilan, në Jugosllavi. Madje edhe emrat e qyteteve janë në gjuhën serbe. I vetmi artikull që e njeh Republikën e Kosovës, në Wikipedian serbe por edhe në anglisht, është artikulli për presidenten Atifete Jahjaga.

 

Stimulim nga shteti për përmirësimin e imazhi

Një njohës i mirë i Wikipedias, por edhe njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj me artikuj në gjuhën shqipe, Ismet Azizi, thotë se për ta përmirësuar imazhin e Kosovës në këtë enciklopedi elektronike, shteti duhet t’i stimulojë njerëzit për të shkruar e përkthyer artikuj. Azizi deklaron se artikujt në gjuhën serbe janë pothuajse të njëjtë me ata në gjuhën angleze. Kjo i bie që çfarëdo që serbët shkruajnë për Kosovën në cirilikë, njëjtë shkruajnë edhe në anglisht.

“Në Wikipedia mund të kontribuojë çdokush, në cilëndo gjuhë qoftë. D.m.th. edhe shqiptarët mund të shkruajnë në serbisht dhe të mos identifikohen fare si shqiptarë. Madje nëse janë kontribuues të rregullt, ka mundësi të bëhen edhe administratorë. Por sigurisht nevojitet stimulimi që njerëzit të angazhohen”, konsideron Azizi. Ai vlerëson se Wikipedia është shkollë më vete. Shton se ka mësuar shumë, derisa ka redaktuar rreth 22 mijë artikuj. Planeti, siç e ka pseudonimin në Wikipedia, thotë se njerëzit i referohen shumë informacioneve në këtë enciklopedi. Por për t’u bërë administrator në gjuhën angleze e për të përmirësuar artikuj, duhet punë dhe kontribut i madh.

“Duhet të arrish të bëhesh redaktor në anglisht, mandej të korrigjosh artikujt në anglisht. Ka rregulla të cilat duhet respektuar, dhe mandej të mos harrojmë se ka administratorë serbë në anglisht. Po ashtu burimet e të dhënave në serbisht janë më të besueshme për botën. Këtu qëndron problemi. Duhet cituar të dhënat, përndryshe administratorët i fshijnë. P.sh. emri i Gjilanit në anglisht , për ta më zyrtare është në serbisht se në shqip. Kam provua shumë herë t’ia ndërroj emrin dhe ta shkruaj në shqip, por ma kanë kthye mbrapa”, pohon Azizi. Në gjuhën angleze, Wikipedia ka rreth 4 milionë e gjysmë artikuj, me 1 mijë e 408 administrues dhe gati 22 milionë përdorues. Në gjuhën serbe janë rreth 250 mijë artikuj me 18 administrues dhe gati 143 mijë përdorues. Ndërkaq në gjuhën shqipe janë pak më shumë se 51 mijë artikuj, me 14 administratorë dhe rreth 64 mijë përdorues. Por vetëm pesë administrator janë aktiv e ata janë Planeti, Eruditi, Liridoni, Tëfci dhe Eagleal.

 

Serbët ndërhynë në artikujt e Wiki Academy

Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Fondacionin IPKO, shoqatën kosovare “Open source FLOSS” dhe Ambasadën e Mbretërisë së Norvegjisë, kanë organizuar dy herë me radhë projektin Wiki Academy, për trajnimin e të rinjve për përdorimin e Wikipedias, që ka për qëllim shtimin e informatave për Kosovën. Kjo garë është organizuar në kuadër të Strategjisë për Diplomaci Digjitale të Ministrisë së Jashtme dhe ka mundësuar pjesëmarrjen e mbi 200 garuesve të cilët janë shpërblyer me një fond total prej 10.000 euro shpërblime. Gara ka rezultuar me 57 artikuj të rinj në Wikipedia për Kosovën në fushën e Teknologjisë Informative, Muzikës Klasike, Arkeologji, Fotografi, e të tjera. Azizi konsideron se kjo është pak, prandaj kërkon nga shteti që përdoruesit e enciklopedisë të stimulohen më shumë.

 “Duhet të arrish të bëhesh redaktor në anglisht, mandej të korrigjosh artikujt në anglisht. Ka rregulla të cilat duhet respektuar, dhe mandej të mos harrojmë se ka administratorë serbë në anglisht. Po ashtu burimet e të dhënave në serbisht janë më të besueshme për botën. Këtu qëndron problemi”, ka theksuar njohësi i Wikipedias, Ismet Azizi.

Lis Balaj nga Fondacioni IPKO, bënë të ditur se edicioni i ardhshëm i këtij projekti do të mbahet më 2015-ën. Ai tregon se është planifikuar që kësaj radhe projekti të zhvillohet ndryshe.

“Kemi menduar që të përfshijmë më shumë informacione, jo vetëm për Kosovën në përgjithësi, por edhe për institucione e vende në veçanti. Kjo do t’i pasuronte edhe më shumë informacionet për vendin tonë”, thotë Balaj. Ai nuk e di nëse projekti përsëri do të mbahet në bashkëpunim me MPJ-në. Gazeta ka kontaktuar zv/ministrin e MPJ-së, Petrit Selimi, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon. Balaj tregon se kanë pasur probleme me përdoruesit serbë të Wikipedias.

“Kur kanë marr vesh për projektin tonë, kanë hy i kanë lexuar artikujt dhe në disa prej tyre kanë bërë edhe ndërhyrje. Ata kanë një komunitet shumë të fortë të Wikipedias, prandaj jemi mundu që të mos shtojmë artikuj që provokojnë”, deklaroi Balaj. 

/Tribuna/

Kthehu mbrapa

Shto koment