A ia vlen të detyrojmë fëmijët të mësojnë?

06.09.2013 (komentet: 0)

Prindërit dhe mësimdhënësit të cilët ankohen sepse nxënësit i lënë anash mësimet, ndoshta do t’i gëzoj lajmi se një përpjekje e tillë ia vlen ‘barra qiranë’ dhe se jep rezultate, thuhet nga një universitet në Australi, i cili ka kryer një hulumtim të përgjithshëm në shkollat e shumta.

“Nëse ju duket se përpjekjet tuaja nuk japin aspak fryt, mos hiqni dorë, përkundrazi, ato janë shumë të dobishme”, ka thënë shkencëtari Andrew Martin nga universiteti në Sidnei, duke shtuar se mësimdhënësit dhe prindërit gjatë tërë viteve të shkollës së mesme, kanë ndikim të madh.

Martin në këtë studim ka përfshirë 3450 nxënës nga shkollat e ndryshme të Australisë dhe ka arritur të nxjerr konkludimin se bashkëmoshatarët me të cilët fëmija shoqërohet, kanë shumë më pak ndikim në të se sa mësimdhënësit apo prindërit. Me këtë rast ai ka studiuar motivimin, mundin, kryerjen e detyrave të shkollës, shkallën e kënaqësisë dhe lumturinë e fëmijës në shkollë, vijimin e rregullt të mësimit si dhe në fund angazhimin e fëmijës, shkruan revista shkencore ‘Teachers College Record’.

"Prindërit dhe mësimdhënësit, të cilëve nganjëherë ju duket se janë të pafuqishëm në marrëdhëniet e tyre me fëmijën, më shumë ndikojnë në motivimin akademik se sa që mendojnë, nganjëherë tre herë më shumë se sa që në fëmijët kanë ndikim bashkëmoshatarët e tyre”, ka përfunduar Martin. Mirëpo, kur bëhet fjalë për çështjet shoqërore dhe emocionale, fëmijët më shumë i dëgjojnë bashkëmoshatarët e tyre, se sa prindërit apo mësimdhënësit.

Por studimi sugjeron që prindërit dhe mësimdhënësit të vazhdojnë të kërkojnë më shumë nga nxënësit, edhe nëse kjo nënkupton presion të kohëpaskohshëm.

pergatiti: Brikena Azizi

Kthehu mbrapa

Shto koment