A e di elita gjilanase ku është Biblioteka e Qytetit?!

19.10.2014 (komentet: 0)

 

 Biblioteka e qyteti të Gjilanit ndonëse në emërtim e saj, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, njihet si Biblioteka Rajonale Publike “Fan S. Noli”, referuar vizitorëve të saj, mund të quhet lirisht bibliotekë shkollore e jo publike.

 

Pasi, ndër ata mijëra vizitorë të saj, brenda një viti kalendarik që frekuentojnë sektorët e kësaj biblioteke, veçmas atë huazimit të librit, krejtësisht janë shkollarë, nxënës të shkollave fillore e të mesme si dhe studentë, derisa elita e qytetit, njerëz të politikës, profesorë, mjekë, inxhinierë e të profesioneve tjera, janë të shënuar në statistikat e këtij institucioni, sa për farë.

Madje edhe skena politike si duket është bërë alergjike ndaj librit dhe nuk ka ndonjë interesim për t’i shfrytëzuar shërbimet që ofron kjo bibliotekë, veçmas atë të sektorit të huazimit të librit.

 

Në krye të këtij institucioni ka më tepër se një viti që është Xhymshit Osmani që i bije se një periudhë sa është ky drejtor i Bibliotekës, në krye të Gjilanit ka qenë Qemajl Mustafa dhe tani kryetari aktual Lutfi Haziri, por ajo që mësohet tani është se as njëri e as tjetri, nuk kanë marrë mundin akoma për të vizituar këtë institucion, për të parë se ku ushtron detyrën ky drejtor, çfarë nevoja ka, çfarë sektorë ka, ku janë ato sektorë, si është gjendja e tyre, thjesht ku rri libri, i cili pret lexuesin?!

 

Po ashtu ajo që është shqetësuese, së paku prej zyrtarëve të bibliotekës, është edhe fakti që as njerëz të arsimit, arsimtarë e profesorë, si duket nuk e dinë ku ndodhet sektori i huazimit të librit, pasi edhe numri i tyre që huazojnë libra në këtë bibliotekë është fare simbolik. Paramendoni tani kërkesën apo këshillin e tyre tek nxënësit për ta dashtë librin, e për të lexuar sa më shumë!


Megjithatë, elita gjilansae, sidomos ajo politike, pritet ta heqë mallin tani me 23 tetor kur në Gjilan do të bëhet hapja solemne e Panairit të dyzetedy të Librit, ku do të shpërfaqet dashuria e madhe ndaj librit! Sidomos në hapje, ku pritet edhe prezenca më e madhe e mediave. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment