VIHET GURË THEMELI I SHTËPISË MUZE TË VEPRIMTARIT UKSHIN HOTI

17.06.2012 (komentet: 0)

Me rastin e 69 vjetorit të lindjes së veprimtarit të njohur, Ukshin Hoti, në Krushë të Madhe është vënë gurë themeli i shtëpisë muze, ku qytetarët nga të gjitha trevat do të kenë mundësi të njoftohen me veprimtarinë atdhetare të Profesor Ukshinit për bashkim kombëtar....

Me këtë rast, u tha se ndërtimi i shtëpisë së re është një dëshmi që Ukshin Hoti nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë, por do të jetojë i gjallë midis nesh.

Para qindra, qytetar nga Kosova, Shqipëria, e Maqedonia, por edhe drejtues të institucioneve politike e shkencore, kryetari i Rahovecit, Smail Latifi deklaroi se kjo shtëpi do të jetë informuese për gjeneratat e reja, të cilët do të kenë mundësi të njoftohen me punën dhe angazhimin e Ukshinit.

”Fillimin e instucionalizimit të një vlere të pa diskutueshëm të popullit shqiptar, të kombit. Urime na qoftë shtëpia muze! Shpresojmë që nuk do të jetë aktiviteti i parë, por do të vazhdojmë edhe më tutje me instuticionalizimin e kësaj vlere të madhe të kombit shqiptar”, ka thënë Latifi.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Ismail Lauka, ka deklaruar se Ukshin Hoti është nga ata njerëz që ka datë të lindjes, por për shkak të madhështisë së tij, veçantisë së tij, jo si të gjithë njerëzit e zakonshëm, nuk ka datë vdekje, ai nuk ka as varr, sepse diktatorët e egër me shekuj ua kanë pas dhe ua kanë frikën kundërshtarëve, siç ishin Ukshin Hoti, sepse po të kishin varre ata tmerroheshin se varri mund të kthehej në mekë, mund të kthejë në qendër të pelegrinazheve dhe frymëzim për përmbysjen e diktatorëve.

Veprën e veprimatrit Ukshin Hoti e çmoi lart edhe lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Kurti ka theksuar se Ukshin Hoti kishte dije, guxim dhe veprim, por ishte edhe profesori më i mirë për studentët, sepse gjithçka që bënte për studentët, ndërkohë që vetë studionte vazhdimisht.

Por mbi të gjitha sipas Kurtit, Ukshin Hoti është personaliteti më i shquar i teorisë politike dhe i veprimtarisë në kohën më të re të kombit shqiptar.

Vëllai i Ukshinit, Afrim Hoti falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke u shprehur i bindur se ky muze do të përjetëson historinë e Ukshin Hotit.

Në akademinë kushtuar jetës dhe veprës së Ukshin Hotit, akademikët nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, kanë përmbledhur në kumtesat e tyre , disa nga veprat kryesore të veprimtarit.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment