Ekspozita vjetore e nxënësve të Artit pamor të Gjilanit

09.06.2012 (komentet: 0)

Gjilan – (2LONLINE) - Nxënësit e shkollës së mesme të Arteve pamore të Gjilanit, nuk kanë të ndalur me aktivitetet e tyre. Kështu në Galerinë e arteve në Gjilan, në praninë e nxënësve, të mësimdhënësve dhe të prindërve, ata kanë hapur ekspozitën e tyre vjetore. Koordinatori i shkollës Avni Behluli, gjatë hapjes së ekspozitës, ka thënë se nxënësit e kësaj shkolle me punën e tyre shumë të mirë po prezantojnë për të dytën herë punimet e tyre gjatë këtij viti shkollor.

Ai tha komisioni i përbërë nga mësimdhënësit Jeton Muja, Roland Masurica e Artan Hajrullahu, kanë përzgjedhur punimet më të mira të nxënësve, por nuk do të thotë se janë vetëm këto punime të cilat janë ekspozuar sot, ka edhe shumë punimet të tjera të cilat për shkak të hapësirës së vogël nuk janë përfshirë.

Nga këto punime, shihet se është bërë një sintetizim i degëve të ndryshme të artit, duke filluar nga vizatimi si bazë e arteve figurative, nga piktura, grafika, dizajni grafik, skulptura dhe grafika.

Nxënësit janë prezantuar me punime me këto profile, ku tregon edhe për anën kreative të mësimdhënësve si dhe të nxënësve të kësaj shkolle.

Ndërkohë janë shpërblyer pesë nxënës për punimet e tyre më të mira. Kështu për grafikë si punimi më i mirë është vlerësuar  ai i Fatgzona Maliqi, për skulpturë Kastriot Ymerit, për vizatim Kujtesa Zuka, për pikturë Eljeta Selimi dhe fotografi Edita Aliu.

Artistët francezë çmojnë punën e nxënësve


Në anën tjetër për të parë punën e shkëlqyeshme që kanë bërë nxënësit e kësaj shkolle, në hapje të ekspozitës ishin të pranishëm edhe artistë nga Franca, të cilët ishin ardhur pas kontakte të profesoreshës së kësaj shkolle Emine Shkodra dhe më ndihmën edhe të artistit nga Ferizaj, Gani Bytyçi që jeton dhe vepron në Francë.

Njëri ndër artistë francez që me profesion ishte fotograf, Borras- Sanchez, Jean Manuel, ka thënë se ndihet i fasionuar me punën e nxënësve. 

“Në punimet e tyre po shoh një energji dhe vullnet të madh për artin. Jam i nderuar edhe i priveligjuar që gjendet në mesin e këtyre nxënësve”, tha ai për Portalin 2lonline.com.

Edhe pse kjo shkollë nuk i ka mbushur ende një vit pune, ata gjatë këtij viti kanë zhvilluar shumë aktivitete falë iniciativave të  mësimdhënësve të kësaj shkolle dhe me vetëfinancim, që nxënësit e kësaj shkolle të kenë mundësinë që dijen dhe talentin  tyre ta shprehin jo vetëm në ekspozita dhe projekte të ndryshe në Gjilan, por edhe më gjerë. 

Kështu pas qëndrimit dhe ligjërimit të tre artistëve amerikan për një javë gjatë muajit shtator në këtë shkollë, ata vizituan edhe shkollën e mesme të arteve në Pejë, pastaj Liceun Artistik Kombëtar në Shkodër, e në muajin prill edhe Liceun Artistik në Berat dhe Muzeun Kombëtar në Tiranë.

Mësimdhënësit premtojnë se nuk do të ndalen vetëm me kaq dhe se vizita të tillë do të ketë së shpejti edhe në shkollat tjerë të mesme të artit jashtë Kosovës.

Ndryshe, ekspozita do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë. (ahmet bilalli)

Kthehu mbrapa

Shto koment