Zymberi: Ka përmirësim në gjendjen sociale dhe familjare në Gjilan

16.07.2015 (komentet: 0)

 

 Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi, në një konferencë për media ku ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka thënë se janë duke punuar me përkushtim të vazhdueshëm me stafin e kësaj qendre, që të krijojnë kushte më të mira për qytetarët, apo rastet që i drejtohen këtij institucioni për mbështetje.

 

Në elaborimin e tij lidhur me kategoritë që i janë drejtuar kësaj qendre për të kërkuar ndihmën, ai ka thënë se në shërbimet sociale dhe familjare ka përmirësim të gjendjes kur bëhen krahasimet e shifrave me vitin e kaluar.

“Kur i bëjmë krahasimet e shifrave për rastet që kanë kërkuar shërbimet sociale dhe familjare, del se për këtë periudhë të këtij viti ka një përmirësim të gjendjes, sepse kemi rënie të numrit që i drejtohen këtij shërbimi. Në të njëjtën kohë ai ka përmendur, si më të ndjeshme rastet e viktimave të dhunës në familje, që ka rënie të rasteve të raportuara, fëmijëve të braktisur të porsalindur, por edhe rënie të numrit të rasteve në kategorinë e fëmijëve jetim”, tha Zymberi, duke shtuar se një problem edhe pse në rënie është numri i të miturve me vepra për kundërvajtje dhe vepra penale.  

Zymberi ka theksuar se raste më të vogla por me të cilat janë duke u marr si qendër janë edhe rastet e fëmijëve të përfshirë në punë, sikur që ka spikatur poashtu edhe rastet e fëmijëve që i gjejmë nëpër rrugë si lypsar.

Ai ka potencuar se në shumicën e rasteve fëmijët nëpër këto kategori janë të gjinisë mashkullore.

Gjithashtu drejtori Zymberi ka njoftuar mediat edhe për shpërndarjen e pakove ushqimore që e kanë bërë në prag të festës së Fitër Bajramit.

“Në prag të festës së Fitër Bajramit është bërë shpërndarja e pakove ushqimore, të cilat përmbajnë gjërat elementare ushqimore, prej tyre 150 pako i ka dhënë donacion organizata “Islamik Relief of Kosova” dhe 170 të tjera një bashkatdhetar yni që jeton në Zvicër”, tha ndër të tjerash drejtori Zymberi.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment