Zuzaku: Për 9 muaj janë regjistruar 403 biznese të reja me 660 punëtorë

03.11.2015 (komentet: 0)

Në konferencën për media të mbajtur sot nga drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, ka paraqitur punën nëntë mujore të kësaj drejtorie, që e karakterizon angazhimi maksimal në hartimin e politikave zhvillimore për bizneset private dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës, sikur që edhe bashkëpunimin shumë të mirë me donatorë në projekte të ndryshme zhvillimore për Gjilanin.

 

 

Drejtori Zuzaku me këtë rast ka thënë se kjo drejtori ka mision përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe rrjedhën e cilësisë së shërbimeve të ofruara në fushën e zhvillimit ekonomik lokal.

 

“Jemi duke punuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve në përgjithësi duke u fokusuar në zhvillimin lokal dhe mbështetjen përmes shërbimeve në ngritjen dhe zhvillimin e biznesit privat. Për nëntë muaj përmes aktiviteteve të drejtorisë është punuar në ngritjen e nivelit të zhvillimit ekonomik lokal duke përkrahur bizneset e vogla dhe të mesme në thithjen e granteve që vlerësohet angazhim i suksesshëm, kur kemi parasyshë suksesin që kanë arritur bizneset në këtë drejtim”, ka thënë Zuzaku.

 

Ai ka publikuar edhe statistikat e regjistrimit të bizneseve të reja dhe numrit të të punësuarve.

 

“Për këtë periudhë kohore kemi 403 biznese të reja në Gjilan, ku prej tyre në 81 biznese pronare janë femrat. Gjithashtu sipas deklarimit në total del se janë punësuar 660 punëtorë të rinjë, që edhe pse është numër simbolik, për neve si institucione është trend pozitiv dhe shpresdhënës”, ka potencuar drejtori Zuzaku, duke shtuar se angazhimi i Drejtorisë në fjalë do të jetë edhe më tutje në funksion të zgjerimit të politikave në këtë drejtim në mënyrë që të kemi trende edhe më pozitive.

 

Kurse në kuadër të investimeve dhe bashkëpunimit me donator, ai ka sqaruar se janë një numër i madh i projekteve dhe programeve që po vazhdojnë për zhvillim të Gjilanit.

 

“Në sektorin e Investimeve Kapitale kemi rreth 520 mijë euro të investuara në këtë periudhë, sikur që edhe nga donacione të ndryshme që kemi një vlerë prej mbi 85 mijë eurove. Aktiviteti me donatorë është në projekte të ndryshme dhe me donator të shumtë të cilët i falënderoj për besimin dhe angazhimin që po tregojnë për çdo ditë në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit. Jemi duke punuar së bashku me USAID – in në projekti për punësim dhe zhvillim ekonomik përmes Programit Community Develoment Fund, pastaj në programin tjetër për përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë dhe Komunën e Gjilanit ku është siguruar hapësirë e shkëlqyeshme në panair për kompanitë kosovare”, tha ai.

 

“Me donatorin tjetër UNDP së bashku edhe me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale jemi në programin e tregut të punës II që financohet nga qeveria e Finlandës. Projekti tjetër është ai për Zhvillimin e Rinisë në Kosovë që po mundësohet përmes KYDO (Kosovo Youth Development Projekt), ku ky projekt financohet nga Banka Botërore që ka qëllim përkrahjen e të rinjve në biznes përmes trajnimeve”, tha Zuzaku.

 

Zuzaku ka informuar edhe për financim të projekteve për ndërmarrësit e rinjë në sektorin e turizmit dhe përpunimit të ushqimit që po implementohet nga Promoting Privte Sector Employment, ku përkrahja do të jetë nga 10 mijë euro deri në 100 mijë euro.
Për projektin “Gjilani Riciklon”, drejtori Zuzaku, ka thënë se po tregohet shumë i suksesshëm në shkollat që janë të pilotuara, e që numri i tyre është 15 shkolla fillore e të mesme.

 

Ndërsa, siç ka thënë Agim Zuzaku, projekti i rregullimit të parkut në lagjen “Dardania”, është duke shkuar mjaftë mirë dhe pritet që gjatë këtij muaji të bëhet promovimi i tij, duke shndërruar atë hapësirë në një vend rekreativo – sportive dhe tërheqës për qytetarët e Gjilanit.

 

Sipas drejtorit, edhe bashkëpunimi me TIK – ën Turke është shumë i mirë në mbështetje për 155 bletarë të Gjilanit.

 

“Programi me Komisionin Europian është duke vazhduar me sukses në bashkëpunimin ndërkufitar, për valorizimin e tregtisë tradicionale dhe potenciali socio – ekonomik, që financohet nga BE dhe programe të tjera e të shumta nga donator dhe partner të shumtë si GIZ që është për shumë vite në Gjilan”, ka thënë drejtori i Zhvillimit Ekonomik, duke bërë të ditur edhe nënshkrimin e marrëveshjes Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik përmes fuqizimit të mikro – bizneseve në Kosovë, ku si Komunë në kuadër të zhvillimit ekonomik, Gjilani përfiton 121 mijë euro dhe do të përfitojnë 40 biznese.

 

Zuzaku, ka potencuar se edhe sa i përket efiçiencës është duke u bërë punë e madhe në këtë drejtim, sikur që Gjilani është pranuar në Konventën e kryetarëve të Komunave, që mundëson thithje të fondeve për qëllimin e efiçiencës dhe investimeve në efiçiencë.
“Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, ka organizuar panairin regjional “Gjilani 2015”, “Ditët e Mërgatës” dhe “Ditët e Vendeve Mike”, prandaj kështu dhe me intenzitet edhe më të shtuar do të punohet në zhvillim ekonomik në të gjitha fushat”, ka përfunduar drejtori i DZHE-së në Gjilan, Agim Zuzaku. 

Kthehu mbrapa

Shto koment