“Zajednica” copëton Kosovën

24.08.2015 (komentet: 0)

 

Më se 10 vite më parë, qytetarët e Anamoravës u përballen me decentralizimit etnik që po planifikohej të bëhej në këtë zonë. Decentralizimi etnik është veç rindarje e brendshme e Kosovës, ku më shumë theksohen kufijtë e brendshëm mes komunave me shumicë serbe dhe komunave tjera, sesa kufijtë e jashtëm të Kosovës në raport me Serbinë.

 

 

Fshatrat e Anamoravës që ishin me shumicë serbe i lidhën mes vete duke krijuar komuna të reja me shumicë serbe, për ta rrethuar mes tyre Anamoravën, dhe për t’ia ndërprerë asaj vazhdimësinë territoriale me Luginën e Preshevës.

 

Gjilani nga 515 km2 sa i kishte, i humbi 123 km2. Komuna e Artanës u trefishua, vetëm e vetëm që shqiptarët të mbesin pakicë, ashtu që të mund të quhet komunë me shumicë serbe. U copëtuan Gjilani, Dardana e Vitia, për t’u krijuar Parteshi, Ranillugu, Kllokoti dhe Artana e zgjeruar. Në vitin 2009, qytetarët e rajonit të Anamoravës grumbulluan mbi 30.000 nënshkrime në peticionin kundër decentralizimit, peticion ky që nuk u mor parasysh as nga institucionet qendrore e as nga ato lokale.

 

Në fillet e këtij decentralizimi, qeveritarët thoshin se ky është çmimi që duhet paguar për pavarësinë, por tash është e qartë se decentralizimi ishte veç kapar, si garancion për “Zajednicën”.

 

Komunat me shumicë serbe i delegojnë kompetenca “Zajednicës”. Njashtu edhe Qeveria e Kosovës. Në këtë mënyrë, “Zajednica” do të funksionojë si shtet brenda shtetit të Kosovës, duke bërë ndarje institucionale, juridiko-kushtetuese, territoriale dhe ekonomike, si dhe do të ketë polici e gjyqësi të ndara etnikisht. Nga momenti i themelimit të saj, asnjë institucion i Kosovës nuk do të mund ta shuaj më. Territori fillestar i saj do të jetë veriu i Kosovës. Në vend se Qeveria e Kosovës të punonte në integrimin e pjesës veriore të Kosovës, ashtu që të mund të quheshim shtet sovran,  përmes negociatave të vazhdueshme me Serbinë u bë shumëzimi i veriut nëpër pjesët tjera të Kosovës. Decentralizimi etnik e bëri Anamoravën terren për një veri të dytë, ku do të synojë të zgjerohet “Zajednica”, për të marrë kështu më shumë territor e pasuri.

 

Pra, me themelimin e “Zajednicës”, Anamorava humbet kontrollin në ujërat mineralë të Kllokotit, në Minierën e Artanës, në bukuritë natyrore të Stanishorit, Dragancës e Makreshit, e të tjera, që do të menaxhohen sipas vullnetit dhe nevojës së “Zajednicës”. Prandaj, qytetarët e Anamoravës tani duhet të bëhen bashkë më shumë se kurrë, ashtu që të mos lejojmë themelimin e “Zajednicës”, e cila i rritë edhe më tutje problemet e decentralizimit, duke pamundësuar kështu zhvillimin e mirëqenien, si dhe duke i thelluar ndarjet etnike.

 

“Zajednica” është në proporcion të zhdrejtë me Anamoravën, me Kosovën. Sa më e madhe të jetë ajo, aq më e vogël e më e copëtuar do të jetë Kosova. E që Kosova të mos copëtohet, “Zajednica” nuk duhet të ekzistojë. Të gjithë bashkë, kundër “Zajednicës”, për Kosovën.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment