Xhavit Ahmeti, njeri i madh në shërbim të bërjes së Kosovës shtet të pavarur

21.11.2015 (komentet: 0)

Komuna e Gjilanit, ka organizuar, Akademi përkujtimore për prof. Dr. Xhavit Ahmeti, në 19 vjetorin e vdekjes së tij, i cili nga folësit është vlerësuar si një njeri me ndikim shumë të madh në angazhimet e tij për lirinë, pavarësinë dhe ngritjen e arsimit shqip në kohët kur në Kosovë mbizotëronte një kohë e një regjimi të egër serbo – sllav.


Me këtë rast, të pranishmëve u është drejtuar, Akademik Nexhat Daci, i cili ka elaboruar kujtime për kohën sa ishte i angazhuar në punë në Universitet të Prishtinës, por edhe në angazhime të shumëta në proceset shtet-formuese në politikë së bashku me dr.Xhavit Ahmetin.

“Xhaviti, ishte një njeri i qetë, modest, profesionist i madh, politikan me vyrtyte të larta e çka jo tjetër. Kado që kamë shkuar, ishte njeriu për të cilin më thonin fjalët më të mira nivele të larta akademike qoftë nga Universiteti i Sarajevës, apo ai i Zagrepit. Për Gjilanin është një krenari që pikërisht këtu ai ka vendin e tij të lindjes. Angazhimi profesional dhe politik i Ahmetit janë shembull që duhet ndjekur edhe sot, nga ne të gjallët, për të mirën e vendit dhe të ndërtimit të shtetit”, ka thënë ndër të tjerash akademik, Nexhat Daci, duke shtuar se kujtimi për te është i freskët gjithnjë kur ai vjen në mendjet tona.

Ndërsa, në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, fjalë rasti ka mbajtur, ministry i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili në emër të kryeministrit e ka vlerësuar lartë këtë kolos të punës për bërjen e shtetit, pavarësinë dhe angazhimet për zhvillim.

“Jemi sot këtu që të kujtojmë një njeri intelektual, politikan i mirëfillt, profesionist i shquar dhe vizionar e largpamës. Nga ata që e kanë njohur, ne sot kemi vetëm kujtime të mira dhe pozitive për figurën e tij. Ai që nga studimet, e deri në vdekje dha kontribut të pashoq në ngritjen dhe zgjerimin e arsimit shqip, edhe pse në një kohë kur në Kosova ishte e okupuar nga regjimi serbo – sllav. Gjilani, Anamorava dhe Kosova sot nderojnë një personalitet të përmasave të mëdha dhe vizionar”, ka thënë, ndër të tjerash, në fjalën e tij ministri, Imet Rrahmani.

Kurse, në emër të Komunës së Gjilanit, nënkryetari, Rexhep Kadriu, njëherit edhe bashkëvendës i doktorit Xhavit Ahmeti, ka thënë se ai ka shkuar duke na lënë një rrugë të trasuar mjaftë mirë që sot të jetë më e lehtë çdo gjë në politikë dhe profesion.

“Doktor Xhavit Ahmeti, është një figurë e rëndësishme dhe zë një vend të veçantë në historinë kombëtare, e posaçërisht në atë të Kosovës dhe Gjilanit, përkrah Mulla Idrizit, Zija Shemsiut, Agim Ramadanit dhe shumë veprimtarëve e dëshmorëve nga Gjilani. Ai ka dhënë një kontribut shumë të madh në arsim, në shkencë, në politikë dhe gjithandej. Ishte deputet në legjislaturën e vitit ’96, ministër i Arsimit, detyrë që i është besuar nga presidenti historik, Ibrahim Rugova. Ishte njeri i përkushtuar për punë dhe personalitet që është krenari e Gjilanit dhe Kosovës. Sot përkujtojmë një personalitet, modest, i cili ka lënë zbrazëti të madhe në rrugëtimin e ndërtimit të vendit”, ka thënë nënkryetari Kadriu, i cili ka bërë të ditur se kryetari Haziri, i ka propozuar presidentes Atifete Jahjaga, që në kuadër të dekoratave që ndan presidenca, ta nderoj edhe këtë figurë me vlera të larta, politike, kulturore e shkencore në shërbim të vendit.

Krejt në fund të pranishmit i ka përshëndetur djali i tij, Bekim Ahmeti, i cili ka falënderuar të pranishmit për këtë organizim, që siç ka thënë ai, është një lehtësi e përmbajtjes nga një mungesë e madhe në familjen e Dr. Xhavit Ahmetit. 

Profesor Doktor Xhavit Ahmeti, ka humbur jetën tragjikisht më 21 nëntor 1996, në Beograd, në një udhëtim zyrtarë për arsimin shqip dhe hapjen e shkollave shqipe.

Kthehu mbrapa

Shto koment