Vihet themeli i objektit të Qendrës Rinore në Gjilan

08.09.2014 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, së bashku me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, drejtorin e DKRS-së, Bujar Haziri, deputetët Lirije Kajtazi e Zenun Pajaziti dhe zyrtar të tjerë, kanë vënë themelin e shtëpisë për rininë e Gjilanit, objekt i cili do t’i plotësoj të gjitha kushtet për aktivitetet e rinisë. Parashihet të kushtoj rreth 250 mijë euro, ndërsa punimet parashihet të përfundojnë vitin e ardhshëm.
Me këtë rast kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka falënderuar ministrin Krasniqi për angazhimin, përpjekjet dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e objektit për rininë që është një investim kapital që po ndodhë në sektorin e rinisë në Gjilan.


“Rinisë gjilanase sot po i vjen një investim kapital. Është fjala për këtë projekt të ndërtimit të objektit ku do të kyçen rinia, Shoqatat, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal, organizata të tjera të rinisë që përfshinë studentë dhe nxënës, do të kenë mundësi jashtëzakonisht të mira që në objektin e vet me zhvillu aktivitetin e rinisë dhe me zbatu pjesën edhe të ligjit që lidhet me të drejtat dhe me avancimin e rinisë në përgjithësi”, ka thënë kryetari Haziri, duke informuar ministrin edhe për Qendrën e Trashëgimisë Kulturore respektivisht projektet që kanë filluar të ndërtohen, Teatrit dhe angazhimeve që duhet t’i bëjmë në të ardhmen lidhur me Teatrin e qytetit dhe jetën kulturore në përgjithësi në Gjilan.

Ndërsa nga ana e tij Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo është ditë e veçantë për një projekt që sot po nisë e i cili do të jetë një shtëpi e të rinjve të Gjilanit për të avancuar idetë dhe përgatitjet e tyre për të mirën e Gjilanit.

“Po e fillojmë ndërtimin e këtij objekti i cili është projektuar më parë e po nisë së realizuari sot. Kjo do të jetë shtëpia e të rinjve të Gjilanit, ku do të kultivojnë talentet e tyre, ku do të zhvillojnë projektet, idetë e tyre dhe prej ku do të ndihmojnë avancimin e rinisë të Komunës së Gjilanit por edhe të këtij rajoni në përgjithësi. Është hera e parë që MKRS, investon në ndërtimin e qendrave rinore, ky është një objekt modern dhe do të jetë reprezentativ edhe për Gjilanin dhe para së gjithash për të rinjtë e kësaj ane. Kostoja e këtij projekti është 250 mijë euro dhe është investim i Ministrisë së Kulturës dhe pritet të përmbyllet vitin e ardhshëm”, ka deklaruar ministri Krasniqi.
 

Kthehu mbrapa

Shto koment