Vetvendosje: Shkelje të shumta ligjore nëpër sektorë të ndryshëm

30.03.2015 (komentet: 0)

 

 

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan mbajti sot konferencë për media lidhur me shkeljet e rënda në Zyrën e Prokurimit në këtë Komunë, keqpërdorimet e shumta për dhënien e tokave komunale në shfrytëzim, si dhe për zotimet pompoze të qeverisjes komunale kundrejt realizimit të dobët të tyre.

 

 

Lidhur me shkeljet në Zyrën e Prokurimit foli deputeti Ismajl Kurteshi, i ci përmendi edhe konstatimet e Auditorit të Përgjithshëm lidhur me keqmenaxhimin e kontratave. “Bazuar në rezultatet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Gjilanit nga Transparency International Kosova (TIK), Komuna e Gjilanit në vitin 2014 për projekte kapitale dhe mallra e shërbime i ka shpenzuar 7.3 milion euro, përmes prokurimit publik. Komuna e Gjilanit, sipas TIK-ut, gjatë vitit 2014 pati bërë 49 njoftime për kontrata kurse i ka bërë 79 njoftime për dhënie të kontratave, nga kjo del se për 30 projekte nuk ka pas fare njoftim për kontratë. Auditori i përgjithshëm ka konstatuar se Komuna e Gjilanit i ka menaxhuar dobët kontratat dhe kjo ka ndikuar që punët të kryhen me vonesë dhe të rriten obligimet. Komuna i ka kompensuar punëtorët e saj të brendshëm në cilësinë e organeve mbikëqyrëse dhe për pranim teknik me 1% të vlerës së projektit. Këto gjetje paraqesin shkeljet rënda ligjore, për të cilat prokuroria duhet t’i fillon menjëherë hetimet”, tha Kurteshi, duke shtuar se Auditori nuk është marr me kualitetin e punimeve që janë nën çdo nivel, e as me zvarritjen e procedurave të prokurimit. “Ndaj vendimeve të pa ligjshme të zyrtarëve të Gjilanit, reaguan edhe Ministria e Financave dhe ajo Administrimit të Pushtetit Lokal.Një komision ipërbashkët i këtyre dy ministrive në janar të këtij viti ka konstatuar se neni 3, pika 1 e rregullores për taksa, ngarkesa e gjoba është në kundërshtim me Ligjin për Financa Lokale. Komisioni ka kërkuar nga Kuvendi Komunal dhe Kryetarit të Komunës që rregulloren e lartpërmendur ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi”, tha ndër të tjera Kurteshi, përderisa fliste edhe për 71 paditë e ngritura për Komunën e Gjilanin.

 

Asambleistja Arjeta Rexhepi tha se që nga viti 2001 pushtetarët gjilanas kanë dhënë në shfrytëzim toka komunale pa kriter, pa afat të caktuar për shfrytëzimit, pa asnjë kusht, në kundërshtim me ligjet në fuqi. “Më në fund, edhe për këto keqpërdorime të rënda të Kuvendit Komunal dhe Kryetarit të Komunës ka reaguar Ministria e Administrim të Pushtetit Lokal. Pas shqyrtimit të vendimit 01 Nr. 016-9262 për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale P-70403013-00162-8 me sipërfaqe prej 233 m/2, ZK-Gjilan me datë 27. 01. 2015, konstaton shkeljet si vijon: Vendimi i lartpërmendur është në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit Nr. 04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, si dhe rregulloren QRN Nr. 23/2013 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës. Vendime për dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës, në kundërshtim me ligjin, ka marr komuna edhe në vitin 2000 edhe në vitin 2012 për të cilat duhet të reagoj Ministria e Administrimit Vendor”, tha Rexhepi. Ajo theksoi se Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 3 mars i është drejtuar Drejtorisë së Kadastrës, Gjeodezisë dhe Pronës me kërkesën që të na e dërgojnë listën e pronave komunale të dhëna në shfrytëzim dhe vendimet e Komunës për secilin rast veç e veç. “Po ashtu kemi kërkuar të na e dërgojnë listën e pronave të uzurpuara të Komunës nga uzurpator të ndryshëm. Lista e re e uzurpatorëve e publikuar para disa dite, në krahasim me listën e publikuar para dy viteve nga Komuna, prezanton gjysmën e uzurpatorëve, andaj ne kërkojmë shpjegim nga Komuna se a bëhet fjalë për kthimin e pronave komunës apo fshehjen e gjysmës së uzurpatorëve”, tha Rexhepi.

 

Qeverisja komunale po hynë në vitin e saj të dytë, gjë që do të ishte e mjaftueshme për të vënë në binarë shumë plane, punë e projekte që do të qonin më përpara Komunën tonë. Asambleisti Nevzad Isufi tha se brenda kësaj periudhe 15 mujore, ne si opozitë si dhe qytetarët që ne përfaqësojmë, nuk po shohin ndryshimet e premtuara nga Kryetari i Komunës dhe ekzekutivi që ai udhëheq. “Pritjet e qytetarëve janë vërtetë te arsyeshme, ata duan investime në infrastrukturë, rrugë të shtruara, ujë të pijshëm, rregullime kanalizimesh, përmirësime e rregullime të parqeve, ndërtime të shkollave, çerdhe, fusha sportive, zgjidhje të çështjes së banimit e të çështjeve sociale etj, por po përmendim edhe atë që është qenësore për çdo familje, pra punësimin, gjë që është bërë apotheozë e shekullit 21. Në të gjitha këto aspekte pak është bërë, sepse qeverisja jonë komunale dhe Kryetari më shumë janë përqendruar në dhënien e frymës partiake të gjitha këtyre segmenteve, me ndryshime e formave të reja të organizimi në letra, të cilat deri më tash nuk kanë treguar funksionalitet, por përkundrazi, kemi joefikasitet e ngecje”, u shpreh ai. Më tej, Isufi tha se kemi punësime familjare, nepotizëm, punësime në baza partiake, punësime duke shkelur konkurset, punësime me kontrata në vepër, e të ngjashme. “Për çdo vend pune konkurrojnë qindra njerëz, kurse komunarët i bëjnë punësimet pa konkurse. A nuk është kjo shkelje e rëndë ligjore? Ne kërkojmë nga qytetarët që të mos i heshtin shkeljet dhe parregullsitë, por të reagojnë e të këmbëngulin në realizimin e të drejtës së tyre, të kërkojnë të drejtën e tyre edhe në organet gjyqësore, e neve na kanë gjithmonë në dispozicion”, tha në fund Isufi.

Kthehu mbrapa

Shto koment